EKSKLUZIVE/ Nga stoli në yll, Insa Boje ndez “Elbasan Arenën”! Senegalezi: Kisha vetëm një gjë në mendje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2026 | 15:48

EKSKLUZIVE/ Nga stoli në yll, Insa Boje ndez “Elbasan Arenën”! Senegalezi: Kisha vetëm një gjë në mendje

Elbasani duket se ka zbuluar një yll të ri. Debutimi i Insa Bojes me fanellën verdheblu ishte nga ata që rrallë shihen. I futur nga stoli në ndeshjen ndaj Teutës, sulmuesi arriti të shënojë dy gola dhe të kthehet menjëherë në protagonist, duke ndezur entuziazmin te tifozët dhe duke dhënë sinjale të forta për të ardhmen.

boje

Pas kësaj paraqitjeje mbresëlënëse, Boje ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke treguar emocionet e debutimit, mënyrën se si e përjetoi ndeshjen dhe ambiciet e tij me Elbasanin. Me fjalë të qeta, por plot besim, mesfushori tregon se hyri në fushë me një ide të qartë për të ndihmuar ekipin dhe se ky fillim është vetëm hapi i parë drejt objektivave më të mëdha që ka vendosur me klubin.

Në intervistën e dhënë, sulmuesi ndalet te mbështetja e familjes, roli i shokëve të skuadrës, atmosfera brenda grupit dhe synimet për të ardhmen, duke konfirmuar se Elbasani jo vetëm ka fituar një ndeshje të rëndësishme, por edhe një lojtar me mentalitet fitues dhe ambicie të mëdha.

Debutimi yt me Elbasanin ishte ëndrrash. U fute në lojë dhe shënove dy gola. Çfarë emocionesh përjetove në ato momente dhe sa i veçantë ishte ky start për ty? Jam shumë i kënaqur, sinqerisht është diçka e madhe. Jam i lumtur që luajta ndeshjen time të parë dhe shënova dy gola, është e pabesueshme.

A e kishe imagjinuar ndonjëherë një debutim të tillë, apo futja në fushë kishte thjesht synimin për të ndihmuar ekipin? Qëndrova në stol, e ndoqa ndeshjen, pashë dobësitë e kundërshtarit dhe doja t’i thosha trajnerit të më fuste në lojë, por nuk munda. Megjithatë, kisha një ide në mendje: të hyja në fushë, të tregoja çfarë di dhe të shënoja.

Kujt ia dedikon këta dy gola? Ka ndonjë person të veçantë që të erdhi menjëherë në mendje pas përfundimit të ndeshjes? Çdo herë mendoja për babain tim; ai më jep këshilla dhe më ndihmon në shumë gjëra, po ashtu edhe stafi i Elbasanit.

Cili ka qenë urimi ose mesazhi më i bukur që ke marrë nga shokët e ekipit apo familjarët pas kësaj paraqitjeje? Shokët e skuadrës ishin të kënaqur; më ndihmuan shumë dhe të gjithë janë të lumtur. Familja dhe miqtë e mi më shkruan të gjithë; sinqerisht, edhe ata ishin të kënaqur.

Si e përjetove ndeshjen ndaj Teutës nga brenda fushës dhe çfarë mendon se bëri diferencën në ato minuta kur u fute në lojë? Kisha vetëm një gjë në mendje: të hyja në lojë dhe të shënoja për të fituar për ekipin.

Si po ndihesh te Elbasani në këto javë të para? Si është ambienti dhe marrëdhënia me shokët e skuadrës dhe stafin teknik? Këtu në këtë ekip, lojtarët janë të sjellshëm dhe po ashtu edhe trajnerët. Sinqerisht, ata më ndihmojnë të përmirësohem dhe më pëlqen atmosfera dhe mentaliteti në këtë grup. Me këtë atmosferë dhe këtë mentalitet, mund të shkojmë më larg.

Vjen tani një ndeshje shumë e fortë në Kupë ndaj Partizanit. Si po e përgatitni këtë sfidë dhe çfarë pret personalisht nga kjo përballje? Një ndeshje kupe nuk është kurrë e lehtë, por ne jemi të fokusuar për të dhënë maksimumin dhe me grupin që kemi, do të shkojmë më tej.

A mendon se kjo ndeshje mund të jetë një tjetër mundësi e mirë për të treguar vlerat e tua dhe për të ndihmuar ekipin të shkojë më tej në Kupë? Kjo është ajo që më solli këtu. Kam ardhur për të ndihmuar ekipin dhe do të japim gjithçka për ta fituar këtë ndeshje, dashtë Zoti.

Çfarë synimesh ke vendosur për veten me fanellën e Elbasanit, si në aspektin personal ashtu edhe me ekipin? Kam ardhur këtu për të ndihmuar ekipin të ecë përpara; fitimi i trofeve dhe pjesëmarrja në kompeticione të mëdha evropiane është qëllimi që i kam vënë vetes që kur erdha këtu.

Një mesazh për tifozët e Elbasanit që të përkrahën që në ndeshjen e parë dhe festuan dy golat e tu… U thashë të vazhdojnë të na mbështesin; falë tyre ne luftojmë dhe kur i dëgjojmë, ata na motivojnë, na japin forcë dhe jam shumë i lumtur për mbështetjen e tyre. Forca Elbasani.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL