EKSKLUZIVE/ Orges Shehi te Partizani? Gati rikthimi i bujshëm në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2025 | 23:30

EKSKLUZIVE/ Orges Shehi te Partizani? Gati rikthimi i bujshëm në Superiore

Orges Shehi nuk ka pasur asnjë bisedë konkrete deri tani, për të qenë trajneri i ri i Partizanit. “Panorama Sport” mëson se nuk është asgjë e vërtetë, në lidhje zërat që e dërgojnë durrsakun te “demat”. Në anën tjetër opsion real për të mbetet klubi i Teutës, që pësoi humbje tronditëse në javën e fundit.

WhatsApp Image 2025-11-14 at 02.35.41

DORËHEQJA- Orges Shehi ka paraqitur dorëheqjen te Ballkani, edhe pse ekipi po bënte mjaft mirë krahasuar me kundërshtarët e kampionatit. Megjithëse u tha se do të vazhdojë deri në fundin e dhjetorit, palët pritet të ndajnë rrugët më parë. Shehi nuk është paraqitur në seancën e fundit stërvitore me skuadrën, për këtë mbetet në dyshim. Me të në krye, Ballkani e mbylli edicionin e kaluar si nënkampion pas largimit të Artim Pollozhanit që e la ekipin si ven i tretë. Ky edicion e sheh Ballkanin me 23 pikë pas 13 javëve, ose ndryshe 3 pikë më pak se Prishtina kryesuese që duhet të luajë ndeshjen e prapambetur me Dritën.

TE PARTIZANI- Shehi u emërua te Partizani në dhjetorin e vitit 2023, ndërsa në fund e mbylli si nënkampion duke humbur ndaj Egnatias në finalen e “Final Four”. Tronditëse para muajit maj ishte disfata me penallti në Kupë ndaj Kukësit, pas së cilës u tha edhe se paraqiti dorëheqjen në klubin e kuq. Megjithatë “demat” nuk e pranuan vendimin dhe vazhduan me Shehin në krye edhe për disa muaj. Ishin ditët e para të gushtit, në të cilat u vendos përfundimisht për shkarkimin e ishportierit te Partizani. Një “ish” për të kuqtë, që nuk pati eksperiencën më të mirë të mundshme. Partizanin e drejtoi konkretisht në 26 ndeshje ku fitoi 13 prej tyre, ndërsa humbi tetë dhe barazoi pesë. Në Superiore grumbulloi 31 pikë në 18 takimet e tij. Partizani u eliminua në Europë përgjatë turit të dytë të Ligës së Konferencës, pikërisht nga Iberia e Gjeorgjisë. Largimi erdhi pas ndeshjes së dytë në Elbasan(0-0), ndërsa vetë Shehi shprehte pakënaqësi për merkaton duke larguar përgjegjësitë nga vetja.

DEKLARATA- “Nuk jam përgjegjës për merkaton. Kemi nevojë për ndërhyrje, na duhen lojtarë. Maget me shumë mundësi mund të lëvizë. Largimi i Muratajt na sjell nevojën për lojtarë të rinj. Na duhen edhe dy lojtarë krahësh. Gjithë vitin luhet për të ardhur këtu. Kur ke kështu problematikash, eliminohesh në turin e dytë. Gjithsesi nuk duhet t’i ngarkojmë psikologjikisht çunat. Duhet të konfigurohemi për kampionatin dhe të vazhdojmë punën”, ishin fjalët që duket se ftohën përfundimisht marrëdhënien me drejtuesit. Te Partizani ishte Arbër Abilaliaj si drejtor sportiv, ndërsa largimi i Shehit erdhi pak ditë më vonë nga deklarata pas eliminimit nga Iberia.

KRAH DREJTUESVE- Shehi është shfaqur dy herë në pak ditë, krah drejtuesve të Teutës dhe Tiranës. Fillimisht u pa në stadiumin “Niko Dovana” duke ndjekur ndeshjen Teuta-Partizani(2-3). Më pas ishte një foto e kësaj jave me Omer Bunjakun, që ndezi zërat në kampin e Tiranës. Me drejtorin sportiv të bardhebluve, Shehi ka punuar për disa muaj te Ballkani. Nga ajo eksperiencë duke se është ruajtur një marrëdhënie e mirë.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL