EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti kampion thirrje presidentit Demi: Ky është problemi i madh i Partizanit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2025 | 21:09

EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti kampion thirrje presidentit Demi: Ky është problemi i madh i Partizanit (E PLOTË)

Artan Bano ishte pjesë e Partizanit në sezonin 1992/ 93, kur të kuqtë dominonin futbollin shqiptar. 59-vjeçari i lindur në Lushnjë, madje shënonte golin e vetëm ndaj Vllaznisë në Shkodër, duke i dhënë qetësinë të kuqve për fitimin e trofeut më të rëndësishëm.

Screenshot 2025-11-19 091333

“Panorama Sport” ka siguruar një intervistë ekskluzive me Banon, i cili flet për situatën aktuale duke u kthyer me nostalgji në kujtimet e mëparshme. Në vitin 1993 ndërkohë ishte titulli i fundit kampion para viteve 2000.

Në sezonin 1992/93 shënuat golin ndaj Vllaznisë në Shkodër, që i dha Partizanit titullin kampion. Sa shpesh ju kthehen ndër mend ato momente dhe çfarë vendi zënë në karrierën tuaj?

Patjetër që emocionuese, por duhet pasur parasysh se kemi pasur grup shumë të mirë. Goli nuk është se ka qenë spontan, ishte goditje dënimi, ne punonim shumë me lojën e ndaluar duke pasur shumë futbollistë me shtatlartë si unë, Dosti dhe Ocelli. Patjetër që gol i veçantë se të shënosh në Shkodër dhe thuajse 100% kishim fituar kampionatin. Emocion i veçantë, merita e gjithë futbollistëve të mrekullueshëm që kemi pasur aty. Ndoshta brezi i fundit i diktaturës, pra ish-futbollistët që kemi luajtur edhe para ’90. Për shembull nga viti ’85-’90, që kanë qenë ndoshta 5 vitet më të forta të kampionatit shqiptar.

Goxha futbollistë cilësorë dhe ndoshta ka ndikuar edhe në karrierën tonë, të gjithë si futbollistë që kontribuam te Partizani me profesionalizëm dhe dëshirë, për të arritur qëllimin që kishim. Ishte kampionat i shkëlqyer, i administruar që nga drejtuesit, nga trajneri Starova, Lika dhe Mustafa Fagu.

Ndoshta një nga kampionate më të mirë të Partizanit post-komunizëm, duke pasur parasysh se fituam kampionatin, Kupën, Superkupa vjen vetë se i fituam të dyja kompeticionet ne. Ai kampionat ka pasur pak vështirësi se nuk ishte kjo formula si tani. Po të fitoje merrje 2 pikë, ndërsa me barazim 1. Nëse do ishte fitorja me 3 pikë, besoj se me 3-4 ndeshjet e fazës së dytë do ishim shpallur kampion. Duhej ndeshje direkt me Vllazninë. Kur ia dolëm me sukses në Shkodër, besoj se u mbyll gjithçka për fitimin e kampionatit.

Partizani ka qenë klubi ku, siç keni thënë edhe vetë, jeni “shkolluar” dhe jeni formuar si futbollist. Si e shihni sot klubin dhe çfarë ju transmeton gjendja aktuale e skuadrës? Ku çalojnë gjërat, që mungojnë rezultatet?

Partizani ka qenë shkollë shumë e mirë për mua. Duke dhënë kontributin tim profesional, njëkohësisht u hap edhe rruga për në ekipin kombëtar. Jam shumë mirënjohës tifozerisë, të gjithë ambientit sportiv që ka pasur në Tiranë. Më pritën me shumë dashamirësi, duke ardhur nga Lushnja. Mësova çfarë do të thotë profesionalizëm. Kur vjen në një klub profesionist, që do luash 1 javë po apo 1 javë do luanim te “Qemal Stafa”, ishte privilegj për çdo futbollist. Të luash derbin me Dinamon, Tiranën, Vllazninë dhe Flamurtarin, ekipe shumë të mira dhe cilësore pasi çdo ekip kishte minimalisht 4 futbollistë shumë profesionistë dhe cilësorë.

Për mua privilegj, ishte një master i shkëlqyer që më dha mundësinë pastaj për karrierën time të mëtejshme. Partizani tani, ndoshta momenti më i vështirë i presidentit Demi këto 12 vite. Që nga viti 2013, kemi hyrë bashkë Lushnja dhe Partizani. Është viti më i vështirë i Partizanit. Dhe për fatin keq të dëmtimeve, të kesh 10 dëmtime, është shumë për Partizanin. Dhe ndërrimi i trajnerëve ka ndikuar negativisht. Unë mendoj nga jashtë, se duhet të jesh nga brenda ta njohësh problematikën, mendoj se fusha sintetike dhe trajningu i kanë dëmtuar shumë futbollistët.

Ka shumë probleme në fushën sintetike. Kjo është një thirrje për presidentin Demi, që duhet të mendojë se si dhe ku duhen stërvitur futbollistët. Mendoj se fusha nuk i përkon mirë ekipit të Partizanit se i dëmton shumë, mendoj se dëmtimet kanë ardhur nga ambienti ku stërviten futbollistët. Ndryshe të luash në fushë sintetike, që nuk është shumë cilësore. Të jemi realistë, nga mëngjesi deri në darkë stërviten disa skuadra. Bëhet fjalë për amortizimin.

