EKSKLUZIVE/ E mbylli me Tiranën, sulmuesi largohet edhe nga klubi që i zotëronte kartonin
Sulmuesi Fatmir Pregaj e mbylli sezonin e shkuar si i huazuar nga Vora e Kategorinë e Parë te Tirana në Superiore. Pas përfundimit të sezonit 2024-2025, 24-vjeçari u rikthye te kampionët e Kategorisë së Parë, por duket se ai nuk ka të ardhme me Vorën në Superiore. Edhe pse ishte nën kontratë me Vorën, mësohet se palët kanë vendosur që ta ndërpresin bashkëpunimin dhe Prengaj ka marrë dokumentacionin, duke dalë lojtar i lirë.

Sezoni i fundit nuk ka qenë fatsjellës për 24-vjeçarin, pasi dëmtimet nuk i dhanë mundësi që të shfaqtë potencialin e tij te bardheblutë e kryeqytetit. Mbetet për të parë se cili do të jetë destinacioni i ri i Fatmir Prengajt, i cili u bë pjesë e Vorës më 18 janar 2023, kur erdhi për herë të parë nga klubi i Laçit.
Prengaj ka luajtur dy herë i huazuar nga klubi i Vorës, fillimisht te Laçi gjatë sezonit 2022-2023 për gjysmë kampionati dhe gjatë sezonit 2024-2025 te Tirana për një sezon. Sulmuesi u mendua se do të ishte pjesë e Vorës për sezonin e ri 2025-2026, por palët kanë vendosur që të ndahen pa nisur puna për edicionin e ri. Vora ka pasur firo gjatë kësaj periudhe në sulm dhe duke mos pasur edhe sigurinë e kthimit të Ruzgis, i bie që ndërhyrja në merkato për këtë repart të jetë e detyrueshme.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













