EKSKLUZIVE/ Flamurtari beson te mrekullia, trajneri Ribaj: Pres 3 pikë ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2026 | 11:06

EKSKLUZIVE/ Flamurtari beson te mrekullia, trajneri Ribaj: Pres 3 pikë ndaj Partizanit

Fitorja ndaj Dinamos ka rikthyer entuziazmin në Vlorë dhe duket se ardhja e Andi Ribajt në pankinë ka sjellë qetësinë që i mungonte skuadrës. Tekniku vlonjat po konsiderohet si njeriu që ka ndryshuar atmosferën në ekip, duke i dhënë Flamurtarit besim dhe stabilitet në një moment vendimtar të sezonit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Andi Ribaj pranon se Flamurtarin e presin tri sfida shumë të vështira, ndaj Partizanit, Teutës dhe Vllaznisë.

ribaj

Gjithsesi, ai thekson se skuadra vlonjate do të futet në fushë vetëm për fitore. Sipas tij, suksesi ndaj Dinamos ishte vendimtar për ta mbajtur ekipin në garë deri në fund. Me këtë frymë dhe me besimin e rikthyer, Flamurtari hyn në fazën vendimtare të kampionatit me synimin e qartë për të luftuar deri në fund. Dhe mesazhi i Andi Ribajt është i prerë: Flamurtari kërkon vetëm fitore.

Ribaj, këtë fundjavë luani me Partizanin në transfertë. Sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje? Me Partizanin do të jetë një tjetër ndeshje shumë e rëndësishme. Patjetër që na pret një përballje e fortë, sepse në këtë kampionat nuk ka ndeshje të lehta. Të gjitha takimet janë të vështira dhe kërkojnë vlerësim maksimal.

Çfarë prisni nga ky takim? Ne do të bëjmë maksimumin për të marrë tri pikët. Duhet të vazhdojmë deri në fund me këtë moment pozitiv që po kalojmë. Na duhet patjetër fitorja në këtë ndeshje dhe do të luftojmë për ta arritur.

Ju presin ndeshje të vështira. Mendoni se mund t’i kaloni me sukses? Kemi përpara ndeshje shumë të rëndësishme. Luajmë me Partizanin, më pas presim Teutën dhe më pas shkojmë në Shkodër. Do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Shpresojmë të marrim maksimumin për të arritur objektivin tonë. Do të bëjmë maksimumin për rezultate pozitive në këto ndeshje të mbetura.

Çfarë ka ndryshuar te Flamurtari në këto ndeshje të fundit? Ekipi ka gjetur qetësi. Djemtë po punojnë shumë mirë në stërvitje. Jo se më parë nuk kanë qenë korrektë, sepse janë profesionistë, por qetësia që kemi krijuar i ka dhënë skuadrës më shumë qartësi në lojë dhe në punë.

Jeni të kënaqur pas fitores me Dinamon? Fitorja me Dinamon ishte shumë e rëndësishme për të vazhduar garën deri në fund. Kishim përballë një ekip shumë të mirë dhe kjo u pa në fushë. Dinamo është një skuadër e fortë, me lojtarë cilësorë, por ne arritëm ta përballonim ndeshjen deri në fund dhe të merrnim tri pikë shumë të vlefshme.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL