EKSKLUZIVE/ Rikthim në Shqipëri pasi shkroi historinë? Flamurtari dëshiron trajnerin e njohur për stolin
Jeton Beqiri është zyrtarisht i lirë pasi e mbylli me Shkëndijën e Tetovës. “Panorama Sport” mëson se trajneri 43-vjeçar është dëshirë e Flamurtarit në Shqipëri. Dhe kjo nuk është hera e parë që emri i tij del në skenë te kuqezinjtë. Edhe më parë është kërkuar nga Flamurtari, por pa arritur akordin.

Beqiri ishte pjesë e Shkëndijës që nga janari i vitit 2024. Gjatë kësaj periudhe fitoi titullin kampion, si edhe u bë pjesë e historisë duke shkuar për herë të parë në grupet e Europës. Tekniku i lindur në Tetovë shijoi kompeticionin e Ligës së Konferencës.
Në Shqipëri, por edhe te Flamurtari, do të ishte rikthim për të. Ishte sezoni 2017/18, kur qëndroi si ndihmës i trajnerit Shpëtim Duro në Vlorë. Edicioni 2021/22 e pa me Bylisin duke fituar titullin kampion në Kategorinë e Parë.
Flamurtari do të jetë pikërisht pjesë e Kategorisë së Parë gjatë edicionit të ardhshëm. E ardhmja e trajnerit Andi Ribaj nuk është konfirmuar deri tani.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













