EKSKLUZIVE/ Ishte shok skuadre me Armando Brojën te Çelsi, Tirana piketon transferimin e parë nga Polonia
Joseph Colley pritet të jetë transferimi i parë i Tiranës për edicionin e ri. “Panorama Sport” mëson se bardheblutë kanë arritur akordin me qendërmbrojtësin 27-vjeçar.

I lindur në Gambia dhe me pasaportë suedeze, Colley do të përforcojë repartin difensiv. Për herë të fundit ishte pjesë e Visla Krakov në Poloni ku luante që nga janari i vitit 2022.
Rinovimi i kontratës edhe për një sezon nuk erdhi, megjithëse ishte si opsion. Visla Krakov ndërkohë ishte pjesë e kategorisë së dytë të futbollit polak gjatë këtij edicioni.
Colley regjistron paraqitje edhe me Suedinë deri në grupmoshën U-19. Edhe te Çelsi luante me moshat ku në tre takime të sezonit 2018/19 ishin bashkë pjesë e skuadrës me Armando Brojën. Kievo Verona ishte një nga ekipet që po ashtu kishte kartonin e tij dhe e mbajti në stol për disa ndeshje të Seria B.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













