EKSKLUZIVE/ “Ky ekip ka identitet dhe i vërtetë”, ish-kampioni Deliu: “Final 4” është objektivi, Elbasani të synojë titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2025 | 10:28

EKSKLUZIVE/ “Ky ekip ka identitet dhe i vërtetë”, ish-kampioni Deliu: “Final 4” është objektivi, Elbasani të synojë titullin

Luan Deliu është një nga figurat më të rëndësishme të historisë së futbollit elbasanas. Kampion me Elbasanin në vitin 1984 dhe një emër i respektuar si futbollist dhe trajner, ai vazhdon të mbetet një zë autoritar kur flitet për verdheblutë dhe zhvillimet e tyre sportive.luan deliuPërvoja e tij e gjatë dhe lidhja e fortë emocionale me klubin e kanë bërë shpesh një pikë referimi për opinionin sportiv në qytet dhe më gjerë. Në një periudhë ku Elbasani po paraqitet si një nga ekipet më të qëndrueshme dhe më interesante të kampionatit, vlerësimi i një ish-kampioni merr peshë të veçantë.

Deliu i njeh skuadrës meritën jo vetëm për rezultatet, por për mënyrën se si po ndërtohet mentaliteti, struktura dhe harmonia e brendshme, tre elementë që sipas tij përcaktojnë suksesin në planin afatgjatë. Në këtë intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai analizon ecurinë e skuadrës, rolin e drejtuesve, punën e stafit teknik, forcën e grupit dhe pritshmëritë për të ardhmen. Luan Deliu flet me entuziazëm, me bindje dhe me krenarinë e dikujt që e ka përfaqësuar këtë klub në nivelet më të larta.

Z. Deliu, cili është vlerësimi juaj për Elbasanin e këtij sezoni?

Aktualisht kam komplimentat më të mëdha për Elbasanin, pasi po na bën krenar edhe neve si ish-futbollistë, por edhe thjesht si tifozë apo qytetarë të këtij qyteti. Elbasani është në një rrugë të mbarë dhe këtë e kam thënë edhe në intervista të tjera. E them këtë sepse është formuar një mentalitet dhe grup, të cilët po punojnë shumë mirë.

Ku qëndron sekreti i kësaj ecurie pozitive?

Puna nis që te presidenti dhe drejtori i klubit, duke afruar lojtarët që duhen dhe duke qenë korrekt me ta në të gjitha drejtimet. Vazhdon me stafin drejtues, me në krye trajnerin, që kanë bërë jo vetëm punë fizike, por edhe shkencore. Dua të them që ekipi i Elbasanit ka një mentalitet loje dhe hyn të luajë me synimin për të fituar. E treta, është korrektësia e drejtuesve të klubit, pasi kanë harmoni mes tyre dhe kjo reflektohet te të gjithë të tjerët. Kanë qenë korrektë në anën ekonomike apo në faktorë të tjerë që prishin ekuilibrat në një klub. E fundit, është tifozëria që na mbështet dhe kam një falënderim të jashtëzakonshëm, pavarësisht se mund të mos jem dakord me ndonjë gjë të vogël. Por tifozëria jonë duhet ta ndiejë veten krenare, ashtu si edhe ne që i kemi ata.

Si e keni parë deri në këto momente?

Kampionatin e kam parë me pozitivitet, për arsye se gjatë kësaj periudhe oshilacionet që mund të krijojë loja e futbollit, ne i kemi pasur të lehta dhe kemi ditur të reagojmë për të ndryshuar situatën. Kjo ka qenë ana pozitive e jona. Meqenëse jemi para ndeshjes me Vorën, po ju marr një shembull. Atëherë Elbasani krijoi një hap fals kur u mund, por që diti të reagojë, të ndryshojë dhe të kalojë në rezultatet pozitive.

Si e vlerësoni grupin aktual të skuadrës?

Grupi nuk janë vetëm lojtarët, por i gjithë klubi. Shoh që kanë komunikim me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha kuptim. Janë një grup lojtarësh prej 20 vetësh që luajnë shumë lirshëm dhe kjo është harmonia e krijuar mes të gjitha hallkave në grup.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për të ardhmen?

Në lidhje me të ardhmen, unë shoh jo vetëm për objektivin “Final 4”, por të shkohet edhe më lart. Unë dua që të vazhdojnë kështu, të duan dhe respektojnë njëri-tjetrin, të kenë një kolektiv se është mirë, sepse edhe ne ndihemi krenarë kur i shohim. Presim që pas kaq shumë vitesh ky qytet të festojë, të ketë krenarinë e vet në futboll, të shohim ndeshjet ndërkombëtare në stadiumin tonë dhe e them me plot bindje se do t’ia arrijmë këtij objektivi.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL