Elbasanin e mbyll prilli, ja “të fshehtat” e lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2025 | 22:17

Elbasanin e mbyll prilli, ja “të fshehtat” e lojtarëve

Ekipi i Elbasanit aktualisht është i përqendruar maksimalisht me përgatitjet intensive për të qenë gati në startin e kampionatit në muajin gusht. Duket se gjithçka shkon mirë dhe deri në datën 20 korrik do të stërviten në kompleksin sportiv “Pepa”, ndërsa një ditë më pas do të udhëtojnë drejt Greqisë për vijimin e fazës përgatitore.

Elbasani

Sakaq, për momentin, në kampin verdheblu nuk përflitet për afrime të reja në horizont, ndaj “Panorama Sport” përpiqet të bëjë një analizë interesante përmes muajve të lindjes së lojtarëve. Në një vështrim të detajuar mbi muajt kur janë lindur futbollistët e këtij grupi, bie në sy që prilli është më i përfaqësuar, ndërsa korriku është i vetmi që nuk ka asnjë futbollist të lindur në të.

MUAJT E LINDJES – Nga 23 lojtarë të ekipit, prilli rezulton muaji me më shumë përfaqësim, plot 5 lojtarë, një e dhënë kurioze, por edhe që shkon në linjë me hipotezat e kohëve të fundit, për një lloj avantazhi biologjik që mund të kenë lojtarët e lindur në muajt e parë të vitit. Në këtë rast, krahas prillit, edhe janari ka një përfaqësim të rëndësishëm me 3 futbollistë, ashtu si edhe maji e qershori, të cilët kanë nga 3 emra secili. Më pas, me nga dy lojtarë renditen shkurti dhe dhjetori, ndërsa muajt mars, gusht, shtator, tetor dhe nëntor përfaqësohen me nga një futbollist.

Kurioziteti më i madh qëndron te mungesa totale e futbollistëve të lindur në muajin korrik, një fakt jo shumë i zakonshëm në grupe të mëdha si ai i Elbasanit, që ka aktualisht mbi 20 lojtarë. Kuptohet që kjo shpërndarje kaq asimetrike në muajt e lindjes është produkt vetëm i rastësisë. Në rastin e Elbasanit, duket se prilli është “muaji i artë”, por ajo që ka më shumë rëndësi është se, pavarësisht muajit të lindjes, ky grup përfaqëson një miks të mirë të talentit dhe moshave, që në letër duket gati për një sezon interesant.

ditelindjet

6-MUJORI I PARË – Një tjetër e dhënë domethënëse që del nga analiza e datave të lindjes së lojtarëve të Elbasanit, është shpërndarja e tyre në gjashtëmujorët e vitit. Nga 23 futbollistë në total, plot 17 janë të lindur në gjashtëmujorin e parë (janar-qershor), ndërsa vetëm 6 në gjashtëmujorin e dytë (korrik-dhjetor). Kjo krijon një raport të thellë dominimi prej rreth 74% ndaj 26%, duke përforcuar idenë se futbollistët e lindur në fillim të vitit janë më të pranishëm në futbollin profesionist. Ky fenomen nuk është i panjohur në sport.

Në shumë vende të Europës dhe më gjerë, është analizuar efekti i të ashtuquajturit “avantazh i datës së lindjes”, ku lojtarët e lindur në muajt e parë të vitit kanë më shumë gjasa të përzgjidhen në ekipet zinxhir të moshave, për shkak të pjekurisë më të hershme fizike dhe zhvillimit të shpejtë në krahasim me bashkëmoshatarët e lindur më vonë. Në rastin e Elbasanit, ky përqendrim i madh i lindjeve në gjashtëmujorin e parë mund të jetë produkt i një përzgjedhjeje natyrale në vite, që ka favorizuar pikërisht këto profile, të cilat sot përbëjnë boshtin e ekipit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL