EKSKLUZIVE/ Vendimtar te Dinamo, Bregu “sms” Silvinjos: Uroj t’i ketë pëlqyer ndeshja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2025 | 11:52

EKSKLUZIVE/ Vendimtar te Dinamo, Bregu “sms” Silvinjos: Uroj t’i ketë pëlqyer ndeshja

Nëse Dejvi Bregu shënon, shanset që Dinamo të fitojë janë shumë të mëdha, pasi kështu ka ndodhur këtë sezon. Ndaj Bylisit, ai realizoi dopietën e tretë për këtë sezon, kësaj here në sytë e Silvinjos në tribunë.

bregu

Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport” pas ndeshjes, 29-vjeçari pohon se Dinamo reagoi menjëherë pas asaj humbjeje në Rrogozhinë, ndërsa ka besim se me ecurinë pozitive do vijojnë edhe ndaj Elbasanit. Për vlonjatin është e vështirë që të përzgjedhë dopietën më të bukur të këtij sezoni. Në fund, ai ka diçka edhe për Silvinjon, që e ndoqi sfidën nga tribuna.

Dinamo reagon menjëherë pas asaj humbjeje me Egnatian. Si ndiheni? Realisht një reagim i mirë pas asaj pjese të parë, pa i hequr meritat Egnatias në fitore, sepse ata e merituan, edhe pse ne nuk ishim në lartësinë e duhur. Duhet të nxjerrim mësime nga ajo ndeshje dhe fatmirësisht u kthyem menjëherë te fitorja. Ishte një ndeshje shumë e vlerësuar nga ana jonë dhe normalisht jemi të lumtur me këtë fitore.

Pas ngushtimit të rezultatit nga Bylisi, patët frikë për ndonjë kthim të rezultatit? Jo, frikë nuk kishim. Por, nuk duhet ta kishim vënë ndeshjen në diskutim, pavarësisht se nuk e vumë asnjëherë. Përveç golit, Bylisi thuajse nuk na rrezikoi në asnjë moment, edhe pse ata kanë disa elementë që mund të bëjnë keq. Në tërësi mendoj se nuk e vumë në asnjë moment në diskutim dhe kishim mundësi për të shënuar gola të tjerë.

Kjo ishte dopieta e tretë këtë vit, cilën do të veçonit? Të them të drejtën, unë nuk mund t’i ndaj dot, e kam pak të vështirë. Por, mendoj se gjithnjë ajo që shënohet e fundit është më e rëndësishmja, edhe pse këtë gjë e vlerësojnë më mirë të tjerët. E kam thënë edhe më herët që për mua të rëndësishëm janë golat që japin pikë dhe unë atë kam synuar gjithnjë. Pikërisht këta gola vlerësohen më shumë.

Ndeshja e radhës me Elbasanin, si e prisni? Është një ndeshje që do kujdes. Ata kanë një ekip të mirë dhe kanë ardhur në rritje, duke bërë lojëra shumë të mira. Kemi kohë për ta përgatitur dhe ta vlerësojmë maksimalisht.

Në tribunë në takimin kundër Bylisit ishte edhe Silvinjo… Nuk di se çfarë të them. Shpresoj që t’i ketë pëlqyer ndeshja.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL