EKSKLUZIVE/ Ish-lojtari i të dyja skuadrave, Ahmetaj: Tifo për Flamurtarin, Egnatia më e avantazhuar
Alesandro Ahmetaj e parashikon të tensionuara ndeshjen Flamurtari-Egnatia. Vlonjati që për herë të parë në Shqipëri luajti me Egnatian së sezonin 2023-2024 dhe një sezon më vonë firmosi me Flamurtarin, “skanon” pritshmëritë e këtij takimi.
Tifo bënë për Flamurtarin megjithëse në të avantazhuar shikon Egnatian. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, 25- vjeçari që aktualisht luan për Goricën, thotë se për kuqezinjtë fillimi ishte jashtë pritshmërive. Mendon se me Egnatian do të tregohen vlerat e vërteta të Flamurtarit, për të cilin thotë duhet ta kalojë sa më shpejt këtë situatë të vështirë.
Ahmetaj këtë javë luhet Flamurtari – Egnatia, si e shikoni këtë ndeshjen?
Besoj se do të jetë një ndeshje mjaft e tensionuar nga të dyja palët.
Kush mendon se fiton këtë takim?
Përsa i përket fitimtarit duke parë nisjen e kampionatit Egnatia është e avantazhuar si nga ana e rezultateve, si nga ana e eksperiencës në Superiore. Por kjo ndeshje do të tregojë edhe vlerat e vërteta të Flamurtarit. Besoj që momenti i ambientimit dhe adaptimi në Superiore ka mbaruar. Fitimtari do të jetë ai që do të menaxhojë më mirë anën psikologjike dhe euforinë.
Ke luajtur me të dyja skuadrat, për kë bënë tifo?
Normale që për Flamurtarin!
Si e shikon nisjen për Flamurtarin këtë sezon, i parafundit me dy pikë…?
Fillimi nuk ishte ai i pritshmërive duke parë investimet dhe shpenzimet që janë bërë nga presidenti. Megjithatë është vetëm fillimi dhe ende janë shumë ndeshje për t’u luajtur.
Po Egnatian ku e shikon?
Egnatia e ka krijuar identitetin e vetë në Superiore dhe është kampionia në fuqi për vitin e dytë radhazi dhe do bëjë çmos që ta mbrojë dhe të vijojë suksesin duke njohur filozofinë e tyre.
Mendon se Flamurtari do e kalojë këtë situatë?
Flamurtari duhet ta kalojë patjetër këtë situatë nuk ka rrugë tjetër!
Sot inagurohet stadiumi i ri “Flamurtari” i rikonstruktuar, të vjen keq që nuk do jesh?
Pak rëndësi ka stadiumi i ri ose i vjetër. Të jesh pjesë ose të kesh qenë pjesë e Flamurtarit është privilegj për çdo lojtar aq më shumë për një vlonjat. Kështu e ka futbolli profesionist një vit mund të luash për ekipin e qyteti tënd, vitin tjetër për një tjetër në anën tjetër të botës. Ky është futbolli, kështu është puna jonë.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













