Elbasani “zjarr” në sulm dhe Vllaznia “mur” në mbrojtje, statistikat tregojnë dominuesit dhe dështimet e këtij sezoni në Superiore
Kategoria Superiore e sezonit 2025/26 ka prodhuar një kampionat mjaft interesant, ku ekuilibri mes skuadrave është reflektuar jo vetëm në renditje, por edhe në statistikat kryesore të sezonit. Diferencat janë bërë kryesisht në repartet ofensivë dhe defensivë, aty ku disa ekipe kanë treguar vazhdimësi, ndërsa të tjera kanë vuajtur gjatë gjithë kampionatit.

SULMI – Në aspektin ofensiv, AF Elbasani mban vendin e parë si skuadra me sulmin më të mirë të kampionatit. Elbasanasit kanë realizuar 48 gola në 36 javë, duke qenë ekipi më efikas para porte. Forca e tyre në repartin ofensiv ka qenë një nga arsyet kryesore pse luftuan deri në fund për kreun e renditjes. Pas tyre vijnë Dinamo me 43 gola, ndërsa Vllaznia dhe Egnatia kanë shënuar nga 42 gola secila, duke konfirmuar stabilitetin e skuadrave të “Final 4”. Në anën tjetër, Teuta rezulton skuadra me sulmin më të dobët të sezonit. Durrsakët kanë realizuar vetëm 32 gola në 36 ndeshje, një mesatare shumë e ulët për një ekip që luftoi për mbijetesën deri në javët e fundit. Edhe Tirana ka shfaqur probleme të dukshme në fazën sulmuese, me bardheblutë që kanë shënuar vetëm 36 gola gjatë gjithë kampionatit.
PRAPAVIJA – Në repartin defensiv, Vllaznia ka treguar stabilitetin më të madh. Shkodranët kanë pësuar vetëm 27 gola, duke qenë mbrojtja më e mirë e kampionatit. Organizimi defensiv dhe ekuilibri në lojë kanë qenë armët kryesore të skuadrës shkodrane gjatë gjithë sezonit. Pas Vllaznisë renditen Dinamo me 33 gola të pësuar dhe Egnatia me 34, dy skuadra që gjithashtu kanë treguar soliditet në prapavijë. Në krahun tjetër, Bylis mban statistikat më negative në mbrojtje, me 50 gola të pësuar. Edhe Partizani dhe Tirana kanë hasur probleme të mëdha në repartin difensiv, duke pësuar nga 48 dhe 46 gola, shifra që kanë ndikuar ndjeshëm në objektivat e tyre sezonale.
FITORET – Sa i përket rezultateve, Vllaznia është skuadra me më shumë fitore në kampionat, plot 18 të tilla, statistikë që justifikon edhe vendin e parë në renditje. AF Elbasani e ndjek nga afër me 17 fitore, ndërsa Egnatia me 16 fitore mbetet një nga skuadrat më konstante të sezonit. Në fundin e tabelës për këtë statistikë qëndron Flamurtari, që ka arritur vetëm 8 fitore në 36 javë. Vlonjatët kanë vuajtur mungesën e vazhdimësisë gjatë gjithë sezonit, gjë që u reflektua edhe në renditje.
BARAZIMET – Teuta është skuadra me më shumë barazime në kampionat, plot 15, duke treguar se shpesh ka arritur të marrë pikë, por pa qenë në gjendje të fitojë ndeshje vendimtare. Dinamo ka regjistruar 13 barazime, ndërsa Vora dhe Flamurtari nga 12. Ndërkohë, më pak barazime kanë Vllaznia, Egnatia dhe Partizani me nga 9 secila, skuadra që zakonisht kanë luajtur për fitore ose kanë dalë pa pikë.
HUMBJET – Përsa i përket humbjeve, Flamurtari kryeson negativisht me 16 disfata, ndërsa Bylis dhe Tirana kanë regjistruar respektivisht 15 dhe 14 humbje. Në anën tjetër, AF Elbasani rezulton skuadra me më pak humbje në kampionat, vetëm 8, një tregues i qartë i stabilitetit dhe vazhdimësisë që skuadra ka pasur gjatë sezonit. Të gjitha këto statistika tregojnë se sezoni 2025/ 26 ka qenë një nga më të balancuarit e viteve të fundit në futbollin shqiptar, ku diferencat janë krijuar nga detajet dhe vazhdimësia gjatë 36 javëve të kampionatit.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













