EKSKLUZIVE/ “Vllazninë e mposhti një skuadër amatore”, ish-administratori Shaba: Në Shkodër, me tifozët do të ishte 30% mbi nivelin që pamë në Elbasan (E PLOTË)
Ish-administratori i Vllaznisë, Kujtim Shaba, ka folur së fundmi në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Ish-drejtuesi ka analizuar sfidën e fundit të kuqebluve ndaj Daugavpils, duke theksuar lojën e dobët të shkodranëve. Sipas ish-drejtuesit, është ndikuar edhe nga mungesa e tifozëve dhe zhvillimi i duelit në Elbasan.

Ndër të tjera, Shaba thekson se, pavarësisht kësaj disfate, ai ka ende besim tek kualifikimi i 9 herë kampionëve të vendit e ndërsa po ashtu nënvizon faktin se ekipi ka nevojë urgjente për përforcime në merkato.
Shaba, një humbje që la një shije të “hidhur” kjo ndaj Daugavpils për Vllazninë apo jo?
Absolutisht që po, sepse, më vjen keq ta them, por Vllazninë e mposhti një skuadër amatore. Që me një gjysmë rasti arriti të shënonte gol, që as ata nuk e besuan se si erdhi. Por, kjo nuk justifikon aspak paraqitjen e Vllaznisë që nuk ishte në nivelin e duhur. Patjetër prisja shumë më tepër nga ekipi ku duhej të kishte më shumë ego dhe nerv për të arritur suksesin, sidomos në ndeshjen e parë që është e rëndësishme.
Çfarë nuk shkoi te loja e skuadrës?
Nuk mendoj se skuadra ende është përshtatur 100% me idetë e trajnerit. Po mundohet të përshtatet dhe ende ka disa gjëra për t’u rregulluar. Vllaznia krijoi shanse, por pa të dhënë atë sigurinë që do të shënonte dhe do të gjente fitoren me patjetër. Këtu besoj se çaloi skuadra, që nuk diti të ishte “klinike” dhe finalizonte rastet që u krijuan gjatë lojës. Uroj ta rregullojnë shënjestrën në ndeshjen e kthimit.
Mund të bënte diçka më tepër Vllaznia dhe Martini?
Të kishte më dëshirë, më egërsi dhe të dominonte. E thashë, ishte përballë një skuadre shumë të dobët që nuk duhej llogaritur. Pavarësisht se sot kanë “mësuar” të luajnë futboll të gjithë. Megjithatë Vllaznisë i mungoi ajo shkëndija që duhej të ishte në një duel të tillë. Por, mund të them ndoshta e kuptueshme, sepse ishte ndeshja e parë zyrtare me trajnerin e ri dhe skuadrën që po riformatohet.
Kishte ndikim fakti që ndeshja u zhvillua në Elbasan?
Për këtë të jeni të sigurt, sepse në Shkodër kam bindjen absolute që me mbështetjen e tifozëve, Vllaznia do të ishte minimalisht 30% mbi nivelin dhe rastet që zhvilloi në Elbasan. Mungesa e shumtë e tifozëve ndikoi në mënyrë indirekte tek skuadra, që e “ndjeu” se në shkallët e stadiumit nuk ishte mbështetja e zakonshme. Për këtë shpresoj të kenë nxjerrë mësime dhe të mos e sjellin skuadrën nëpër qytete dhe stadiume të ndryshme të Shqipërisë.
Nga eksperienca juaj, çfarë do të sugjeronit për takimin e kthimit?
Thjesht të hyjnë në fushë me mentalitetin e duhur, me idenë që në fushë vlen vetëm fitorja dhe asgjë tjetër. Të jenë agresivë dhe me dëshirë në fushë, pasi jam i sigurt që futbollistët e Vllaznisë kanë më shumë cilësi se kundërshtarët. Ndaj them se duhet ta synojnë fitoren që në minutën e parë të takimit që do të zhvillohet në Letoni.
Ke besim për një përmbysje rezultati dhe kualifikim të Vllaznisë?
Po, kam besim, sepse, siç e thashë më sipër, Vllaznia qëndron më lart si ekip. Të jenë të qetë dhe të administrojnë siç duhet 90 minutëshin. Me përqendrim e saktësi them se ia dalin për t’u kualifikuar dhe kaluar në turin tjetër.
Sa i duhet Vllaznisë një merkato cilësore tani?
I duhet në mënyrë urgjente, skuadra ka nevojë për 3-4 përforcime cilësore që bëjnë diferencën. Duhen kërkuar përforcime në çdo repart dhe sidomos në mesfushë dhe sulm ku e shoh si më të domosdoshme. Deri në përfundim të merkatos ka ende kohë, por drejtuesit duhet të formojnë ekipin e plotë sa më shpejt, në mënyrë që të jetë gati për sezonin e ri në Superiore.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













