Favoritë apo jo në shifra, zbulohen përballjet direkte të skuadrave të “Final Four”
Egnatia është skuadra që ka përfunduar e para në renditjen e kampionatit të rregullt, duke e nisur me një avantazh psikologjik në “Final 4”.

Vllaznia, që ka mbyllur sezonin si e dyta, është gjithashtu një skuadër me eksperiencë dhe ambicie të mëdha. Prej shumë vitesh e presin një titull në Shkodër. Dinamo dhe Partizani, edhe pse kanë përfunduar më poshtë në renditje, janë gjithashtu ekipe të forta që kanë treguar se mund të surprizojnë këdo, edhe pse në këto takime barazimi nuk u bën punë dhe duhet të luajnë vetëm për të fituar. Duke pritur shortin, ja si janë përballjet direkte të këtij sezoni.
EGNATIA-PARTIZANI
Partizani dhe Egnatia janë ndeshur plot gjashtë herë deri më tani, katër në kampionat dhe dy në Kupë, teksa nëse përballen edhe në “Final 4”, do të ishte hera e shtatë dhe me siguri do të përbënte një precedent të rrallë. Në rast të përballjes mes tyre, kjo mes Partizanit dhe Egnatias përbën një betejë mes dy rivalëve më të mëdhenj të dy viteve të fundit. Në gjashtë beteja të tyre në këtë sezon, bilanci është në favor të “Demave” sa i përket rezultateve, por Egnatia ishte ajo që fitoi gjysmëfinalet e Kupës, duke përmbysur humbjen minimale të ndeshjes së parë. Të kuqtë kanë arritur të fitojnë tri ndeshje, një në Kupë dhe dy në kampionat, kundrejt dy fitoreve të Egnatias në dy kompeticionet dhe një barazimi. Fakti është se kjo dyshe u përball vjet në finalen e titullit, që pa fitues pikërisht rrogozhinasit. Skuadra e Tetovës, në ndeshjet vendimtare ka ditur si të fitojë përballë “Demave” dhe mund të konsiderohet si rivalja më i sikletshme në të tilla beteja.
EGNATIA-DINAMO
Një tjetër duel interesant mund të jetë ai mes Egnatias dhe Dinamos. Në përballjet direkte, rrogozhinasit kanë arritur të marrin 2 fitore, ndërsa blutë kanë triumfuar një herë. Ndërkohë, një takim ka përfunduar në barazim. Përballja e fundit është fituar nga Egnatia, e luajtur më 5 mars të këtij viti.
VLLAZNIA-DINAMO
Gjashtë duele kemi pasur këtë sezon mes Vllaznisë dhe Dinamos. Në 28 shtator 2024, Dinamo e fitoi ndeshjen e parë me rezultatin 2-1, ndërsa më pas, më 4 dhjetor 2024, shënoi edhe një tjetër fitore 3-2 ndaj Vllaznisë në Shkodër. Megjithatë, më 15 shkurt 2025 dhe 2 prill 2025, dy skuadrat u mbyllën me barazime 0-0, njëherë në kampionat dhe një herë në Kupë, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjet pasuese. Më 12 prill 2025, Vllaznia e dominon Dinamon me një fitore 3-0 në Shkodër, ndërsa më 23 prill 2025, Dinamo merr hak me një fitore 4-3 në një ndeshje të jashtëzakonshme për Kupën, duke kaluar në finale të këtij kompeticioni. Një përballje e mundshme mes tyre, patjetër që do të sillte një ndeshje emocionuese.
VLLAZNIA-PARTIZANI
Shkodranët janë rivali tjetër i mundshëm i Partizanit në gjysmëfinale të “Final 4”, që do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare”. Një betejë tradicionale, ku në të shkuarën kanë pasur beteja të rëndësishme. Në vitet e fundit situata mes ekipeve ka qenë e ekuilibruar, herë ka fituar njëra e herë tjetra. Në këtë sezon, në katër përballje të zhvilluara në kampionat, Vllaznia ka arritur të ketë një avantazh kundrejt “Demave”. Kuqeblutë kanë fituar dy ndeshje, kundrejt një fitoreje të Partizanit dhe një barazimi. Fakti është se dy rivalët e të kuqve vijnë si favoritë, por Partizani i Gegës ka ditur t’i thyejë pritshmëritë. Kujtojmë dy fitoret me Egnatian dhe ajo e fundit me Elbasanin.
PANORAMASPORT.AL













