EKSKLUZIVE/ “Hamiti ndikoi në eliminimin nga Kupa”, Daiu: Partizani ka karakter, Kërnaja ktheu entuziazmin (E PLOTË)
Partizani është duke kaluar padyshim formën më të mirë të këtij sezoni, teksa ndaj Dinamos regjistruan fitoren e pestë radhazi në kampionat, duke u ngjitur në vendin e katërt të klasifikimit dhe duke parakaluar pikërisht blutë në garën për një vend në “Final Four”.

Në lidhje me këtë ecuri të “Demave të kuq”, në një intervistë për “Panorama Sport”, foli një ish-lojtar i Partizanit, si Përparim Daiu. Ky i fundit, theksoi se tashmë skuadra ka një fizionomi të qartë në fushë, duke vlerësuar trajnerin Oltijon Kërnaja si njeriun që ktheu entuziazmin në një moment ku harmonia ishte shumë e ulët. Ndër të tjera, Daiu komentoi edhe elimiminim me shumë polemika të Partizanit nga Kupa e Shqipërisë në ndeshjen përballë Elbasanit, duke u shprehur se arbitri Eldorian Hamiti ndikoi shumë në rezultatin e ndeshjes.
Pesë fitore në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, çfarë e ndryshoi sezonin e Partizanit?
Natyrisht ekipi ka marrë fizionomi dhe është përshtatur mjaft mirë dhe me prurjet e janarit ku dua të theksoj që me të vërtetë lojtarë si Sidibe më kanë impresionuar, besoj se ky harmonizim dhe fryma e krijuar kanë bërë diferencën duke arritur fitore të rëndesishme në pesë javë rrjeshtë.
A mendoni se tashmë skuadra është e pjekur mjaftueshëm për të menaxhuar fazën vendimtare të sezonit?
Besoj se po, kjo duke pasur më shumë elementë cilësorë në përbërje. Por, edhe menaxhimi i mirë nga stafi drejtues, tani Partizani është i konsoliduar dhe me tjetër marsh për të arritur objektivat e vendosura që në fillimin e sezonit.
Pavarësisht kalendarit të ngjeshur, lojtarët kanë treguar një ritëm shumë të lartë, a vjen kjo si pasojë e konkurrencës së lartë brenda organikës?
Une e theksova dhe më lart që prurjet plus lojtarët e dëmtuar kanë shtuar konkurencën gjë që pasqyrohet në performancën e lojtarëve dhe angazhimin e gjithësecilit për të dhënë maksimumin.
Sa e rëndësishme ishte për Partizanin të rikthehej me fitore pas eliminimit në Kupë dhe mënyrës si erdhi ai, çfarë tregon kjo për skuadrën?
Partizani, lojtarët, stafi, të gjithë treguan karakter e pjekuri gjë që shpresoj të ndikoj edhe në vijueshmërinë e vazhdimësinë e rezultateve deri në fund.
Një mendim në lidhje me ndeshjen e Kupës dhe polemikat që u krijuan me vendimet e arbitrit?
Natyrisht, mendoj që arbitri Hamiti ndikoj shumë në eleminimin e Partizanit, shpresoj që gabimi të ketë qenë njerëzor, por VAR-in që nuk ndërhyri ose nuk është në rregullore ose është absurde, domethënë fajtorë me dashje.
Si e gjykoni rolin e trajnerit Kërnaja në të gjithë këtë kthesë të Partizanit? Tani skuadra duket se ka edhe një identitet të qartë…
Për trajnerin Kernaja ndaj përsëri të njëjtim mendim si më parë, e vlerësoj që ka rikthyer entuziazmin, harmoninë dhe i ka dhënë identitet këtij ekipi.
A e shikoni Partizanin të synojë më shumë se sa thjesht pjesëmarrja në “Final 4”, duke njohur edhe formatin e sivjetshëm me përgjysmimin e pikëve?
Partizani me këtë paraqitje që ka bërë mendoj absolutisht që mundet për sprintin final të tentojë edhe më shumë, vetëm hapat fals nuk i lejohen, pra duhet vazhdimësi dhe marshin e lartë çdo ndeshje, duke i marrë ndeshjet me radhë sepse njëlloj janë tre pikët me secilin kundërshtar.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













