EKSKLUZIVE/ Flamurtari bojkoton Vllazninë, Idrizi: Asnjë zyrtar nuk udhëton në Shkodër
Zyrtarët e Flamurtarit do të bojkotojnë sot në shenjë proteste për dënimin e fushës vlonjate me 8 ndeshje pa tifozë, transfertën e Vllaznisë. Në Shkodër ka udhëtuar vetëm skuadra dhe stafi teknik.

Presidenti Sinani Idrizi dhe drejtues të tjerë të klubit nuk do të jenë të pranishëm në ndeshje. I vetmi që shoqëron ekipin është sekretari i përgjithshëm i klubit, Alfred Ferko. Madje në shenjë proteste nuk do të udhëtojnë as tifozët. Vendimi i klubit mësohet ekskluzivisht nga “Panorama Sport”. Është vetë presidenti Idrizi që konfirmon vendimin e marrë.
“Në shenjë reagimi ndaj vendimit të Disiplinës në FSHF, asnjë zyrtar i Flamurtarit nuk do të udhëtojë drejt Shkodrës. Nuk është e drejtë që për një incident të dënohet një qytet i tërë. Ekipi nuk do të bojkotojë kampionatin por se si zyrtar do të bojkotojmë çdo aktivitet të FSHF”, është shprehur Idrizi.
REAGON HAXHIU – Ish-futbollisti Saimir Haxhiu e cilëson shumë të rëndë vendimin e Disiplinës për të dënuar Flamurtarin me 8 ndeshje pa tifozë. Haxhiu i kërkon Apelit të marrë një vendim të drejtë.
“Dënimi me 8 ndeshje pa spektatorë dhe pa të drejtë konvertimi personalisht mu duk i rëndë dhe i padrejtë. Si mund të penalizosh një publik të tërë që po zbukuronte kampionatin. Një qytet që po mbante dritat ndezur vetëm nga ky futboll apo shpërdoruar një investim kaq te madh Ndëshkimin ta merrnin personat përgjegjës që hynë në fushë deri në ndalim hyrjeje në stadium. Qytetaria vlonjate mori një goditje të rëndë. Rishikojeni edhe njëherë si vendim sepse është është në të mire të të gjithëve. Edhe pse Flamurtari ju vret sytë, ta dini se ai stadium plot që ju e boshatisët po i jepte kuptim Superiores dhe po mbulonte hallet e Superiores”, përfundon Haxhiu.
E. SIKA-PANORAMASPORT.AL













