EKSKLUZIVE/ Ish-lojtari i Partizanit, Ibrahimi: Gega jep shkëndijën! Asnjë lojtar si unë, kam dëshirë të kthehem një ditë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2025 | 21:43

EKSKLUZIVE/ Ish-lojtari i Partizanit, Ibrahimi: Gega jep shkëndijën! Asnjë lojtar si unë, kam dëshirë të kthehem një ditë (E PLOTË)

Labinot Ibrahimi ka mbetur nga ish-futbollistët e preferuar të tifozëve të Partizanit. Mbrojtësi 38-vjeçar mbante fanellën me numrin 22, ndërsa dallonte në fushë për grintën e tij.ibraimiIbrahimi qëndroi për 6 vite te Partizani, teksa e mbylli pasi të kuqtë kthyen titullin kampion pas shumë viteve pritje. Në Shqipëri mbajti vetëm fanellën e “Demave” veshur, për t’u rikthyer më pas në Kosovë. Aktualisht jep kontributin e tij te Trepça. “Panorama Sport” ka siguruar një intervistë me “Labin”, siç tifozët preferonin t’i drejtoheshin shkurt. Batutat nuk mungojnë, ndërsa në anën tjetër Ibrahimi tregon besimin e tij te trajneri aktual i Partizanit, Skënder Gega.

Po jepni kontributin tuaj si futbollist në Kosovë prej 6 vitesh. Çfarë mund të na thoni për eksperiencën e fundit?

Jam aktualisht pjesë e Trepçës. Është një klub me histori të madhe në Kosovë. Jam shumë i kënaqur aty, pasi kanë organizim shumë të mirë. Po punojnë shumë të gjithë dhe jam i kënaqur personalisht.

Cilat momente ju kanë mbetur në mendje nga Partizani?

Ishte periudhë e veçantë me Partizanin. Kam shumë momente që mund të përmend, por më i veçanti për mua do të mbetet fitimi i titullit kampion. E fituam trofeun pas 26 vitesh. Kjo është periudha më e mirë te Partizani, mund ta cilësoj si më të veçantë për mua personalisht.

Si e vlerësoni gjendjen e ekipit të kuq dhe a mendoni se mund të bëjnë paraqitje dinjitoze në Europë?

Të them të drejtën, nuk kam arritur ta ndjek gjithmonë Partizanin për shkak edhe të obligimeve që kam. Por unë besoj se Partizani ka grintë dhe do të bëjë paraqitje dinjitoze në Europë. Për këtë jam më se i bindur

Çfarë mund të sjellë trajneri Gega te Partizani?

Profesor Gega për mendimin tim i jep shkëndijën ekipit. Mendoj se do të bëjë më të mirën për klubin, pasi ka disiplinë në punë dhe shumë harmoni brenda grupit. Me këtë që bën profesor Gega, besoj se do të kenë sukses te Partizani.

Ku e shikoni Partizanin në nevojë për t’u përforcuar?

Mendoj se Partizani ka nevojë të përforcohet në të gjitha repartet. Dihet që në Europë duhet angazhim dhe eksperiencë shumë e madhe. Besoj se Partizani dhe profesor Gega do bëjnë zgjedhjet e duhura dhe do e përfaqësojnë klubin si duhet në Europë.

A iu kujton ndonjëri prej lojtarëve veten te Partizani?

Nuk shoh asnjë lojtar si vetja (qesh). Unë thjesht jam si Labi 22.

Partizani ka disa lojtarë me moshë të re, çfarë duhet pritur nga ata?

Po, te Partizani ka shumë të rinj në ekip. Është e vërtetë, por kam besim te lojtarët dhe profesor Gega, që do të bëjmë më të mirën. E njoh çfarë karakteri ka profesori dhe si i motivon lojtarët brenda dhe jashtë fushe.

Egnatia, Vllaznia, Dinamo ishin po ashtu në “Final Four”, si ju duken në krahasim me Partizanin?

Siç thashë dhe më parë, ekipet e tjera shumë pak i kam ndjekur, për shkak edhe të obligimeve të mia. Aty-aty kanë qenë të gjithë. Nuk kanë shumë diferenca, pavarësisht luhatjeve, ulje-ngritjeve. Egnatia ka treguar lojëra pak më të bukura. Partizani normalisht duhet të bëjë akoma më shumë, pasi dihet pesha e fanellës së Partizanit.

Lidhja me tifozët e Partizanit?

Lidhja me tifozët ka qenë spontane që nga dita e parë që kam shkuar te Partizani. Më kanë pritur shumë mirë dhe unë po ashtu i kam respektuar në maksimum besoj. Vetë po çuditem që edhe pas 6 vitesh ende nuk më kanë harruar. Kjo ka shumë domethënie për mua dhe është respekt më shumë nga ana ime. Nuk shkon ditë pa më shkruar një tifoz i Partizanit. Janë të mrekullueshëm dhe kanë respekt shumë të veçantë nga ana ime, gjithmonë kudo ku janë.

E shikoni veten pranë Partizanit në të ardhmen?

Sa i përket një roli në klub, jetës nuk i dihet. Dëshira nga ana ime ekziston për ta, që të marr një rol në ekip. Me dëshirë do ta bëja.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL