EKSKLUZIVE/ “Le të marrin shembull nga Igli Tare”, Marko analizon “nëndetësen” dhe Superioren: Te Dinamo duhet parë sa punon trajneri (E PLOTË)
Dinamo u rikthye te fitorja në derbi, duke mundur Tiranën dhe duket se në kampin blu, është rikthyer qetësia dhe tashmë mund të diskutohet sërish për çështjen titull.

Ish-trajneri dhe ish-futbollisti i “nëndetëses”, Andrea Marko në një intervistë për “Panorama Sport” u shpreh Dinamo e ka kualitetin për të luftuar për titullin kampion. Marku u ndal edhe te Superiorja si edhe rivalët e mundshëm në luftën për titull.
Profesor, e ke ndjekur Dinamon këtë sezon, si të është dukur në këto pesë javët e para?
Shiko, prezantimi shumë i mirë në Kupat e Europës, sidomos paraqitja në Ligën e Konferencës, besoj se i krijoi Dinamos një portret shumë ambicioz, shumë egoist, një skuadër e cila tashmë nuk e ndjen më pjesën e inferioritetit.
Një skuadër e cila i ka shpalosur tashmë, bukur dhe mirë besoj objektivat e saj. Nuk ka ekzagjerime në pjesën e pretendimeve që Dinamo ka. Është një skuadër e cila ka formuar një grup, kuptohet se kampionati dhe kupa kanë ndryshim të madh dhe diferencat janë të dukshme sepse kalon nga një lloj mënyre të stërvituri, në një lloj mënyre tjetër të interpretimit të lojës ndryshe nga kampionati shqiptar.
Unë i kam ndjekur të gjitha ndeshjet, besoj se është një skuadër kompakte, ka humbur dy ndeshje, sidomos me Elbasanin, ku për një moment mu duke një vendosje e gabuar, sidomos e skuadrës në pjesën e një goditje nga këndi ku, pjesa euforike e Dinamos për të fituar në Elbasan ishte e madhe dhe e gabuar. Në këtë mënyrë, ngeli me një lojtar mangët.
Kështu që, ajo ishte një ndeshje që mund të menaxhohej shumë më mirë. Një tjetër ndeshje, ishte ajo në Durrës ku sërish tregoi inferioritet. Ishte një gol i dyshimtë, mund pastaj ishte apo jo pozicion jashtë loje është tjetër gjë. Ajo dhe ndeshja me Elbasanin janë dy humbjet, të cilat duheshin patjetër rikuperuar dhe fitorja me Tiranën sikur i dha një mundësi tjetër edhe një tjetër mundësi menaxhimi për pjesën e mbetur të sezonit.
Këtë javë përballet me Flamurtarin. Si e parashikon këtë ndeshje, duke parë kushtet në të cilat Flamurtari ndodhet?
Këto ndeshje kampionati janë vetëm fillimi. Kuptohet që rezultatet negative i mobilizojnë skuadrat të cilat kanë mungesë pikësh, kështu që do të jetë një ndeshje e vështirë për Dinamo në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Është një ndeshje që do të luhet në mesditë. Besoj që Dinamo duhet ta shfrytëzojë këtë momentin e krizës së Flamurtarit dhe duhet të shënojë shumë shpejt, në mënyrë që pastaj të menaxhojë lojen, kurse Flamurtari do të vijë i uritur për pikë, kështu që do të jetë një ndeshje e fortë, ndeshje delikate. Besoj që emrat e mëdhenj që kanë, dhe që përfaqësojnë këto dy klube, mbase e zbukurojnë pak ndeshjen. Megjithatë, mendoj se më favoriote për të fituar këtë sfidë dhe më superiore, mbetet Dinamo.
Pas ndeshjes ndaj Tiranës, Daja u shpreh i pakënaqur me merkaton e klubit. Juve personalisht, si ju duket merkatoja e Dinamos?
Këtu është një problem tjetër, nuk është pjesa e merkatos, por është pjesa komerciale, pjesa e biznesit. Në qoftë se një klub duhet që të menaxhojë shumë mirë një kampionat, me pjesëmarrje në Kupat e Europës, padyshim që duhet të ketë afrime por duhet që të kete edhe financa shumë të sigurta, financa të cilat qëndrojnë dhe që mund të të ndihmojnë në ecurinë dhe në zhvillimin e përgjithshëm të skuadrës. Besoj se dy lojtarët, të cilët ishin sulmuesit kryesorë , u larguan kuptohet që është një politikë e klubit dhe politikë e presidencës, për të arritur në pjesën e asaj që thashë më përpara. Kështu që unë besoj se pjesa menaxheriale duhet të bashkërenditet me pjesën e trajnerit.
Trajneri ka kërkuar lojtarët, të cilët kuptohet që mund t’i bëjnë punë skuadrës, por i janë larguar dy lojtarët me të cilët ai punoi dhe gjeti një lloj harmonie dhe krijoi një lloj grupi, të cilën është si puna e saj që, po i hoqe një krah dikujt dhe po i hoqe një këmbë, kuptohet që është shumë vështirë për t’u rikuperuar. Megjithatë, besoj se politika e Dinamos, për mendimin tim është shumë mirë. Janë forcuar shumë mirë, me gati dy milionë e gjysmë euro të marra prej sezonit besoj se nuk është keq.
