EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi vlerëson merkaton e Partizanit, Endri Vrapi: Të mos bien në presionin e Egnatias
Partizani është duke kaluar një formë të shkëlqyer në javët e fundit, teksa mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, të besuarit e trajnerit Oltijon Kërnaja kanë koleksionuar katër fitore radhazi, ndërsa objektivi për të prekur “Final Four” është gjithnjë e më pranë, ashtu si edhe Kupa me të kuqtë që kanë kaluar me sukses ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Elbasanit.

Në lidhje me këtë moment që po kalojnë kryeqytetasit, në një intervistë për “Panorama Sport”, Endri Vrapi, ish-lojtar i të kuqve, theksoi se tashmë Partizani është shndërruar në një skuadër cinike që në fushë di si të marrë rezultatin që kërkon dhe se trajneri Oltijon Kërnaja po i merr maksimumin grupit që Ka në dispozicion. Sa i takon ndeshjes së radhës që Partizani e ka ndaj Egnatias, ishmbrojtësi i kombëtares, tha se të kuqtë nuk duhet të bien në “kurthin” taktik të rrogozhinasve dhe të përfundojnë duke bërë lojën që Egnatia dëshiron. Ndër të tjera, Vrapi komentoi edhe luftën e ekipeve të fundtabelës, për të cilën u shpreh se është e vështirë të bëhen parashikime se kush do të “mbijetojë” e kush do të rrëzohet nga elita e futbollit shqiptar.
Si ju është dukur Partizani në ndeshjet e fundit, katër fitore mes kampionatit dhe Kupës, skuadra duket se është rikthyer në “shinat” e duhura… Çfarë ka ndryshuar ekipi dhe trajneri Kërnaja? Të jemi realistë, Partizani për momentin është ekipi me formën më të mirë duke krijuar stabilitet në rezultate, por për mendimin tim akoma nuk po e njeh forcën e vet reale, nisur nga lojtarët dhe përshtatjen e tyre në çdo repart, këtu bëhet fjalë edhe për lojtarët e afruar në merkaton dimërore. Sa i përket trajnerit, po merr maksimumin e lojtarëve në çdo pozicion. Shikoj një Partizan cinik, sepse fakti që pas çdo rezultati pozitiv gjatë ndeshjes kur shënon dhe është në avantazh, më pas gjithnjë kalon në pritje për të mbyllur ndeshjen me rastet që mund t’i krijohen në kundërsulm.
Ndeshja e radhës është me Egnatian… Cilat do të jenë detajet që do të bëjnë diferencën në takimin me Egnatian? Sa i përket Egnatias, është ekipi kampion në fuqi dhe duhet vlerësuar në maksimum, por jam i mendimit që Partizani nuk do të ndryshojë ndonjë filozofi, thjesht do të bëjë lojën që ka bërë deri tani, që çdo ndeshje e bazon te kundërsulmi, sepse dhe cilësinë më të mirë të ekipit ka fazën ofensive.
Cila është pika më e fortë e Egnatias nga të cilat Partizani duhet të bëjë kujdes? Pikat e forta të Egnatias dihen. Kanë një strategji të posedimit të topit që të “lodh” ekipin kundërshtar, si dhe ndryshimet që bën trajneri Tetova në momente të veçanta nëpërmjet taktikës brenda lojës me manovra të ndryshme. Ka cilësi dhe ka një filozofi në lojë me lojtarët që i ka të karikuar në rotacionin që përdor trajneri, që është shpallur jo më kot trajneri i vitit dhe që këtë 10-vjeçar është një nga më të suksesshmit. Partizani duhet të bëjë kujdes, sepse është një ndeshje delikate për “Final Four” dhe skuadra duhet të jetë e kujdesshme në çdo vendim taktik që Egnatia merr gjatë lojës për të ndryshuar strategjinë dhe për të bërë çdo ekip të bjerë pre e mënyrës që Egnatia kërkon ta luajë.
Sa do të ndikojë presioni te lojtarët për të arritur objektivin e sezonit, pjesëmarrjen në “Final Four” dhe trofeun e Kupës? Sa i përket presionit, nuk besoj se lojtarët do të kenë, sepse Partizani është i vetmi ekip që nuk e ndjen presionin, sepse çdo ndeshje e ka pasur si një finale dhe rezultati është që kanë marrë pikët që i janë nevojitur. Ndoshta pasi të jenë në zonën e “Final Four” duhet të shikojmë ecurinë. Se më e vështirë është që ta mbajnë vendin e katërt sesa ta kapin! Dhe Kupa më pas ka specifikën e vetë, sepse rezultati i ndeshjes së parë nuk do të thotë që ka mbaruar çdo gjë, pasi Elbasani është skuadër që i ka hapur probleme çdo ekipi. Do të jetë një duel i bukur dhe për t’u shijuar ndeshja e Kupës.
Pas merkatos së janarit, organika e Partizanit duket tepër e kompletuar, si i vlerësoni transferimet e drejtorit Ibraimi? Cilin do të veçonit më tepër? Sa i takon merkatos së janarit, mendoj që me afrimin e Sidibes dhe Qakës janë rregulluar balancat, si dhe Skukën që po e presim që të jetë 100% në formën që kërkojmë ta shohim. Duket që edhe presidenti Demi i ka lënë dorë të lirë drejtorit Ibraimi dhe i ka plotësuar kushtet. Më pas ai ka ditur të bëjë zgjedhjet e duhura në merkato.
Në fund edhe një pyetje për zonën e “Final 4” dhe fundin e tabelës… A e shihni Dinamon jashtë katërshes së parë, ndërsa për mbijetesën si mendoni se do të ndahet mes Bylisit, Tiranës dhe Flamurtarit, kush rrezikon më tepër? Sa i përket Dinamos, është një ekip që në çdo moment bën surpriza, plus ka një trajner si Ilir Daja që e njeh mirë kampionatin shqiptar me eksperiencën që ka dhe unë e shikoj pak të vështirë që Dinamo të dorëzohet, prandaj e cilësova pak më lart që më e vështirë është ta mbash vendin e katërt se sa ta kapësh atë si në rastin e Partizanit. Sa i përket fundit të tabelës, besoj do të jetë luftë deri në fund dhe ekipet e fundtabelës, ashtu siç janë ekipet lart që luajnë kampionat më vete, ashtu janë dhe ato poshtë që kanë garë më vete! Vështirë të parashikosh dhe të përmendësh emra kush mund të qëndrojë dhe kush mund të largohet nga kategoria në fundin e sezonit.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













