EKSKLUZIVE/ “Kur e shpëtova ishte më keq se sot”, Shpëtim Duro: Flamurtari po vuan gabimet e verës! Në Kategorinë e Parë është skandal fare
Shpëtim Duro e di se si shpëtohet Flamurtari. Ai ishte “shpëtimi” i 10 viteve më parë që e nxori skuadrën nga situata, që sikundër thotë ishte edhe më e vështirë se aktualisht. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Duro thotë se është e pakonceptuar që presidenti Idrizi të bëjë investimeve kolosale, por të mos i shpërblehet nga njerëzit që bëjnë merkaton.

Sipas ish trajnerit gabimet janë bërë që në verë. E shikon të komplikuar situatën te Flamurtari me hyrjen në lojë edhe të Tiranës. Ai komenton edhe kampionatin por edhe trajnerët e lojtarët e huaj, me të cilët nuk është shumë dakord.
Profesor si e shikoni Flamurtarin e këtij sezoni?
Më vjen keq për Flamurtarin pasi para disa viteve kam punuar 1 vit e gjysmë aty dhe ruaj konsiderata të jashtëzakonshme si në aspektin profesional por edhe njerëzor për atë që kalova në Vlorë. Nga pjesa e presidencës ju e njihni më mirë situatën aty se sa mua nga larg. Investimet nga presidenca kanë qenë të jashtëzakonshme. Por mënyra se si bëhen investimet është punë tjetër sepse ka të tjerë që merren me merkaton, lojtarët e ardhur, trajneri.
Më vjen keq për Flamurtarin se është një ndër skuadrat më të investuara në këtë sezon. Por kanë bërë gabime dhe ato kanë filluar që në verë me zgjedhjen e trajnerit. Një trajner pa përvojë fare, nga një ambient tjetër. Një skuadër që sezonin e kaluar kishte lojtarë me përvojë dhe u ndërtua shumë keq. Ishin lojtar me CV por jashtë realitetit në Shqipëri. Ato gabime që janë bërë në verë unë them që Flamurtari po i vuan tani.
Ish trajneri Garsia thoshte që lojtarët nuk ishin përshtatur, ndërsa Moriero thotë se nuk ka cilësi. I shikoni si justifikime?
Përgjegjësinë kryesore e kanë në verë. Unë nuk e kuptoj si nuk e paska përgjegjësinë ai trajner që i vijnë gjithë ata futbollistë. Trajneri që nuk është në dijeni për merkaton është inekzistent. Ne kemi ndërtuar skuadër. Unë isha protagonist kryesor i lojtarëve që erdhën atëherë te Flamurtari dhe bëmë një skuadër shumë të mirë. Pavarësisht problemeve që ndodhën dhe janë të jashtme. Me Morieron skuadra ka ndryshuar, është më në ekuilibër, ka cilësi.
Por vuan atë problematikë të fazës së parë. Flamurtari do ta ketë shumë të vështirë pasi tani duhet të sakrifikojnë më shumë. Nuk vlejnë më as barazimet, pasi u fut edhe Tirana në valle dhe është një situatë jashtëzakonisht e komplikuar. Klubi iu është përgjigjur trajnerëve. Se kush e ka ndërtuar skuadrën unë nuk jam në dijeni, por secili duhet të marrë përgjegjësinë e tij.
Kur keni ardhur te Flamurtari 10 vite më parë ishte si në këtë periudhë, situata ka qenë si sot, apo jo…?
(Qesh) Jo, jo ka qenë më e vështirë. Edhe si skuadër nuk ishte kjo. Nuk kishte kaq investime.
Si mund të shpëtojë Flamurtari?
Ajo ka qenë situata më e sikletshme për mua sepse nuk ishte e lehtë që të përfundonte Flamurtari në Kategorinë e Parë, do të ishte një njollë shumë e madhe. Shpëtimi i Flamurtarit nga rënia nga kategoria ka qenë një sukses shumë i madh për mua. Tirana ishte superskuadër dhe ishte 9 pikë kur e kam marrë unë drejtimin e Flamurtarit.
Nëse Shpëtimi mund të na shpëtojë, pse nuk vini në Vlorë?
Flamurtari e ka trajnerin. Po ju keni edhe trajnerë aty në Vlorë. Nëse do të ishte periudha e verës edhe mund të vija, sepse punohet me strategji.
Profesor jeni në formë për të trajnuar?
Unë jam në formë. Dua të punoj. Deri para dy vitesh u shpalla kampion me Maqedoninë e Veriut. Isha në Europë. Bëra një gabim në zgjedhje sepse ne si trajnerë edhe do gabojmë ndonjëherë për hir të miqësisë dhe shoqërisë. Unë jam në pritje. Dua të punoj, por se ku nuk i dihet.
Kemi 30 vite me këtë punë. Kemi qenë korrekt me lojtarë, ish lojtarë, ish bashkëpunëtorë, por normalisht që kemi edhe qejf mbetje. Kemi një jetë dhe kemi parë, po të vijnë trajnerë të një niveli…të huaj unë nuk e kuptoj si mund të bëhen këto zgjedhje. Mendoj se ky është problem i menaxherëve. Ai president që po investon shuma kolosale në Vlorë dhe të jetë Flamurtari në vendin e fundit unë nuk e konceptoj dot.
Cili është komenti juaj për kampionatin deri tani?
Tashmë skuadrat janë ndarë në pole. Janë katër skuadrat e para, tre skuadrat që vuajnë për mbijetesën si Bylis, Tirana dhe Flamurtari. Pak më të qeta janë skuadrat e mesit të renditjes. Them se katër skuadrat e para do të luftojnë deri në fund për titullin kampion.
Po cilësia e lojtarëve, e ndeshjeve si ju duket, a ka kualitet?
Është bërë një situatë konfuze me numrin e futbollistëve të huaj. Edhe në Superiore dhe në Kategorinë e Parë. Unë nuk jam shumë dakord, duhet limit. Ka skuadra që kanë cilësi, por ka edhe prurje dhe mbivendosje sidomos lojtarët e huaj që nuk bëjnë diferencën nga të vendasit dhe të rinjtë e akademive. Është bërë një situatë konfuze.
Në Kategorinë e Parë është skandal fare. Duel me 80% lojtarë të huaj. Unë them që nuk shkon dhe nuk i bën mirë futbollit. Kemi edhe lojtarë të talentuar siç ka Flamurtari. Unë kam parë aty dy-tre elementë cilësorë, por është problemi që i ngushtohen hapësirat me këtë rregull. Ka cilësi, por brenda tyre ka edhe lojtarë që nuk e justifikojnë.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