Kështu që besoj se Dinamo do të bëjë një merkato të fuqishme, por pjesa më e dukshme është pjesa se sa do të punojë trajneri, stafi i tij me skuadrën, me lojtarët që gjithmonë të ngrejë lojtarët e tij më cilësor dhe ti nxjerrë në treg që të ketë gjithmonë vazhdimësi dhe besueshmëri në pjesën e skuadrës. Kështu që pjesa e merkatos ka shumë sekrete brenda, ka shumë gjëra të cilat nuk është momenti për t’i zgjatur ose për t’i thënë se si po bëhet markato , kush janë menaxherët, kush ishte drejtori sportiv që interesohet direkt. Le të marrin shembull nga Igli Tare se edhe mund t’i mësojë pak dhe ai.
A mendon se Dinamo këtë vit është realisht pretendente për titull kampion dhe kë ka rivalin ndoshta më të vështirë?
Shiko fillimi i kampionatit është gjithmonë një fillim i cili, dashje padashje fillon e krijon atë pjesën e skuadrave pretendente, të cilat mundohen ta nisin kampionatin me start të fuqishëm. Kuptohet që kampionati është maratone, kështu që në këtë gjatësi kohore është e vështirë të parashikosh. Gjithmonë skuadrat e tjera kanë pretenduar. Kam përshtypjen që Egnatia është egoistë dhe gjithmonë me pretendentëve, e kënaqur me dy herë kampione dhe fituese e Kupës, kështu që do të jetë një skuadër që do të vazhdojë të kërkojë, sepse tashmë ka krijuar një lloj eksperiencë. Është Vllaznia, e cila është e etur për t’u bërë kampione dhe ka shumë vite.
Domethënë që edhe ajo mund t’i plotësojë kushtet. Është Elbasani, i ringritur me tifozët, stadiumin, me presidencën me financat, me afrimin e lojtarëve me egoizmin e vet, është edhe Dinamo. Besoj që mund të futet Teuta, te e cila presidenca ka zgjedhur një staf të mirë dhe lojtaret Besoj se kanë një dëshirë dhe një entuziazëm në këtë fillim të kampionatit, kështu që pak a shumë deri tek kjo pesëshe, sepse dhjetë skuadra janë, dy të fundit, kanë ngelur me dy pikë.
Bylisi dhe Vora nuk besoj të jenë skuadra pretendente në katërshe, kështu që deri këtu. Për Partizanin besoj që e ka shumë të vështirë, sepse ka bërë një fillim jo të mirë. Eshtë eliminuar shumë shpejt nga Kupat e Europës. Nuk ka bërë blerje të mira. Lojtarët nuk e njohin peshën e fanellës. Grupi është pa u konsoliduar. Kështu që besoj unë këto pesë skuadra të para të janë të ashtuquajtura për momentin pretendentë për të qenë kampionë.
Analizën e Partizanit, e bëtë. Po me Tiranën, çfarë nuk po shkon?
Shiko, Tirana nuk e ka grupin e keq. Tirana ka problemin e një mentaliteti, të cilin duhet ta njohin mirë lojtarët. Çfarë përfaqëson fanella e Tiranës? Çfarë është Tirana? Çfarë historiku ka Tirana? Kush është lojtari i grupit që përfaqëson Tiranën? Çfarë kërkojnë tifozët e njerëzve të Tiranës apo sportdashësit e Tiranës? Ata është tepër e vështirë për tu shkrirë kjo lloj ideje me idenë e të dashur të Tiranës ose fanellës të Tiranës me pjesën e lojtareve, të cilët pak a shumë i lidh vetëm interesi me Tiranën. Kështu që është një grup lojtarësh cilësor.
Nuk e di se si e kam ndjekur pjesën e ardhjes dhe prurjes së lojtarëve. Nuk e di se çfarë lloji mënyre dhe çfarë lloje interesash janë ndërthurur aty dhe çfarë lloj ekipi dhe çfarë lloj skuadre. Në qoftë se do të krijosh skuadër egoiste ose skuadër tipike sulmuese, duhet të jesh me mesfushorë shumë të fortë dhe me sulmues që shënojnë gola.
Tirana nuk i ka këto, i mungojnë. Tirana ka pjesën e potencës. Nuk është ekip që mund të kalojë në skuadra inferiore, skuadër e cila për mua do të ringrihet, do ngrihet shpejt. Nuk besoj që ka një moment psikologjik të dobët. Ka një moment psikologjik i cili e ka nxjerrë jashtë linje në pjesën e pretendimit për qenë në krye, sepse tashmë në fund të fundit kur mbaron një kampionat, të gjitha ekipet shikojnë renditjen. Nuk shikojnë se çfarë loje kanë bërë. Kështu që Tiranës më tepër i duhet të marri pikë që të marrë pikë. Tirana duhet të ketë besueshmëri dhe besueshmëria duhet të ketë grupin. Kështu që besoj se do jep pak kohë të kolaudohet.
Do pak kohë që të mundohet të shkrijë elementët cilësore, që mund të kenë individë të caktuar me grupin dhe besoj se mund të arrijë, por të paktën për momentin i duhen piket edhe për Partizanin se duhen pikët sepse pikët janë kthejnë pjesën e kësaj jo të moralit, por kthejnë në pjesën e një besueshmërie që të mos kalojnë në pjesën inferiore, po të kalojnë në pjesën e pretendimit. Kështu që besoj edhe Tirana ka shumë për të bërë.
Do shumë punë, po këto raporte psikologjike janë shumë të vështira nga sepse sjell ngërçe sepse lojtarët i ke, kondicionin fizik e ke të gjitha gjërat e tjera e ke dhe pastaj ngec ke këtë raportin psikologjik. Është moment vendimtar për skuadrën, kështu që besoj se Tirana mundet. Mundet të bëjë diçka por duhet të marrë pikë.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













