EKSKLUZIVE/ Portieri Abalora hedh “dorashkën”: Duam kualifikimin në Shkodër, Elbasani e kalon Vllazninë
Razak Abalora u bë protagonist për Elbasanin në barazimin e së premtes ndaj Vllaznisë.
Portieri afrikan i verdhebluve, përveç se priti një 11-metërsh të Bekim Balajt, kreu edhe disa pritje vendimtare gjatë ndeshjes. Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes me shkodranët, Abalora është shprehur për pikën e marrë në stadiumin “Loro Boriçi”. Ai ka theksuar se Elbasani kërkon të ngjitet më lart në renditje dhe po ashtu do të kërkojë kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë të martën po ndaj Vllaznisë.
Abalora, si do ta komentonit barazimin e marrë në Shkodër ndaj Vllaznisë?
Besoj se ishte një ndeshje e barabartë, ku të dyja ekipet shfaqën gjëra të mira. Një pikë në transfertë ndaj ekipeve kryesuese dhe sidomos ndaj Vllaznisë, nuk është kurrë keq.
Për çfarë lufton Elbasani, për zonat e larta të renditjes apo për të siguruar qëndrimin në Superiore?
Qëllimi ynë i vetëm është të ngjitemi sa më lart në renditje, të afrohemi me katërshen e parë. Mbijetesën as që e mendojmë, jemi për sipër në tabelë dhe kemi mundësi për këtë.
Performancë e shkëlqyer individuale nga ju, sa i kënaqur?
Jam i kënaqur, sepse i shërbeva ekipit për të marrë pikë. Pastaj, portierët për të shmangur golat janë (qesh). Por e rëndësishme është që Elbasani u shfaq mirë në total dhe unë isha në sinkron me pjesën tjetër të lojtarëve.
Megjithatë, nuk u zgjodhët ju si lojtari i ndeshjes…
Këto i vendosin organizatorët e garës, personat përgjegjës. Unë kam për detyrë të shfaqem në nivelin tim maksimal në çdo ndeshje dhe po ashtu jam i lumtur për këdo që ka dalë “njeriu i ndeshjes”.
Të martën luani sërish në Shkodër, por kësaj radhe për Kupën e Shqipërisë. Si e prisni këtë sfidë?
Luajmë përsëri këtu në Shkodër dhe do të synojmë kualifikimin, pse jo. I kemi mundësitë dhe cilësitë për ta bërë një gjë të tillë. Thjesht do të duhet të jemi të përqendruar dhe të japim më të mirën tonë
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













