EKSKLUZIVE/ Trajneri Haxhiosmanoviç: Vllaznia përsërit titullin e vitit 2001, ja favori i shkodranëve (E PLOTË)
Vllazninë nuk e harron asnjëherë dhe ka gjithmonë nostalgji për të. Fjala është për Dervish Haxhiosmanoviç, ish-trajnerin e kuqebluve që u shpall për herë të fundit kampion në sezonin 2000/01.
I ndodhur në stadiumin “Loro Boriçi” të dielën për të ndjekur duelin Vllaznia-Laçi, malazezi dha edhe një intervistë për “Panorama Sport”. I fundit trajner kampion me ekipin shkodran tha se ky është një sezon pozitiv për shkodranët, por që duhet mbyllur me titullin kampion, ku, sipas “Dedës” siç e njohin në Shkodër, Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të arritur suksesin final.
Profesor, sërish në Shkodër për Vllazninë, një pjesë e zemrës apo jo?
Gjithmonë kënaqësi kur vij në Shkodër dhe “Loro Boriçi” për të ndjekur Vllazninë. Njerëzit dhe dashamirësia nuk ka ndryshuar aspak, pavarësisht se vitet ecin dhe brezat ndërrojnë. Gjej rastin t’i falënderoj për respektin që më japin gjithmonë. Në Shkodër dhe me Vllazninë kam ndoshta kujtimin më të bukur si trajner dhe do të më shoqërojë i tillë gjatë gjithë jetës sime.
Si e komentoni këtë barazim ndaj Laçit në javën e fundit?
Ishte ndoshta një ndeshje pa ndonjë “rëndësi” të madhe. Pak a shumë dihej fati i të dyja skuadrave dhe prandaj nuk mund të prisje një duel në super ritëm. Vllaznia duhej të ruante forcat për ndeshjet e “play off” për titullin kampion e ndërsa Laçi dukej i “pajtuar” me rënien. Thjesht duhej respektuar java e fundit e kampionatit dhe skuadrat besoj se e bënë diçka të tillë, por duke mos dhënë 100% nga vetja e tyre.
Si të është dukur sezoni në Superiore i Vllaznisë?
Me uljet dhe ngritjet e tij, ashtu siç i ndodh çdo skuadre gjatë 30 apo më shumë javësh kampionat. Megjithatë, duke parë se ekipi kapi vendin e dytë në kampionat, tregon se ka qenë një sezon me nota pozitive. Vllaznia ka pasur sulmin më të mirë në kampionat dhe kjo tregon cilësi. Po ashtu, në ndeshjet me ekipet e sipërme të tabelës, nuk ka qenë asnjë herë inferiore dhe tashmë i ka ngelur shumë pak për të arritur te qëllimi final i sezonit.
Shikon ndonjë rival të fortë për kuqeblutë?
Të gjithë janë të fortë, nuk mund të përjashtoj askënd. Përderisa janë katër ekipe që do të luftojnë për titullin kampion, kjo tregon se ato e meritojnë të jenë aty. Shoh pak diferenca mes skuadrave e po ashtu cilësitë janë aty-aty për të gjithë. Besoj se do të jenë ndeshje për t’u shijuar të gjitha dhe do ketë një futboll të mirë nga të gjitha ekipet.
Kur u larguat, ishte një Balaj “fëmijë”, sot e gjeni lider. Mund të jetë ai pika kyçe e suksesit?
Balaj është jo vetëm sulmuesi, por edhe lojtari më i mirë i Superiores. Vllaznia është me fat që e ka dhe, me sa kam parë periudhën e fundit, po kalon një formë të mirë. Me të në fushë, Vllaznia ka një “avantazh” ndaj kundërshtarëve dhe besoj se ai mund të jetë lojtari që do të udhëheqë skuadrën drejt suksesit në këtë epilog kampionati.
I ka mundësitë Vllaznia për kampion?
Absolutisht që po, sepse ekipi ka disa vite që i afrohet titullit. Para 4-5 sezonesh e humbi titullin vetëm nga golavarazhi, sezonin e shkuar nga një barazim në gjysmëfinale ngeli jashtë finales së kampionatit. Pra, ishte e pritshme në opinionin tim që Vllaznia të ishte në mesin e ekipeve që pretendon titullin kampion. Dëshiroj dhe kam besim se skuadra mund t’ia dalë mbanë pas kaq shumë vitesh për të risjellë titullin në Shkodër.
Si arrihet suksesi final, sepse jeni i fundit që e keni bërë diçka të tillë…
Me shumë besim, me krenari dhe vendosmëri për fanellën që mban veshur. Duke mos pasur frikë askënd, por as duke nën vlerësuar askënd që do kesh përballë. Vllaznia ka edhe një “favor” që janë tifozët e saj të mrekullueshëm, pasi është e sigurt që do jenë në mbështetje të ekipit kudo. Prandaj, me punë dhe sakrificë arrihet te fitorja dhe titujt, pasi talenti nuk mjafton gjithmonë për të arritur lart.
Ka ndonjë ngjashmëri me vitin 2001 ky edicion?
Ka ndryshime në kohë dhe në breza. Atëherë kishte lojtarë të tjerë, kundërshtarë të tjerë. Nuk besoj se do të ishte i drejtë një krahasim. Thjesht uroj që kjo Vllazni ta ripërsërisë atë çfarë ne bëmë në vitin 2001, pasi me të vërtetë është një kohë e gjatë që titulli mungon në Shkodër.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













