EKSKLUZIVE/ Ish-drejtorI Laluci: Flamurtari, jetike pika në kryeqytet. Më “ngroh” ardhja e Denis Pjeshkës
Flamurtari nuk duhet të dalë pa pikë nga transferta e sotme e kryeqytetit. Ish-drejtori i klubit, Vangjel Laluci për “Panorama Sport”, në prag të sfidës së mbijetesës, thekson se sot barazimi duhet që të ruhet me fanatizëm. Lalucin e shqetëson ecuria e Tiranës, ndërsa i trembet një ndryshimi të ekuilibrave.
“Një pikë në ndeshjen me Tiranën duhet ta ruajmë me shumë fanatizëm. Pika është shumë e shtrenjtë gjatë këtyre ndeshjeve, nëse ne duam që të qëndrojmë në Superiore. Më shqetëson ecuria e Tiranës. Po marrin pikë ata… Nuk është Tirana që e lamë pesë pikë mbrapa, është katër pikë pas nesh. Tirana do vazhdojë…Kemi ndeshjen direkte që do të jetë një pikë dallimi mes nesh dhe Tiranës. Mendo “larg qoftë” të fitojë Tirana se ku vemi ne. Ata vijnë katër pikë pas nesh. Pra ndryshojnë ekuilibrat”, shprehet fillimisht Laluci.
FRIKA JASHTË FUSHE – Vangjel Laluci i druhet lojërave jashtë fushe. Ish drejtori kujton se gjithmonë kur Flamurtari është i rrezikuar dhe në të njëjtën situatë janë edhe kundërshtarët, këta të fundit gjithmonë “shpëtojnë”. “Kemi dhe një eksperiencë tjetër gjatë shumë viteve. Unë e di mirë që kur rrezikohet Flamurtari dhe rrezikohen edhe ekipe të tjera si Tirana apo ekipe të tjera…Flamurtari është më në “hall”. Është subjektive edhe kjo pjesë. Prandaj ne nuk duhet të lëmë të na iki pa pikë ndeshja me Tiranën”, thotë ish-drejtori.
MBROJTJA PROBLEM – Vangjel Laluci shikon si repartin më problematik tek vlonjatët, mbrojtjen. E “ngroh” rikthimi i kapitenit Denis Pjeshka, por thotë se duhen përforcime.
“Në këto 16 ndeshje që kanë mbetur i gjithë problemi do të jetë tek mbrojtja. Këto ndeshje që ka mbetur do të jenë me një intensitet edhe në të lartë. Nuk ke ku shkon pa një mbrojtje të garantuar. Duhej patjetër një qendërmbrojtës. Unë uroj që të kenë bërë zgjedhjen e duhur me lojtarin nga Mali i Zi, Tashkent. Lojtarët që kanë qenë pjesë e grupit nuk garantojnë. Problemin në mbrojtje e kemi shumë të madh. Kemi probleme dhe duhet të merren masa. Më ngroh ardhja e Denis Pjeshkës pasi është forcë e shtuar. Këtë ndeshje me Bylisin luajti dhe do të vijojë të luajë. Do të viië në rritëm. Kjo mbrojtje nuk na jep garanci. Në repartet e tjera jemi të pranueshëm, duke pasur parasysh qëndrimin që kemi për të qëndruar në kategori. Po të kishim pretendime të tjera do të na dukeshin të tjerë lojtarë”, përfundon Laluci.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













