EKSKLUZIVE/ Ish-mesfushori Patushi: Vllaznia të “vrasë” frikën, në kampionatin tonë bëhen llogaritë me laps e letër… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2025 | 21:36

EKSKLUZIVE/ Ish-mesfushori Patushi: Vllaznia të “vrasë” frikën, në kampionatin tonë bëhen llogaritë me laps e letër… (E PLOTË)

Saimir Patushi, një nga futbollistët e fundit kampion me Vllazninë, ka folur në një intervistë për “Panorama Sport”.PatushiNë fjalët e tij, ish-mesfushori ka analizuar fundin e këtij kampionati dhe në veçanti kuqeblutë. Sipas matjanit, shkodranët i kanë mundësitë për trofe, teksa thekson se duhet vetëm të mos kenë frikë. E ndërsa në krahasim me ekipin e vitit 2001, ish-futbollisti edhe i Tiranës thotë se Vllaznia e sotme nuk ka lidhje.

Patushi, një javë nga fundi i kampionatit, por ende shumë enigma apo jo?

Nuk besoj se do të ketë shumë enigma. Çdo gjë mendoj se është brenda parashikimeve dhe nuk shoh surpriza të mëdha në horizont. Siç e kam thënë edhe më përpara, në kampionatin tonë bëhen llogaritë me letër e laps.

Si e parashikon epilogun e këtij kampionati, lidhur me ekipet që mund të bien nga kategoria?

Një kampionat i dobët dhe shumë i mërzitshëm në opinionin dhe këndvështrimin tim. Për gjithë sezonin po të shikosh shkallët e stadiumeve, tregon gjendjen mjerane të futbollit. Ndërsa për ekipet që mund të rrëzohen nga kategoria, them se ia kanë bërë “hyzmetin” vetë. Çdo ekip që mund të rrëzohet, e meriton diçka të tillë

Të ndalemi pak te ndeshja e fundit, Elbasani-Vllaznia. Si i vlerëson dy skuadrat?

Një ndeshje që besoj si gjithë të tjerat në Superiore. Ndoshta Elbasani doli disi më i “fituar” nga ky barazim i fundit, sepse tashmë është i katërti dhe ka mundësi për të qëndruar në “Final 4”. E ndërsa Vllaznia duhet të luajë edhe një finale tjetër për sigurimin e vendit të dytë.

Duket se Vllaznia ka marrë “zemër” në këtë momente të fundit të edicionit…

Mund të duket kështu në syrin e dikujt, por unë nuk e gjykoj të tillë. Loja që tregon nuk ka ritëm tjetër me atë çfarë kuqeblutë gjatë këtij sezoni. Është po e njëjta që ka treguar thuajse gjatë gjithë edicionit, përjashto ndonjë ndeshje të veçantë. Uroj që të mbajnë vendin e dytë dhe të jenë disi komodë në ndeshjet e “Final 4”. Kë sheh si favorite për kalimin në finale të Kupës mes Dinamos dhe Vllaznisë? E shikoj të barabartë sfidën dhe mundësitë e të dy skuadrave në këtë ndeshje. Mund të them se është edhe një finale e parakohshme. Them se ai ekip që gabon më pak dhe vlerëson detajet do të arrijë të kualifikohet në finalen e kupës pastaj.

Mund të jetë Vllaznia ekipi fitues i këtij sezoni?

Pse jo, edhe unë mendoj se i kanë mundësitë për suksesin final. Por duhet të largojë “frikën” që trajneri mbart dhe duket se e pasqyron edhe në fushën e lojës. Duhet të guxohet më tepër dhe jo vetëm të pritet gjithmonë. Trajnerit duhet t’i thuhet që, në qoftë se do të dalësh kampion, duhet guxuar.

Çfarë duhet të bëjnë shkodranët për suksesin ose një këshillë për ta si ish-kampion?

Të jenë një grup dhe të mos stepen në asnjë moment. Të jenë të bashkuar deri në fund, sepse ndryshe nuk dilet kampion dhe nuk arrihet te suksesi. Mendoj se ekipi nuk duhet ta vërë veten në presion, sepse të luftosh për kampion është një kënaqësi më vete dhe besoj se s’ka më bukur për asnjë futbollist.

Të kujton ky ekip ndopak atë që triumfoi për herë të fundit në vitin 2001?

Nuk mendoj se mund të bëhet një krahasim mes atij ekipi të vitit 2001 dhe këtij të sotmit. Janë shumë ekipe të kundërta në çdo aspekt. Si në stilin e lojës e po ashtu në përbërjen e futbollistëve që ishin në atë periudhë dhe që ata që janë sot te Vllaznia.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL