EKSKLUZIVE/ “Lojtarët e Flamurtarit të mos mendojnë për paratë”, legjenda Vasil Ruci kundër shkarkimit të trajnerit: Nuk është koha e duhur
Vasil Ruci analizon nisjen jashtë pritshmërive të Flamurtarit. Për legjendën e futbollit vlonjat, shkak është bërë fakti se idetë e trajnerit Karlos Garsia ende nuk janë gërshetuar me aftësitë e lojtarëve. Për “Panorama Sport”, Ruci thotë se skuadra ka ngërç dhe në këto javë nuk ka pasur një formacion stabël. Ish-trajneri dhe ish-futbollisti i njohur thekson se skuadra ende nuk po nxjerr një lider që ta udhëheqë.

Ai mendon se ndryshimin e ka në dorë vetë trajneri Garsia. “Flamurtari e ka brenda elementin. Janë disa arsye për të cilat nuk ka arritur të marrë pikët që i nevojiteshin dhe të paktën psikologjikisht të vazhdonte këtë kampionat. Duket se ka një ngërç, por puna e rëndësishme është te trajneri. Gjithë barra bie te ai. Thonë se Karlos Garsia është një trajner i mirë dhe unë, me sa kam dëgjuar, ai punon goxha mirë në problemet taktike. Por e rëndësishme për një trajner është se si duhet t’i ndërthurë aftësitë e lojtarëve me idetë që ka në mendje. Këtu besoj se është ngërçi. Po ta shikosh, edhe gjatë gjithë javëve ka pasur ndryshime të mëdha në formacion.
Shikohet që nuk është stabël akoma trajneri me idetë e tij që të arrijë të gërshetojë aftësitë e lojtarëve dhe të arrijë të ketë rezultat. Flamurtari duhet që patjetër të krijojë liderë në ekip. Duke qenë se janë të gjithë të huaj, akoma nuk po shfaqet lideri. Të paktën një ose dy liderë duhen që të dinë të fusin frymën e ekipit dhe të japin çfarë i nevojitet atij ekipi. Besoj se ajo që nuk ka shkuar te Flamurtari deri më tani ka qenë ndërthurja e aftësive të lojtarëve me idetë e trajnerit. Në momentin që do të ndërthuren këto të dyja, besoj se skuadra do t’i ketë pikët e duhura”, tha fillimisht Ruci.
KUNDËR LARGIMIT TË TRAJNERIT – Vasil Ruci nuk radhitet te shumica e opinionit që kërkon largimin e trajnerit Karlos Garsia pas dështimit në nisjen e kampionatit. Ai mendon se një ndryshim në pankinë mund t’i bëjë gjërat edhe më keq. Për legjendën vlonjate, ekipi kërkon përkrahje për të kapërcyer këtë ngërç. “Akoma nuk ka ardhur koha që ne të bëjmë këto lloj ndryshimesh, për arsye se investimet janë bërë, por nuk duhet të prishen akoma më keq. Flamurtarit tani i duhet më shumë morali. Skuadra do më shumë angazhim, më shumë përkrahje që të dalë nga ky ngërç. Elementin e ka. Besoj se aty e vetmja gjë është përzgjedhja që do të arrijë një formacion stabël, me lojtarët dhe me idetë që ai ka”, shprehet ish-trajneri.
PËR LOJTARËT – Legjenda e futbollit vlonjat ka edhe një mesazh për futbollistët. Sipas Rucit, ata nuk duhet të mendojnë për lekët, por për t’i vendosur aftësitë në shërbim të ekipit. “Unë besoj se deri tani futbollistët janë munduar të justifikojnë lekët me aftësitë. Por ka ardhur koha që të mos mendojnë për lekët, por të mendojnë që aftësitë t’i vënë në shërbim të ekipit dhe jo në shërbim të vetes së tyre”, deklaron Ruci.
ANALIZA E KAMPIONATIT – Vasil Ruci i bën një “skaner” Superiores këtë sezon. Mendon se është një kampionat konkurrues. Sipas tij, skuadrat janë të forta, por jo shumë cilësore. “Më duket një kampionat konkurrues. Ekipet janë bërë shumë të forta, por jo shumë cilësore. Skuadrat janë forcuar shumë. Po vijnë edhe njerëz në stadium dhe kjo është një gjë e mirë për kampionatin. Nuk besoj se do të jetë kështu renditja. Ekipet gjatë rrugëtimit të tyre do të kenë shumë ndryshime. Nuk ka ekip të dobët në këtë kampionat.
Unë besoj se edhe ekipet që janë në fund të tabelës së klasifikimit gjatë rrugës do të rregullohen. Patjetër që do të bëhet akoma edhe më konkurrues, por meraku që unë kam është se ky kampionat duhet të jetë akoma më cilësor. Ka një ndryshim nga formula e vjetshme. Besoj se katër ekipet që dalin në finale do të bëjnë një kampionat të vogël midis tyre dhe aty do të përcaktohen shumë gjëra. Nuk do të ketë diferenca, për arsye se përveç Egnatias, ekipet e tjera janë rritur cilësisht. Elbasani është bërë ekip i mirë, Teuta ekip shumë i mirë. Pretendoj që edhe Flamurtari të ngrihet dhe besoj se do të ngrihet”, përfundon Ruci.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