I mbetet për detyrë presidencës, që të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë për të mirën e klubit. Mendoj se ata futbollistë që Partizani ka, të ishin aktivë, do kishin disa pikë më tepër dhe të pretendonte për kampion. Duke pasur parasysh sasinë dhe cilësinë e lojtarëve të menduar, do ketë probleme. Nëse futbollistët rikuperohen, mendoj se Partizani do kthehet shumë shpejt aty ku e ka vendin. Në një nga katër ekipet më të mira të Shqipërisë.

Screenshot 2025-11-19 091528

Përballja me Vllazninë vjen në një moment të vështirë në renditje për të kuqtë. Ju që keni shënuar kundër kuqebluve, si e lexoni këtë ndeshje dhe ku mendoni se mund të bëjë diferencën Partizani?

Ka moment të mirë të Vllaznisë, nuk është problemi i vjetshëm që aq shpejt sa e shënonte golin dhe e pësonte. Trajneri Martini ka bërë punë të mirë në fazën mbrojtëse. Do jetë ndeshje shumë e fortë dhe e luajtur, sipas mendimit tim dhe trajnerët do jenë determinantë. Në një ndeshje, edhe kur nuk e ke grupin e futbollistëve shumë cilësorë, mund të gjesh një mënyrë tjetër për të administruar dhe fituar ndeshjen. Partizani duhet të hyjë në fushë për të fituar, dhe jo ndoshta për të bërë atë që themi nga jashtë, futbollin e bukur.

Partizani me Vllazninë është ndeshje për t’u fituar. Duhet lënë disa gjëra anash. Trajnerët dhe futbollistët duhet të sakrifikojnë shumë herë më tepër, që ta trajtojnë ndeshjen vetëm për ta fituar. Ndeshjen mund ta fitosh vetëm me një standarde, pastaj të mbrohesh shumë mirë. Ditën e hënë pastaj nuk do ia dijë njeri, sa bukur luajte apo sa bukur performoi individi. Duhet shumë kujdes, nga stafi dhe futbollistët, që ta trajtojnë ndeshjen shumë profesionalisht dhe me seriozitet.

Duke parë renditjen, a mendoni se do të jetë katërshja aktuale e kreut që do përcaktojë titullin?

Jo, unë akoma nuk mendoj se këto katra do jenë. Kampionati është i gjatë, sapo kemi mbaruar 30% të kampionatit dhe tani fillon lufta e ashpër. Ne e dimë shumë mirë se pas kësaj faze, ngjeshet kampionati. Do kemi ndeshje të Kupës në mesjavë, do ketë ndeshje kampionati në mesjavë. Do ketë goxha shpenzime në energji. Mendoj se do të kemi përmbysje të tabelës në renditje. Prandaj unë i mëshova dëmtimeve të Partizanit. Të paktën 50% të atyre që janë dëmtuar, nëse do të jenë të gatshëm për të luajtur, Partizani do jetë shumë shpejt më lart se e mendojnë të gjithë.

Nuk e thekson njeri se Partizani me vërtetë ka kaq pikë dhe është aty ku është, por është shumë e vështirë që të kesh gati 40% të atyre futbollistëve që i ke menduar që do i kesh menduar deri në 80% minutazh të gjithë kampionatit, atëherë nuk është e lehtë që të realizosh objektivin. Shpresoj se këto futbollistë të dëmtuar, sa më shpejt të rikuperohen sepse kampionati do bëhet shumë i vështirë deri në fundin e dhjetorit, duke pasur parasysh edhe temperaturat dhe terrenet që do rëndohen shumë. Dhe ndeshjet e ngjeshura, se koha e rikuperimit bën diferencën me stolin dhe kualitetin e sasinë e futbollistëve që ke. Shpresojmë, unë jam besimplotë se Partizani në fund të kampionatit do të jetë aty ku e meriton.

Prej dy vitesh keni qëndruar pushim si trajner. A keni synim rikthimin në futbollin shqiptar?

Patjetër që e kam synim rikthimin në futbollin shqiptar, por gjithmonë të marr një ekip dhe me objektiv të qartë. Një trajner që do marrë një vendim për të shkuar në një ekip, në radhë të parë duhet të shikojë objektivin e ekipit dhe seriozitetin. Duhet të ketë një raport shumë të mirë të marrëdhënieve, financiare dhe profesionale. Nëse do marr vendim të shkoj në një skuadër, nuk dua të shkoj si trajner, si i thonë me korrespondencë.

Dua të filloj një punë mirë dhe në fund fare ta përfundoj mirë. Dhe profesionalisht, por patjetër edhe emocionalisht. Deri tani nuk më ka ardhur mundësia që një drejtues i një klubi të ketë një objektiv të qartë. Mua më intereson që të kem ekuilibër, profesionalisht dhe materialisht. Ai ekuilibër deri tani nuk më ka ardhur shansi që ta realizoj. Jo se nuk kam pasur oferta, i kam refuzuar vetëm për objektiv.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL