“Ekziston ende besimi te mbijetesa e Vorës”, Daka: Ishim pafat, e pësuam në fund
Dario Daka edhe pse ishte nga më aktivët në fushë, madje duke rrezikuar edhe dy herë e cilëson se fati nuk ishte me ta, pasi humbën të paktën një pikë, që mund të mbanin pozicionimin e mëparshëm pikërisht në dy minutat e fundit, kur u ndëshkuan nga goli Ibrahim Adepojut.

Megjithatë, sipas tij Vora do të gjejë kurajën dhe forcën për tu rikthyer që në këtë takim tek rezultatet pozitive. Ai për “Panorama Sport” do të shprehet haptazi. “Ishte një nga ndeshjet më të vështira, pasi luanim kundër një rivali direkt në luftën tonë për mbijetesë. Do të ishim të kënaqur qoftë edhe me një pikë sikur të dilnim që andej. Por fati keq na ndëshkoj, pikërisht në fund. Edhe pse ne luajtëm më të tërhequr në mbrojtje e me kundërsulme kërkonim ta gjenim në befasi. Kjo gjë tashmë duhet lënë pas e duhet menduar takimi radhës. Partizani.
Është një skuadër që po vjen në rritje e nuk është më ajo skuadër, ku ne morëm atë fitore të vetme të fazës sapo mbyllëm. Prandaj na duhet shumë kujdes, për të qenë më të qetë dhe të vendosur me guxim e kurajë si dhe përkushtimin maksimal. Mendoj se Vora, do të rikthehet përsëri tek rezultatet pozitive në mënyrë që të ringrihemi në atë pozicion, që kemi mbrojtur për shumë javë”, ka përfunduar sulmuesi i djathtë, 22-vjeçari Dario Daka, që ju bashkua Vorës këtë sezon nga Italia.
PANORAMASPORT.AL













