EKSKLUZIVE/ Ish-drejtori Dervishi analizon situatën te Partizani: Skuadër e shthurur, Demi duhet të bëjë ndryshime! Nuk fitohen ndeshjet me intervista (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2025 | 23:56

EKSKLUZIVE/ Ish-drejtori Dervishi analizon situatën te Partizani: Skuadër e shthurur, Demi duhet të bëjë ndryshime! Nuk fitohen ndeshjet me intervista (E PLOTË)

Partizani humbi derbin me shifrat 3- 0 dhe tani rrezikon pjesëmarrjen në “Final 4”.

Dervishi

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-drejtori i të kuqve, Dritan Dervishi, analizon situatën te Partizani, ku nuk i kursen kritikat jo vetëm për atë që ndodh në fushë, por edhe jashtë saj. Dervishi, që aktualisht është pjesë e stafit teknik të Veronës në Itali, shprehet se presidenti Demi duhet të ndërhyjë për të larguar ata që nuk e meritojnë të jenë përreth klubit.

Dritan, si ju duk derbi? Ishte Partizani i dobët apo Tirana lart?

Pashë një Partizan të shthurur, pa ide, pa asnjë logjikë dhe pa vendosje në fushë. Duket që nuk kishin kohën e mjaftueshme për të studiuar kundërshtarin. Ndoshta edhe menduan se ndeshjet fitohen me intervista në televizion dhe duke kujtuar vitet e shkuara.

Çfarë tregoi për Partizanin kjo humbje me të tilla shifra?

Është e qartë. Tregoi se skuadra dhe klubi janë në një krizë të thellë dhe rrezikojnë seriozisht të humbin pjesëmarrjen në “Final 4”.

Si e shihni rikthimin e Gegës dhe emërimin e Haxhias si drejtor teknik? Besoni se mund ta ringrenë Partizanin?

Pse, ju vallë mendoni se problemi i Partizanit ishte trajneri? Problemi në klubin e Partizanit vjen nga mungesa e lidershipit në klub. Aty sot ngrihen si skautë, më pas bëhen drejtorë, pastaj trajnerë e sërish drejtorë. E kuptoni se çfarë ndodh aty? Nuk kam fjalë, me të vërtetë ndiej keqardhje.

Sa e fortë ju duket organika e këtij Partizani? Mendoni se mund të rivalizojnë për Kupën dhe kampionatin?

Nuk është çështje organike, sepse Superiorja është e gjitha me skuadra të një cilësie të ngjashme, me përjashtim të Egnatias. Partizani duhet të gjejë shpirtin e humbur. Presidenti Demi duhet të marrë situatën në dorë dhe nga ky moment të largojë të gjithë ata këshilltarë, drejtorë e menaxherë që i sillen vërdallë klubit. Partizani nuk është një klub dosido, është pasuri e gjithë popullit të kuq, që nuk e meriton këtë mungesë respekti nga skuadra dhe stafi drejtues.

Partizani në janar largoi thuajse gjysmën e ekipit dhe afrimet nuk po duken në nivelin e duhur. U gabua në merkato?

Për mendimin tim, bëri shumë mirë që i shiti ata lojtarë, por më pas dështoi me afrimet nga stafi dhe këshilltarët. Nuk mund të jesh drejtues i mirë kur ti merresh me menaxhim lojtarësh. Kjo gjë te Partizani është bërë normalitet. Edhe afrimi i drejtorit teknik (Sokol Haxhia) është në vazhdimësi të gabimeve, pasi një menaxher i mirë lojtarësh nuk ka eksperiencën e duhur për të menaxhuar dinamikat e një klubi futbolli.

Si ju duket kampionati në këto javë të fundit?

Kush e rrezikon rënien? Është vërtet shumë e vështirë të kuptosh se çfarë do të ndodhë, por ajo që unë personalisht e uroj është që Tirana dhe Teuta të mos jenë skuadrat që të bien një kategori më poshtë.

Cili ju duket ekipi për t’u mundur në këtë sezon dhe kush mendon se mund të shkojë në finalen e madhe?

Ekipi më i fortë është Egnatia, por mendoj se edhe Dinamo meriton vlerësim. Madje unë mendoj se Dinamo do të fitojë titullin. Nuk besoj se Partizani do të shkojë në finale, nuk e shoh ta ketë forcën.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i hapi rrugën ndryshimit të skemës së kampionatit. Duhet të ndryshojë?

Duka është një drejtues inteligjent dhe, kur gjërat nuk funksionojnë, bën ndryshime për të mirën e futbollit vendës, pasi në Kombëtare i ka pasur gjërat mirë në vitet e fundit. Por të mos harrojmë se ai është disi i vetmuar në këtë mision, sepse shumica e presidentëve të Superiores nuk kanë asnjë ide për përmirësimin e Superiores. Harrojnë se një kampionat i fortë afron më shumë biznese dhe tifozë në stadiume. Boll të shohësh se sa tifozë shkojnë në stadium dhe e kupton se çfarë rrëmuje kanë bërë këta presidentë klubesh.

Dhe si mendoni ju se zgjidhet kjo situatë?

Unë mendoj se zgjidhet duke futur në vendet e tyre të punës njerëz që e meritojnë postin dhe duke ngritur sektorin e të rinjve. Jo t’i shohin si bankomat personal. Duhet të punojnë edhe në integritetin moral të klubit. Nuk është aspak e hijshme të shohim ndeshje të kombinuara për interesa personale, sepse tifozët nuk janë budallenj.

Gjithashtu, nuk jam dakord kur thuhet se në Shqipëri nuk ka më rini, tifozët kanë ikur jashtë vendit, sepse shohim që në koncerte dhe në mitingje stadiumet janë plot. Jo vetëm kaq, edhe diskotekat mbushet plot çdo natë. Prandaj, presidentët duhet të kuptojnë se me këtë lloj menaxhimi në vitet e ardhshme ndoshta mund t’i humbin klubet e tyre. Gjithashtu, qeveria e re që do të emërohet pas zgjedhjeve, uroj të mendojë më shumë për sportin.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL