Elbasani, portieri është problemi i skuadrës/ Ja kush ka qenë “njeriu i emergjencave” në çdo sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2025 | 22:28

Elbasani, portieri është problemi i skuadrës/ Ja kush ka qenë “njeriu i emergjencave” në çdo sezon

Roli i portierit në futboll është ndër më të rëndësishmit në çdo skuadër. Ai është pika e fundit e mbrojtjes dhe shpeshherë vendos fatin e një ndeshjeje me një pritje vendimtare. Përveç aftësive teknike dhe reagimeve të shpejta, portieri duhet të jetë gjithashtu lider në fushë, duke udhëhequr mbrojtjen dhe duke komunikuar vazhdimisht me shokët e skuadrës.

janacek

Një portier i sigurt i jep qetësi dhe besim gjithë ekipit. Në futbollin modern, roli i tij ka evoluar shumë. Sot, portierët kërkohen të jenë të zotët edhe me topin në këmbë, të marrin pjesë në ndërtimin e aksioneve dhe të lexojnë lojën si një “libero” i vërtetë. Prandaj, zgjedhja e një portieri nuk është më thjesht çështje pritjesh, është një investim teknik, taktik dhe psikologjik që ndikon në të gjithë ekuilibrin e skuadrës. Me këtë logjikë kanë punuar edhe drejtuesit elbasanas për gardianin gjithë këto sezone dhe shpresojnë që këtë sezon të kenë qëlluar në shenjë.

“MALLKIMI I PORTËS” – Nga sezoni i parë në Kategorinë e Tretë e deri në rikthimin e madh në Superiore, porta e AF Elbasanit ka qenë një pozicion që rrallë ka njohur qëndrueshmëri. Çdo vit, klubi ka prezantuar një emër të ri mes shtyllave, por asnjë prej tyre nuk ka qëndruar më shumë se një sezon. Një histori që tashmë duket si mallkim për portierët dhe këtë edicion është radha e çekut Martin Janaçek që të përpiqet ta thyejë këtë prirje.

PORTIERET

Në sezonin 2021-2022, kur klubi nisi rrugëtimin e tij në Kategorinë e Tretë, portën e ruajti Ruzhdi Bozhiqi ose më saktë e nisi si portieri i parë. Një edicion më vonë, në Kategorinë e Dytë, ishte Kadri Birja ai që u vendos si titullar mes shtyllave.

totoshi

Aventura e tij nuk zgjati më shumë se gjysmë sezoni dhe e pasoi Klevi Totoshi. Me ngjitjen në Kategorinë e Parë, u afrua Klajdi Kuka, por nuk luajti thuajse asnjëherë si titullar. Sërish ai që mbrojti katërkëndëshin ishte Totoshi. Ndërsa në sezonin e parë në Superiore, Elbasani ia besoi portën gardianit nga Gana, Razak Abalora. Edhe ky pati të njëjtin fat si paraardhësit, e mbylli me Elbasanin para përfundimit së sezonit, edhe për shkak dëmtimi.

JANAÇEK – Për edicionin 2025-2026, drejtuesit kanë zgjedhur një tjetër profil të huaj, çekun Martin Janaçek, një portier me eksperiencë në kampionatin çek, që është prezantuar me bujë dhe me misionin e qartë për të sjellë stabilitet dhe siguri në një pikë të ndjeshme të fushës. A do të jetë ai më në fund portieri që do të thyejë mallkimin e një sezoni? Kjo mbetet për t’u parë në vijim, por historinë nuk e ka në favor të tij për të qëndruar më shumë sesa një sezon.

JANACEK

Nëse Elbasani kërkon të konsolidohet në elitën e futbollit shqiptar, një nga hapat më të rëndësishëm do të jetë pikërisht gjetja e një figure afatgjatë në portë. Martin Janaçek vjen për këtë qëllim dhe klubi beson se me të do të ndërpritet më në fund një seri që ka zgjatur për pesë vite radhazi. Sezoni sapo ka nisur dhe përgjigjja do të vijë në fushë, aty ku gjithmonë vendoset e vërteta.

GARANCITË – Pavarësisht rrotacionit të përvitshëm në këtë pozicion, Elbasani ka ruajtur gjithmonë një garanci të brendshme në stol. Klevi Totoshi ka qenë “njeriu i emergjencave” në çdo sezon, duke e mbyllur shpesh kampionatin në formacion për shkak dëmtimesh, largimesh apo formës së portierëve titullarë.

E njëjta gjë vlen edhe për Redon Gegën, një tjetër produkt i skuadrës që qëndron gjithmonë në gatishmëri për të mbuluar portën kur është nevoja.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL