EKSKLUZIVE/ “Dinamo për titull, por me emrin e vjetër”, ish-trajneri Bici analizon Superioren dhe kryeqytetin: Tirana duhet të jetë si Reali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2026 | 22:44

EKSKLUZIVE/ “Dinamo për titull, por me emrin e vjetër”, ish-trajneri Bici analizon Superioren dhe kryeqytetin: Tirana duhet të jetë si Reali

Dinamo e mbylli vitin 2025 duke fituar Superkupën e Shqipërisë dhe për ish-trajnerin e bluve, Vasil Bicin, ky është viti ku Dinamo mund të synojë titullin kampion.

Bici

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, veç Dinamos, Bici ka analizuar edhe pjesën tjetër të Superiores ku u ndal te Tirana e Partizani, dy skuadrat që këtë sezon nuk po arrijnë të shfaqin potencialin dhe të jenë në garë për objektivat për të cilët kanë luftuar gjithmonë.

Profesor, si e ke parë këtë sezon të Superiores, kur janë mbyllur dy fazat e para?

Ajo që është më e rëndësishme këtë vit është se terrenet janë përmirësuar vit pas viti. Ka terrene ku mund të shfaqesh dhe të luash futboll të mirë. Por, ajo që të vret shumë është mungesa e sportdashësve dhe tifozëve. Stadiumet bosh dhe është diçka që duket se është njëjtë, sot, nesër, javën tjetër apo edhe çdo ditë! Si për Superkupën, gjithçka përsëritet. Stadiumi model, gjithçka perfekte dhe ishte pothuajse bosh, dhe kjo është për të ardhur keq.

Abandonimi i tifozëve, largimi i tyre nga stadiumet, është një fenomen që na trishton. Në një kohë kur stadiumet kanë përmirësuar kushtet dhe futbolli është më dinamik, mungesa e tifozëve është një humbje e madhe. Adrenalina e futbollistëve ndryshon, rritet kur ka tifozë që mbështesin skuadrat. Ikja e tifozëve e ftoh lojën dhe bukurinë e saj. Nuk po kanë më adrenalinë as skuadrat dhe as lojtarët.

Si mund të rregullohet? Çfarë mund të bëhet për t’i rikthyer?

Ka shumë faktorë që ndikojnë në largimin e tifozëve. Një prej tyre është largimi i popullsisë nga qytetet, por gjithashtu ka probleme sociale që ndikojnë. Përveç kësaj, ka rënë cilësia e disa skuadrave, dhe kjo ka ndikuar tek tifozët. Shumë skuadra të mëdha, mite e qyteteve të mëdha, që dikur kishin tifozëri të fortë, tani po kalojnë në një periudhë të vështirë.

Rënia e skuadrave të mëdha dhe rritja e atyre të vogla ka ndikuar në interesin e tifozëve. Gjithashtu, futja e shumë lojtarëve të huaj dhe ikja e lojtarëve vendas ka ftohur tifozët. Ndryshimi i skemës dhe mënyrës si luhet futbolli, ku nuk kemi shumë lojtarë bio dhe kam parë se ekipet më të mira në vend, kanë pak prodhim vendës.

Po Dinamon, që ka fituar edhe trofeun e dytë, si e ke parë këtë sezon?

Dinamo mbetet skuadër e mirë, skuadër mit, kryefjala e futbollit dhe ka një historik. Më vjen keq ndryshimi i emrit, “Dinamo City” nuk më tingëllon mirë, sepse Dinamo ka pasur një traditë të fortë si “Dinamo Tirana”. Ka pasur klub dhe organizim e gjithçka, çfarë mund të themi në futbollin shqiptar kur fusim një “City” që nuk ka asnjë lidhje.

Emri i ri nuk ka të njëjtin peshë historike. Përkundër kësaj, skuadra ka bërë një punë të mirë këtë vit dhe ka një staf të shkëlqyer. Kjo ka ndihmuar për të pasur një sezon të mirë. Megjithatë, ndodhi një gafë në ndeshjen me Egnatian, ku goli i barazimit ishte rezultat i një gabimi nga portieri. Kjo është një mundësi për t’u përmirësuar. Dinamo është ende një nga skuadrat që mund të pretendojë për titullin.

A e sheh Dinamon si një pretendente për titullin?

Pa diskutim. Dinamo, Vllaznia, Egnatia, Elbasani janë skuadra që konkurrojnë fort për titull. Teuta sivjet duket se nuk po arrin të ketë të njëjtin nivel si të tjerat për titullin kampion. Kampionati ka shumë mundësi dhe sfida, dhe barometri më i mirë është tifozët, të cilët tashmë e kanë braktisur futbollin.

Çfarë mendon se i mungon Dinamos për të fituar titullin kampion pas një pritjeje kaq të gjatë?

Dinamo është mjaft e fortë këtë vit, dhe është e qartë se ka një staf të kualifikuar. Meritat janë edhe të trajnerit Daja, që ka shumë përvojë dhe njohuri të thella për futbollin shqiptar. Megjithatë, një trajner i mirë nuk mund të bëjë gjithçka vetëm. Duhet një skuadër e fortë dhe lojtarë të mirë për të arritur sukses. Pra, trajneri është një faktor, por jo i gjithë faktori.

Dinamo duhet të ketë më shumë lojtarë të kualifikuar për të fituar titullin. Po garën për mbijetesë, si e ke parë këtë vit, veçanërisht ekipet e kryeqytetit që nuk po bindin? Është për të ardhur keq kur shoh si ka mbetur Tirana dhe si është katandisur në një kohë kur ka shumë mundësi financiare me bashkëpunim në grup sepse nuk mund të bëhet Tirana pronë e një personi.

E respektoj Halilin për kontributin që ka dhënë por nuk mund të jetë në një person. Tirana duhet të jetë konkurrente me Real Madridin, me Romën sepse është kryeqyteti i një shteti. Është kryeqyteti i një vendi ka 10 milionë banorë brenda dhe jashtë vendi. Nuk mund të rrijë te një person. Halili ka dhënë kontribute të mëdha por tani janë kontribute për mbijetesë dhe jo për kampion.

Tirana duhet të jetë për kampion, vetëm ashtu i ka hije, Tiranës, Vllaznisë apo të tjerave. Partizani ka shfaqur disa herë ndeshje të mira dhe sinjale, por është larg skuadrës që tifozët duan apo të gjithë presin sepse siç e thashë, këto ekipe me emër janë gjithmonë për titull kampion dhe nuk mund t’i shohësh duke luftuar për të qëndruar apo jo në Superiore.

A e sheh Tirana të rrezikuar për rënien nga kategoria, apo mendon se do të ndryshojë diçka në merkaton e janarit?

Do të shohim në gjysmën e dytë të kampionatit. Mund të bëhen disa ndryshime dhe korrigjime, por kjo do të varet shumë nga buxheti që ata kanë. Në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me buxhetin, me mundësitë financiare për të ndërtuar një skuadër konkurruese. E kam pasur eksperiencën time si trajner i Dinamos në një periudhë, kur shkuam në Rumani të luanim me Otolul Galacon. Më pyetën pse keni ardhur, iu thashë për të fituar.

Ne kishim buxhet 700 mijë euro dhe ata ishin 60 milionë në vit. Që këtu më thanë, ju jeni të dështuar dhe në fakt ashtu doli sepse sot është gjithçka me buxhet. Mund të blesh lojtarë, të investosh, apo të bësh gjëra të mëdha. Te Tirana dua të shoh një organizim tjetër sepse gjithçka është me korrektësi e buxhet.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL