EKSKLUZIVE/ “Do të luftojmë edhe për kampionatin”, mesfushori i Dinamos flet pas golit në finale: Krenar për Kupën, s’fjeta gjithë natën (E PLOTË)
Dinamo nuk ishte shumë aktive në merkaton e janarit, megjithatë me afrimin e mesfushorit Ajodeji Malomo, blutë kanë bërë një goditje të madhe si në mesfushë, ashtu edhe në realizimin e golave.
Mesfushori nigerian ishte protagonist edhe në fi nalen e Kupës së Shqipërisë, duke qenë ndër më të dalluarit në fushë, teksa realizoi edhe golin e avantazhit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori u shpreh se ndihet krenar për arritjen që skuadra e tij bëri, e për më tepër që ndihmoi me gol në këtë takim.
Shënove një gol shumë të rëndësishëm në finalen e Kupës dhe fi tuat trofeun e parë në Shqipëri. Çfarë emocionesh ke pas këtij momenti?
Sinqerisht, nuk kam mundur të fle gjithë natën pas finales, sepse isha jashtëzakonisht i lumtur. Të fitoj trofeun tim të parë në Europë është një moment shumë i veçantë për mua, sidomos duke ditur që ndihmova ekipin me një nga golat që na siguroi Kupën. Ishte një ndjenjë krenarie dhe emocioni që vështirë përshkruhet me fjalë. Këto janë momentet për të cilat çdo futbollist punon dhe sakrifikon çdo ditë.
Vetëm pak muaj më parë ishe te Bylis, ndërsa tani je pjesë e Dinamos. Çfarë do të thotë ky transferim për karrierën tënde?
Si futbollist, gjithmonë dëshiron të hedhësh hapa përpara në karrierë dhe të rritesh vazhdimisht. Për mua ishte një moment shumë i rëndësishëm kur Dinamo tregoi interes konkret. Ky transferim më ka dhënë mundësinë të jem pjesë e një klubi me objektiva të mëdha dhe me më shumë presion pozitiv për të fi tuar. Mendoj se ky hap më ka ndihmuar shumë si profesionalisht, ashtu edhe personalisht.
Sa ndryshe është atmosfera te Dinamo dhe sa ka ndikuar tek ty fakti që skuadra lufton për objektiva madhorë?
Atmosfera te Dinamo është shumë e mirë dhe kjo më ka ndihmuar të ndihem i qetë që nga dita e parë. Kur je pjesë e një skuadre që lufton për trofe dhe për të dalë në Europë, motivimi është edhe më i madh. Kjo të shtyn të japësh maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Objektivat e klubit më kanë ndihmuar të kem më shumë besim dhe të rrit nivelin tim.
Çfarë objektivash personalë ka vendosur Malomo për të ardhmen?
Objektivi im kryesor është të vazhdoj të rritem në Europë dhe të bëj hapa edhe më të mëdhenj në karrierë. Dua të përmirësohem çdo sezon, të fi toj më shumë eksperiencë dhe të jem gjithmonë në nivele më të larta. Aktualisht jam i fokusuar te Dinamo dhe dua të jap maksimumin për ekipin, por në të ardhmen sigurisht që synoj të arrij në kampionate edhe më të forta europiane.
E kishe imagjinuar një sezon kaq pozitiv, me kaq gola të shënuar me Dinamon që në momentin kur erdhe?
Në fillim nuk ishte aspak e lehtë për mua. Dy ose tre javët e para te Dinamo ishin të vështira, sepse nuk u përshtata menjëherë me ekipin dhe ambientin e ri. Megjithatë, ajo që më ndihmoi shumë ishte besimi që trajneri tregoi ndaj meje. Ai më dha qetësi dhe vetëbesim, dhe gradualisht gjërat nisën të funksiononin gjithnjë e më mirë. Sot jam shumë i lumtur që gjithçka po shkon në drejtimin e duhur.
Gara për kampionatin është ende e hapur. Beson se Dinamo ka ende shanse reale për titullin në “Final 4”?
Jemi pak prapa në garën për kampionatin, por futbolli është i paparashikueshëm dhe ne ende besojmë. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe do të luftojmë deri në fund në ndeshjet e mbetura. Objektivi ynë është të fitojmë të tria ndeshjet dhe më pas të shohim ku do të pozicionohemi në renditje. Për sa kohë matematika na mban në garë, ne do të vazhdojmë të besojmë.
Gjatë sezonit ke luajtur në disa pozicione të ndryshme në fushë. Në cilin rol mendon se jep maksimumin tënd?
Gjatë sezonit kam luajtur në disa role dhe jam përpjekur gjithmonë të ndihmoj ekipin aty ku trajneri ka pasur nevojë për mua. Megjithatë, mendoj se pozicioni ku ndihem më mirë dhe ku jap maksimumin tim është si mesfushor i djathtë, në rolin e numrit 8. Në atë pozicion ndjej se mund të kontribuoj më shumë si në fazën sulmuese, ashtu edhe në organizimin e lojës.
Bylis ra nga Kategoria. Ke folur me shokët e ishskuadrës dhe si e përjetove personalisht atë situatë, duke qenë se ishe pjesë e ekipit?
Po, kam folur me disa nga ish-shokët e mi të skuadrës, si Abubakar Kamara, Moukthar Koxhi dhe Ofori MekKarthy. Ishte e vështirë për mua të shihja Bylisin të binte nga kategoria, sepse kam qenë pjesë e atij grupi dhe kam kaluar momente të mira atje. E di sa shumë kanë luftuar lojtarët dhe stafi gjatë sezonit. Megjithatë, besoj te cilësia që ka skuadra dhe jam i bindur se me grupin aktual, Bylis mund të rikthehet sërish në Superiore pas vetëm një sezoni.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













