EKSKLUZIVE/ “Vllazninë e shoh në garë”, Malota flet për objektivat e skuadrave në Superiore: Dinamo pretendente, por… (E PLOTË)
Renato Malota ka provuar të luajë me disa klube në Superiore, madje duke fituar edhe tituj kampion e Kupa. Ndër skuadrat me të cilat ka pasur sukses, janë padyshim Dinamo dhe Vllaznia.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi që tani punon si drejtor sportiv i Besëlidhjes, e sheh të fortë garën për titullin kampion në Superiore. Ai ka vlerësuar maksimalisht Egnatian, Dinamon e Vllazninë, duke shtuar edhe të metat që këto dy klubet e fundit kanë.
Renato, jeni nga lojtarët që keni fituar titullin me Dinamon. E sheh “nëndetësen” pretendente këtë sezon?
Të them të drejtën, Dinamon e kam ndjekur gjatë gjithë këtij viti, dhe mendoj se trajneri Ilir Daja po bën një punë shumë të mirë me skuadrën. Megjithatë, sipas mendimit tim, Dinamo e këtij sezoni është disi më e dobët se ajo e vitit të kaluar. Ndoshta fakti që lojtarët tashmë kanë kohë më të gjatë bashkë dhe mund të krijojnë më shumë harmoni në lojë, prandaj ky mund të jetë viti i duhur për ta. Por, për momentin, pavarësisht se ekipi ka lojtarë cilësorë dhe një grup të mirë, më duket se nuk ka atë forcën që kishte sezonin e kaluar. Gjithsesi, do ta shohim më qartë pas janarit, kur të kemi më shumë ndeshje për të analizuar. Për tani, mendoj se janë disi më të dobët se më parë.
Kë sheh këtë sezon për titull, Egnatian sërish apo ndryshim?
Të them të drejtën është një garë shumë e fortë, me një Vllazni që është shumë e fortë dhe që po prodhon lojë. Mendoj se e ka treguar këtë periudhë, dhe mendoj që Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo, këto tre do të ndajnë këtë vit titullin kampion.
Ndërkohë, sot luhet ndeshja direkte Vllaznia-Dinamo në “Loro Boriçi”. Si e parashikon këtë ndeshje?
Nuk e di, është një ndeshje shumë e fortë. Personalisht do të shkoj dhe do ta ndjek në stadium, por nuk mund ta them me siguri. Megjithatë, unë e shoh Vllazninë si fituese nesër. Jam realist, duke parë momentin e mirë që po kalojnë, si dhe faktin që ndeshja do të luhet në Shkodër. Tifozeria do të jetë e zjarrtë, besoj se stadiumi do të jetë plot, prandaj mendoj se Vllaznia do ta marrë fitoren.”
A mendon se ky mund të jetë viti i Vllaznisë? Çfarë duhet ndryshuar?
Tani, kjo mbetet për t’u parë. Të them të drejtën, Vllaznia këtë vit po tregon një formë shumë të mirë, ndoshta është më e forta e viteve të fundit. Por, të mos harrojmë që përballë do të ketë një Egnatia që ka një super skuadër, me lojtarë me përvojë dhe shumë cilësorë. Mendoj se Vllaznia do ta ketë një garë të vështirë, por gjithsesi, kjo Vllazni është më e mira që kemi parë vitet e fundit.
Po nëse bëjmë një krahasim nga koha kur ti ke fituar titullin me Dinamon me dy vitet e fundit, çfarë ka pasur më shumë?
Shiko, edhe tani Dinamo ka shumë kualiteti, por as nuk mund të krahasohet kualiteti i tanishëm me kualitetin që Dinamo kishte në vitin 2009. Personalisht, kam qenë i ri atëherë dhe them me bindje që cilësia që kishte Dinamo e atij sezoni nuk është e njëjtë me këtë të tanishmen. E para ajo, dhe e dyta Dinamo kishte lidera të vërtetë. Jo se nuk ka tani, por po përmend disa emra si Pisha, Allmuça, Kotorri apo të tjerë që kanë qenë lojtarë shumë të mirë, por mbi të gjitha kanë qenë liderë në fushë. Mendoj që kjo Dinamo është pak larg asaj Dinamoje kampione të viteve 2009. Megjithatë, nuk i dihet, ndoshta merkatoja e janarit mund t’i sjellë ndonjë lojtar që ta përforcojë ekipin dhe të mbushë boshllëqet që janë krijuar, sepse realisht, pas largimit të Zabërgjës dhe Itodo Mandelës, është ndjerë një “gropë” e madhe në skuadër. Prandaj edhe e shoh këtë Dinamo ndryshe nga ajo e vitit të kaluar.
Mbas futbollit të luajtur, vendosët të bëheni drejtor sportiv. Çfarë ju shtyu të zgjidhni një profesion të tillë?
Edhe kur kam qenë futbollist, gjithmonë diskutonim me miqtë dhe shokët e ekipit, dhe ata më thoshin: ‘Do bëhesh trajner një ditë’. Por unë në asnjë moment nuk e kam marrë si të sigurt. E vetmja gjë që kam parë dhe e kam përjetuar vetë është me post te kjo fushë, jo tek pjesa e stërvitjes apo e trajningut. Mendoj që është një pozicion që më përshtatet, duke marrë parasysh njohuritë dhe eksperiencën time. Kam besim se avash-avash do të përparoj dhe do t’ia dal. Ky është një rol që realisht më përshtatet dhe ku e shoh veten time.
Pavarësisht se në hapat e parë të këtij rrugëtimi, çfarë këshille do iu jepje klubeve të Superiores?
“Këshillë? Tani, unë po e jap nga pozicioni im si futbollist, sepse sapo kam filluar këtë rol të ri. Natyrisht, si drejtor sportiv do të kem më shumë eksperiencë në këtë post, gjë që tani nuk e kam, por mund të jap një mendim. Mendoj që, duke parë situatën ku ekipet shpesh nuk kanë rezultate, nuk duhet të gjendet menjëherë ‘fajtori’ te trajneri. Duhet të jemi më të thelluar dhe t’u japim më shumë besim trajnerëve, që të punojnë dhe të zhvillojnë ekipin në mënyrë të qëndrueshme.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













