EKSKLUZIVE/ Flamurtari ngre dyshime për brazilianin e Egnatias, ultimatum për trajnerin Moriero

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2026 | 9:31

EKSKLUZIVE/ Flamurtari ngre dyshime për brazilianin e Egnatias, ultimatum për trajnerin Moriero

Leo Melo shqetëson Flamurtarin. Trajneri Françekso Moriero është përballur me një tjetër “dhembje koke” në një moment delikat të sezonit. Blerja më e fundit e kuqezinjve nuk do të jetë i gatshëm në javët më vendimtare për skuadrën vlonjate. Leo Melo u dëmtua që në ndeshjen e debutimit kundër Tiranës. Mesfushori brazilian u aktivizua në minutën e 55-të, duke zëvendësuar Ramanin. Vetëm 13 minuta më pas, në minutën e 68-të, lojtari ndjeu shqetësime muskulore. Ai u detyrua të linte fushën, duke u zëvendësuar nga Burard, i cili tashmë është larguar nga skuadra.

moriero

Një debutim për t’u harruar për Melon, që u dëmtua pas vetëm 13 minutash lojë. Sipas informacioneve të gazetës, Leo Melo ka pësuar një tërheqje muskulore. Situata bëhet edhe më problematike për Flamurtarin, pasi lojtari pritet të mungojë gjatë. Burime pranë klubit konfirmojnë për “Panorama Sport” se mungesa e tij mund të zgjasë nga 3 deri në 5 javë. Kjo do të thotë se Melo nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet vendimtare që e presin skuadrën. Duke nisur që këtë fundjavë, në transfertën e vështirë ndaj Vorës. Në ambientin sportiv janë shtuar dyshimet se braziliani mund të ketë ardhur i dëmtuar në Vlorë. Në Rrogozhinë, me fanellën e Egnatias, 24-vjeçari është përdorur kryesisht si zëvendësues nga trajneri Edlir Tetova. Leo Melo e njeh mirë kampionatin shqiptar. Ai ka luajtur më parë edhe për Elbasanin. Prej vitit 2023, braziliani është pjesë e futbollit shqiptar.

ULTIMATUMI- Presioni mbi trajnerin Françekso Moriero është rritur ndjeshëm. Drejtuesit e klubit i kanë vendosur ultimatum teknikut dhe ekipit për ndeshjen me Vorën. Flamurtari duhet patjetër të dalë me pikë nga kjo transfertë. Një humbje tjetër mund të rezultojë fatale për trajnerin italian. Në rast disfate, palët mund të ndajnë rrugët menjëherë pas ndeshjes dhe trajneri të marrë avionin në Rinas për të “fluturuar” drejt shtëpisë. Pas humbjes me Tiranën, situata në Vlorë është trazuar ndjeshëm. Aktualisht Flamurtari ndodhet në vendin e parafundit me 18 pikë. Vlonjatët kanë një pikë më shumë se Tirana e fundit dhe një pikë më pak se Bylisi i vendit të tetë. Një tjetër hap fals mund t’i kushtojë shtrenjtë jo vetëm skuadrës, por edhe stolit kuqezi. PROJEKTIMI – Në Vlorë ka zëra që janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit dhe që flasin për ndryshime në pankinë.

Të gjitha shanset janë që kjo gjë të ndodhë dhe Françekso Moriero të mos e ketë të gjatë aventurën si kuqezi. Por momenti i “divorcit” me italianin mund të vendos në “provë” dy ish futbollistët e Flamurtarit që janë në stol. Prej disa vitesh Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj janë në rolin e zëvendës trajnerit. Ndoshta në këtë situatë ku gjendet skuadra, janë të gjitha mundësitë që atyre t’u jepet një mundësi në drejtim. Kjo do të thotë se nëse Moriero do të dështojë në Vorë apo edhe në ndeshjet e radhës (nëse i falet humbja në Vorë), plani është që skuadra t’i besohet dyshes Liçaj-Ribaj. Dy ish futbollistët e njohin mjaft mirë skuadrën, ambientin në Vlorë dhe çfarë kërkojnë vlonjatët, ndaj do të ishin një zgjedhje e mirë brenda familjes. Për më tepër si Liçaj ashtu edhe Ribaj në gjithë këto vite në drejtim e kanë marrë eksperiencën e tyre të drejtimit të skuadrës në pankinë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL