EKSKLUZIVE/ Vendimet e FIFA-s, Tirana “bllok” nga Latifi-Najdovski (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2025 | 22:37

EKSKLUZIVE/ Vendimet e FIFA-s, Tirana “bllok” nga Latifi-Najdovski (E PLOTË)

Tiranës i bllokohet për herë të dytë merkatoja. Në datën 8 prill 2025 skuadra ka marrë masën tjetër nga FIFA. Kjo e fundit ka ndëshkuar bardheblutë me një tjetër vendim që për tre periudha skuadra kryeqytetase të mos regjistrojë lojtarë.

FIFA

Tani janë dy vendimet që nuk lejojnë regjistrimin e lojtarëve të rinj. Po për çfarë dhe cilët lojtarë bëhet fjalë? Si zakonisht janë problemet me pagesat që janë bërë një shqetësim i vazhdueshëm në kampionatin shqiptar. Shlyerja e detyrimeve jo në kohë, sjell edhe penalizime për skuadra të ndryshme, të cilat janë subjekt i FIFA-s.

LOJTARËT – Gazeta ka mësuar se për çështjen e Tiranës janë në skenë dy lojtarë, të cilët kanë bllokuar merkaton. Bëhet fjalë për Filip Najdovskin dhe Liridon Latifin. Për të parin bëhet e ditur se ai ka fituar rreth 75 mijë euro dëmshpërblim, por shifra mbetet e pakonfirmuar. Nga ana tjetër është Liridon Latifi. Futbollisti i Shkëndijës ka një pjesë të pamarrë parash dhe zgjidhjen e ka kërkuar në FIFA.

KLUBET E TJERA – Tirana nuk është e vetmja  me merkato të bllokuar. Rasti më i fundit është i Dinamos. “Panorama Sport” pak ditë më parë zbuloi se klubit dinamovit i është bllokuar merkatoja. Sistemi i FIFA-s ka bllokuar ekipin blu që të mos regjistrojë lojtarë për periudhën në vazhdim, pasi kanë detyrime të mbetura, edhe pse ende nuk është zbuluar se ndaj cilit janë.

Përveç Dinamos që i është bllokuar merkatoja, më herët janë edhe klube të të tjera të Superiores, që nuk mund të regjistrojnë lojtarë të rinj, pasi edhe ato kanë detyrime të pashlyera. Bëhet fjalë për Laçin edhe ky për mospagim lojtarësh. Kurbinasit prej dy vitesh nuk kualifikohen në Kupat e Europës dhe kjo ka rezultuar të jetë një goditje e rëndë financiare, pasi kjo është reflektuar edhe në cilësinë e ekipit, që ka qenë vazhdimisht në rënie dhe tashmë po diskuton mbijetesën.

Problemet financiare të lindura, për shkak të ndërprerjes së këtij burimi kanë shkaktuar edhe vonesa me pagesat e lojtarëve dhe hapjet e çështjeve të tilla. Përveç problemit të mbijetesës, kurbinasit duhet të zgjidhin edhe këtë telash, pasi vera po afron dhe merkatoja duhet hapur me patjetër.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL