EKSKLUZIVE/ “E ndjej ende veten pjesë të bluve”, Zabërgja: Dinamo më dha shumë, do të fitojë Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2026 | 8:23

EKSKLUZIVE/ “E ndjej ende veten pjesë të bluve”, Zabërgja: Dinamo më dha shumë, do të fitojë Kupën

Dinamo do të përballet sot me Egnatian në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe ish-sulmuesi i bluve, Baton Zabërgja është i bindur se po përballen dy nga skuadrat më të mira.

zabergja

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Zabërgja ka bërë edhe një krahasim mes kampionatit shqiptar dhe atij ukrainas, ndërkohë që u ndal edhe te Dinamo. Zabërgja shprehet se blutë nuk po vuajnë për golashënues, duke përmendur faktin se Dejvi Bregu po bën një sezon shumë të mirë.

Baton, një sezon që je larguar nga Superiorja. Si po të duket kampionati ukrainas?

Kampionati ukrainas është një kampionat shumë i fortë dhe konkurrues. Mendoj se është një mundësi shumë e mirë për çdo futbollist që të zhvillohet edhe më shumë, si nga ana profesionale ashtu edhe në aspektin personal.

A e keni ndjekur Dinamon gjatë këtij sezoni? Si të është dukur?

Normalisht që e kam ndjekur Dinamon gjatë gjithë sezonit, sepse është një klub që më ka dhënë shumë dhe ende e ndjej veten pjesë të tij. Mendoj se skuadra ka bërë paraqitje shumë të mira dhe në disa momente ka treguar se kishte potencial për të arritur edhe më shumë.

Çfarë mendon se nuk ka shkuar siç duhet këtë sezon me blutë?

Çdo ekip gjatë një sezoni ka ulje-ngritjet e veta dhe kjo është normale në futboll. Megjithatë, në përgjithësi besoj se Dinamo ka zhvilluar një sezon pozitiv dhe ka treguar cilësi të mira në shumë ndeshje.

Do të luhet finalja e Kupës ndaj Egnatias. Si e parashikon?

Mendoj se Dinamo dhe Egnatia kanë qenë dy nga ekipet më të mira të këtij sezoni, ndaj pres një finale shumë të bukur dhe të luftuar. Besoj se do të vendoset nga detajet, por shpresoj që në fund trofeu të shkojë për Dinamon.

Që nga largimi juaj, Dinamo është dukur se vuan për një golashënues. Si mund të zgjidhet kjo?

Sinqerisht nuk mendoj se Dinamo ka vuajtur shumë për një golashënues pas largimit tim, sepse Dejvi Bregu ka bërë një sezon shumë të mirë dhe ka shënuar mjaft gola. Ai ka ndihmuar skuadrën që të mos ndihet shumë mungesa në atë aspekt.

Vazhdoni të mbani kontakte me lojtarët e Dinamos? A ka futbollistë që mund të bëjnë hapin jashtë Shqipërisë?

Po, vazhdoj të mbaj kontakte me shumicën e lojtarëve, sepse siç e thashë edhe më parë, ende e ndjej veten pjesë të ekipit. Mendoj se Dinamo ka disa lojtarë shumë cilësorë dhe besoj se gjatë merkatos së verës disa prej tyre mund të bëjnë hapin drejt ndonjë ekipi europian.

Gara për titullin, si mendon se do të vendoset deri në fund?

Formula “Final Four” ka bërë që ekipi që ka grumbulluar më shumë pikë gjatë kampionatit të rregullt të ketë një avantazh të vogël. Megjithatë, futbolli vendoset në fushë dhe besoj se gjithçka do të përcaktohet vetëm në fund.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL