EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri tregon problemet e Tiranës, Erbim Fagu: Nuk është parë që kapiteni të…
Erbim Fagu, ish-trajneri i Tiranës dhe aktual isht pjesë e akademisë së ADO Den Haag në Holandë, ka folur për derbin e madh mes Tiranës dhe Partizanit që zhvillohet sot në mbrëmje.

Trajneri shqiptar, i cili këtë sezon ka nisur një aventurë të re në futbollin holandez, analizon gjendjen e bardhebluve, problemet e skuadrës dhe shanset për një fitore që mund të ringjallë besimin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Fagu ndalet edhe te rivaliteti i veçantë i derbit, mungesa e liderëve në skuadër dhe forca e kampionatit shqiptar.
Keni nisur një aventurë të re në Holandë… Këtë sezon firmosa në akademinë e ADO Den Haag me ekipin U19. Një hap shumë i rëndësishëm në karrierën time në Holandë, pasi ADO është një klub me histori, ku shumë trajnerë të rëndësishëm kanë nisur hapat e parë në këtë klub. Këtë sezon luajmë në divizionin më të lartë të futbollit në Holandë, ku niveli është vërtet i lartë, me ekipe si Ajaks, PSV, Fejnord etj. Kështu që mendoj që është një eksperiencë që do të më vlejë shumë në rritjen time profesionale.
E ke ndjekur Tiranën këtë sezon. Çfarë mendimi ke? E kam ndjekur disa ndeshje të Tiranës. Më vjen keq që ndodhet në vend të fundit. Uroj që të marrë veten sa më shpejt, pasi pikët e lëna tani mund të kushtojnë shumë në pjesën e dytë të sezonit.
E ke provuar derbin me Partizanin si trajner. Çfarë ndjesie të jep kjo ndeshje? Derbi mbetet gjithmonë ndeshje speciale. Atmosfera dhe emocionet që përcjell kjo ndeshje, nuk mund t’i falë ndonjë ndeshje tjetër në Superiore. Uroj që stadiumi të jetë i mbushur, pavarësisht pozitave që kanë ekipet në renditje.
Si e sheh derbin me Partizanin dhe a ka mundësi që Tirana ta fitojë këtë ndeshje? Në derbi gjithmonë janë brenda të tre rezultatet, pavarësisht gjendjes apo problemeve që mund të ketë një skuadër. Sigurisht që Tirana i ka mundësitë për ta fituar ndeshjen, por duhet të bëjë ndeshjen më të mirë të saj. Një fitore në derbi mund të kthejë besimin në skuadër për vazhdimësinë.
Tirana e ka nisur keq kampionatin dhe në 5 javë ka 2 pikë. Çfarë mendimi ke? Tiranën e shikoj në vështirësi këtë sezon më shumë se çdo sezon tjetër. Energjia, loja, dëshira që të përcjell gjatë ndeshjes për të fituar apo për të marrë maksimumin, nuk të bën të jesh optimist për të ardhmen. Shpresoj që trajneri i ri të ndikojë sa më shpejt te lojtarët dhe të kthehen te rezultatet pozitive.
Çfarë mendimi ke për faktin që skuadra ka ndryshuar sërish shumë në organikë? Tirana çdo sezon po ndjek të njëjtën strategji. Mendoj që problemi nuk është kualiteti i tyre, pasi ata kanë cilësi dhe kualitet. Problemi është që ata duhet të kuptojnë rëndësinë e fanellës dhe klubit ku po luajnë. Ata nuk duhet të mendojnë Tiranën si një ekip ku kanë ardhur vetëm për të marrë minuta dhe më pas të transferohen diku tjetër në fund të sezonit. Nëse aty nuk ka lojtarë që të marrin përgjegjësinë për ta kthyer klubin te fitoret, atëherë Tirana do të vazhdojë të jetë në ato pozita çdo sezon.
Tirana prej kohësh nuk ka një lider, tani kapiten është një i huaj. Ky është një problem i globalizmit në futboll apo diku tjetër? Përderisa te Tirana është një i huaj kapiten këtë sezon, nuk mendoj që përbën një problem të madh. Ideja është që kapiteni duhet ta bëjë skuadrën të jetë e bashkuar dhe të gjithë lojtarët të ndjekin kapitenin. Unë këtë gjë nuk e kam parë deri më tani te Tirana. Gjithashtu nuk shikoj një lider në fushë që të japë sinjale për skuadrën në këto çaste të vështira.
Kampionati shqiptar duket i fortë. Kush mund ta fitojë titullin? Këtë vit kampionati është vërtet i fortë, pasi janë 4-5 skuadra që do të luftojnë deri në fund. Me çfarë kam ndjekur deri më tani, Egnatia dhe Vllaznia kanë zhvilluar ndeshje shumë të mira. Gjithsesi, për mua Egnatia është më favoritja duke parë edhe organikën që e ka më të plotësuar se skuadrat e tjera.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













