EKSKLUZIVE/ “Flamurtari nuk pranon tjetër rezultat veç fitores”, Ribaj: Besoj te ky grup, qëndrojmë në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2026 | 10:33

EKSKLUZIVE/ “Flamurtari nuk pranon tjetër rezultat veç fitores”, Ribaj: Besoj te ky grup, qëndrojmë në Superiore

Andi Ribaj beson shumë te grupi që ka në dispozicion. Nuk e vendos në asnjë moment në diskutim qëndrimin në Superiore.ribajPër “Panorama Sport”, Ribaj, njeriu që e njeh më mirë se kushdo tjetër situatën tek kuqezinjtë dhe që ishte zgjedhja e duhur në këtë moment të vështirë ku gjendet skuadra është optimist se do të dalin nga ky “siklet”.

Tekniku thotë se skuadra gjendet në ngërç psikologjik për shkak të renditjes dhe kjo ndikon edhe në presionin e rezultatit. Megjithatë në ndeshjen me Vorën nuk tolerohet asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Ribaj zbulon se Sinan Idrizi ka vendosur premio në çdo ndeshje.

Ribaj me Tiranën nuk shkuat në shumë se barazimi. Çfarë ndodhi?

Jemi dy ekipe qe jemi rivalë direkt për të qëndruar në Kategorinë Superiore. Në ndeshjen me Tiranën kërkohej fitorja, por si filloi loja pësuam gol shumë të shpejt dhe ekipi nuk doli në detyrat që kishim përcaktuar. Në pjesën e dytë ndryshua dhe reaguam. Në atë pjesë skuadra më pëlqeu shumë. Shënuam dhe duhet që të merrnim maksimumin e pikëve.

Mendoni se vështirësohen pozitat me këtë barazim?

Dihet që po nuk fitove është problem por ne do të bëjmë maksimumin në ndeshjet e mbetura. Duhet që të marrim pikët e plota.

Këtë javë luani me Vorën sërish në Vlorë. Çfarë prisni?

Është e vërtetë që këtë javë kemi një ndeshje tjetër shumë të rëndësishme dhe presim Vorën që është një tjetër rival direkt i yni direkt. Nuk ka rrugë tjetër duhet të marrim tri pikët. Nuk presim asgjë tjetër…Na duhet vetëm fitorja.

Presidenti Idrizi kishte vendosur një premio të “majme” për ndeshjen me Tiranën por që u “dogj”. Do të ketë edhe për Vorën shpërblim?

Nuk e di çfarë do të ndodhë për ndeshjen me Vorën. Por ajo që di është se presidenti Sinan Idrizi ka vënë premio në çdo ndeshje.

Keni një koment për gjykimin në këto ndeshje?

Është një pjesë që nuk më takon mua. Nuk mund të flas për këtë çështje…

Çfarë duhet të ndryshojë Flamurtari për të arritur tek fitorja?

Jemi në një ngërç psikologjik pasi jemi poshtë në renditje. Nëse do të ishim në një situatë tjetër do të ishte një lojë tjetër. Nga presioni i renditjes vjen dhe presioni i rezultatit.

Besoni te mbijetesa?

Unë besoj shumë te këta djem. Kam që në korrik që jam dhe punoj me ata. Besoj shumë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL