EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Hoxhallari: Derbi si kartolinë, më vjen keq për Tiranën! Ndeshja do vendoset nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2025 | 9:16

EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Hoxhallari: Derbi si kartolinë, më vjen keq për Tiranën! Ndeshja do vendoset nga…

Erjon Hoxhallari, ish-kapiteni i Tiranës dhe një nga lojtarët me më shumë ndeshje bardheblu, aktualisht luan në Poloni, ku është kthyer në një shtyllë të rëndësishme për skuadrën e tij. Në prag të derbit të madh mes Tiranës dhe Partizanit, mbrojtësi për “Panorama Sport” flet për eksperiencën në futbollin polak, gjendjen e ekipit bardheblu, rivalitetin special të derbit dhe luftën për titull në Superiore.

hoxhallari

Si gjithmonë titullar dhe shtyllë edhe në ekipin polak? Po, jam duke luajtur dhe duke bërë maksimumin që të ndihmoj ekipin për synimin që kemi.

Cili është objektivi i skuadrës këtë sezon? Synimi për këtë vit është të jemi një nga 3 ekipet që futen në “Ekstraklasë”(Superiorja e Polonisë).

E ke ndjekur Tiranën këtë sezon. Çfarë mendimi ke? E kam ndjekur pak kampionatin dhe Tiranën normalisht, por siç tregohet edhe nga renditja, këto 5 javët e para janë ekip i sapo ndërtuar dhe deri tani nuk kanë dhënë ndonjë shkëndijë.

Ke qenë në fushë në derbin e fundit me Partizanin. Çfarë ndjesie të jep kjo ndeshje? Derbi ka qenë gjithmonë kartolina e futbollit shqiptar për rivalitetin që kanë dy ekipet me njëratjetrën, por edhe për atë çfarë dhurojnë tifozët në stadium. Prandaj ndjesia e kësaj ndeshjeje ishte e veçantë, ku të gjithë mezi e prisnim.

Si e sheh derbin me Partizanin dhe a ka mundësi që të fitojë Tirana? Derbi do të jetë një ndeshje ku do ta vendosë një episod, pasi të dy ekipet kanë nevojë për pikë dhe do jenë të kujdesshëm që mos gabojnë dhe të mos thellojnë krizën e tyre.

Tirana e ka nisur keq dhe në 5 javë ka 2 pikë. Çfarë mendimi ke? Tirana për momentin është në një moment të vështirë, ku edhe renditja e tregon këtë gjë. Duke parë edhe ekipet e tjera, do jetë një kampionat shumë i vështirë ky për Tiranën, por në fund shpresoj që t’ia dalin dhe të jenë aty ku Tirana e meriton, mes më të mirave në Superiore.

Çfarë mendimi ke për faktin që skuadra ka ndryshuar sërish shumë? Ndryshimet e shumta nga viti në vit janë një problem i madh, pasi ekipi nuk arrin të konsolidohet dhe kërkon shumë kohë që lojtarët të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të përshtaten mes tyre. Prandaj edhe po vuajnë dy vitet e fundit. Tirana prej kohësh nuk ka një lider, tani kapiten është një i huaj, ndërsa lojtarë si Hoxhallari me 300 ndeshje bardheblu nuk gjenden më në skuadër. Ky është një problem i globalizmit në futboll apo diku tjetër? Në momentin që u largova unë dhe shumë lojtarë me eksperiencë në kampionat, u fol shumë për një projekt. Ndoshta projekti i ekipit të Tiranës është afatgjatë, prandaj nuk janë më këta lojtarë që kanë kaq shumë ndeshje me atë fanellë. Gjithsesi unë gjithmonë do t’i uroj më të mirën Tiranës, sepse është ekipi ku unë kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës sime dhe ku kam kaluar shumë momente të bukura. Është ekipi ku unë jam shpallur dy herë kampion dhe më vjen shumë keq ta shoh në këtë gjendje.

Kampionati shqiptar duket i fortë dhe i luftuar. Kush mund ta fitojë titullin? Kampionati është i fortë, por mendoj se 4 ekipet që do të luftojnë për ta fituar do jenë Dinamo, Vllaznia, Elbasani dhe Egnatia.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL