EKSKLUZIVE/ “Vllaznia po rikthen identitetin e saj”, Zogoviç: Kam ende “peng” titullin e 2021-it (E PLOTË)
Ka qenë një nga futbollistët e huaj i cili ka lënë kujtime shumë pozitive në aktivizimin e tij tek Vllaznia.

Ku tifozët, por edhe opinioni sportiv kanë vlerësuar shumë performancat e tij me shkodranët dhe fjala është për Bojan Zogoviç. Portierin nga Mali i Zi i cili aktualisht luan me Arsenal Tivat në vendin fqinj dhe në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka folur për kampionatin shqiptar dhe në veçanti skuadrën e Vllaznisë.
Gardiani thekson se ende e ka “peng” mos fitimin e titullit kampion në edicionin 2020-21, teksa shpreson që ky të jetë sezoni i duhur që titulli të rikthehet në Shkodër.
Bojan, keni pasur mundësinë të ndiqni kampionatin shqiptar gjatë kësaj periudhe?
Jam munduar ta ndjek kampionatin shqiptar aq sa kam pasur mundësi. Kjo për shkak edhe të angazhimeve personale me skuadrën ku luaj aktualisht, Arsenal Tivat. Kam ende shumë miq në Shqipëri dhe mundohem t’i ndjek e mund të them se këtë sezon, por edhe në vitet e shkuara ka shumë rivalitet. Ka kudo garë, për kreun, mesin e tabelës apo edhe rënien nga kategoria. Pra, besoj se do ketë një sezon të “luftuar” deri në fund nga secila skuadër.
Shikon ndonjë ndryshim nga periudha kur ju luanit në Superiore?
Nuk besoj se ka aq shumë ndryshime, që kur luaja unë në Superiore para pak vitesh. Ekipet pretendente besoj janë pak a shumë njësoj siç ishin më përpara, po ashtu nuk shoh ndonjë ndryshim në cilësi me aq sa kam ndjekur takimet. Gjithashtu them se kampionati shqiptar ka ruajtur atë linjën që nuk ka diferenca të mëdha mes ekipeve dhe kushdo mund të shkaktojë “telashe”.
Nostalgji për Shkodrën dhe Vllazninë besoj?
Absolutisht që po, kam kaluar vite fantastike në atë qytet dhe sa herë kam mundësi shkoj për ta vizituar. Po ashtu me ekipin ishin sezone shumë pozitive ku rikthyem gëzimin që mungonte prej vitesh tek tifozët.
Gjej rastin t’i përshëndes gjithë tifozët shkodranë pasi më kanë bërë të ndihem si në shtëpi në Shkodër dhe jo si një i “huaj”. Janë me të vërtetë të veçantë dhe shpresoj të shpërblehen për mbështetjen e pakufizuar që i japin skuadrës kudo në mbarë vendin.
Si e komenton ecurinë e Vllaznisë në përgjithësi?
Vllaznia gjithë këto sezone ka qenë një ndër ekipet pretendente për vendet e para të renditjes. Diçka e tillë nuk ndryshon as këtë edicion, ku shihet qartë që synimet janë shumë të larta. Kjo dallohet edhe nga merkato e verës, ku janë afruar futbollistë me shumë cilësi dhe CV të pasur. Po ashtu ekipi ka treguar në këto javë të para me aq sa kam ndjekur dhe marrë informacione nga mediat apo miqtë, një nivel shumë të lartë. Duke dominuar skuadrat e po ashtu duke merituar pikët dhe kryesimin e kampionatit.
Ka diferenca me skuadrën që ju u aktivizuat për 3 sezone?
Kohët dhe ekipet ndryshojnë, nuk mund të bësh krahasime aq lehtë. Pasi kur luaja unë tek Vllaznia kishte futbollistë të tjerë e shumëçka ka ndryshuar. Por, mund të them se ekipi aktual po luan atë futbollin e bukur dhe sulmues siç bënim edhe ne dhe atë çfarë kërkon edhe tifozëria e drejtuesit e Vllaznisë.
Ndonjë “peng” që ju ka ngelur…
Eh, titulli kampion në edicionin 2020-21 është një “peng” që besoj se iu ka ngelur të gjithëve që ishin pjesë e atij ekipi dhe jo vetëm mua. Them se më shumë se askush atë sezon e meritonte Vllaznia titullin, për lojën dhe dinamikën që i dhamë kampionatit. Ku në fillim të sezonit askush nuk na llogariste, por ne treguam në fushë cilësitë dhe futbollin tonë. Shpresoj që ai titull të kthehet këtë edicion në Shkodër dhe mundësitë janë të mëdha për ta bërë.
Porta duket se ka fituar siguri duke mos pësuar, një bonus më tepër?
Ekipi mbron dhe sulmon së bashku, pra edhe kur shënon është merita e të gjithëve e ndërsa kur pëson nuk pëson vetëm portieri apo mbrojtja. Vllaznia po krijon një balancë tashmë edhe në portë e mbrojtje, ku ka krijuar edhe rivalitet e kjo shton cilësinë. Pastaj mos pësimi i golave të garanton ndoshta të fitosh edhe një ndeshje ku nuk ke treguar nivelin tënd më të mirë në fushën e lojës.
Është kjo skuadër pretendente kryesore për kampion?
Mund të them se po, por pa nënvlerësuar asnjëherë rivalët sepse pastaj do komplikosh punët vetes. Drejtuesit kanë bërë sakrifica për të ndërtuar një ekip që bën diferencën në fushën e lojës e për të rikthyer titullin. Mundësia është dhe ekziston prandaj uroj me zemër që në maj, Vllaznia të jetë triumfatore e kampionatit shqiptar.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













