EKSKLUZIVE/ Bledi Shkëmbi analizon Superioren: Egnatia sfidë kyçe për Tiranën, Partizani u dobësua shumë
Nga Egnatia tek Egnatia, Bledi Shkëmbi kthehet të flasë për Tiranën e tij. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-trajneri i bardhebluve analizoi ish-skuadrën e tij. Ruajti respektin maksimal për trajnerin Gugash Magani dhe punën e këtij të fundit. Shkëmbi pranoi se takimi me rrogozhinasit është vendimtar për të ardhmen e Tiranës.

Tha se skuadrës së Maganit ashtu edhe të tij i ka munguar fati, ndonëse në fund janë këmbët ato që sjellin fitoren të një ekip.
Shkëmbi uroj të jeni mirë. Si e keni parë këto javë ekipin e Tiranës?
Të them të vërtetën është pak e vështirë që të flasësh, por unë vazhdoj të mendoj pjesën që me skuadrën që ka, grupi duhet të bënte më shumë. Të paktën në pikë. Ka ndryshuar mënyra e lojës e me radhë. Po e përsëris që duhet të kishte më shumë pikë se çfarë ka aktualisht.
E çuditshme, skuadra nuk ka pasur fat në shumë ndeshje. Edhe ju e vuajtët këtë situatë?
Unë do të flas për situatën kur isha unë. Dua të sqaroj se kam shumë respekt për Gugash Maganin, por edhe për të gjithë kolegët. Kushdo që të ishte nuk do ta analizoja kurrë punën e tyre. E vërtetë është që nuk pata fat. Tani jam më i qetë se kur isha në skuadër. Fati nuk ishte me ne. Në momente të veçanta kemi vuajtur nga arbitrat. E kam thënë disa herë këtë problem. Për fat të mirë tani dihet se ku do të luajë skuadra, në “Arena Kombëtare”, ndërsa në kohën time për fat të keq, për më tepër edhe për mënyrën sesi luanim apo doja unë të luanim, takimet i zhvilluam në fusha jo të mira. Vërtet fati na ka munguar, për ndonjë humbje apo barazim. Nëse do të kishte më shumë durim, kjo skuadër të bënte më mirë dhe jam i bindur se kjo skuadër do të ecë përpara se është një ekip i mirë.
Ju thatë që kjo skuadër nuk është për vendin e nëntë. Po si mund të dalë të largohet nga fundi i tabelës?
Skuadra është e re, dhe do kohë, sepse nuk ka eksperiencë në Superiore. Janë mbledhur 15 futbollistë nga fillimi për të luajtur në një kampionat goxha të vështirë dhe kjo është kryesorja. Do të ishte më e thjeshtë nëse do të kishte 2-3 fitore rresht. Ekipi do të kishte marrë besim. Tirana tani vuan në fundin e tabelës. Vuan pikët dhe kjo është e dukshme. Në futboll, kush ka luajtur e di mirë që triumfi nuk kërkohet me fjalë apo mend, por duhet t’u japësh këmbëve, duke pasur besim te vetja. Kjo është e vetmja mënyrë që mund të kalohet kjo situatë.
Tirana ka afruar disa lojtarë këtë merkato janari. Si i keni parë këta futbollistë?
Sulmuesi ose tipi i sulmuesit që ka marrë tani Tirana e kam dëshiruar edhe unë. Për fat të keq nuk e gjetëm. Për Tiranën kjo forcë është plus në sulm. Në ndeshjen që pashë më pëlqeu. Plus që kanë ardhur edhe dy mesfushorë që duhet të kalojë pak kohë që t’i shohim, ndonëse te Tirana vetëm koha nuk pret. Për më tepër që kampionati është në fund. Skuadra duket më e plotësuar. Janë afruar disa lojtarë që edhe unë i kërkoja që në fillim si një mesfushor pas sulmuesit. Për brazilianin flas. Është për t’u parë dhe për të nxituar e shpresuar që këta futbollistë të jenë në maksimumin e tyre për të bërë mirë.
Tirana u eliminua nga Kupa. Si e vlerësoni?
Sinqerisht nuk e prisja. Mendoja që Tirana do ta kalonte Bylisin, pavarësisht respektit që kam për këta të fundit që po bën. Nisi mirë ndeshjen, por më pas nuk e di se çfarë ndodhi. Skuadra nuk ishte ajo e minutave të para. Çdo minutë që kalonte luante më dobët. Pjesa e dytë m’u duk akoma më e dobët, por mendoj se ndoshta ishte gabim luajtja në stadiumin e Vorës. Kështu e mendoj unë…
Ju u larguat pasi u mundët nga Egnatia. Si e vlerësoni sfidën me rrogozhinasit?
Egnatia i vjen Tiranës në një moment kyç të kampionat. Këtë mund ta themi në çdo javë, por realisht vjen në një situatë të vështirë, sepse është pas eliminimi i Kupës. Për mua është sfidë kyçe që Tirana të bëjë mbi maksimumin e saj për të fituar tre pikët.
Jo se nuk ka kohë dhe ndeshje, por ana psikologjike do të jetë shumë më e rënduar se ç’është në këtë moment. Jam i bindur që është e rënduar në këtë moment. Tani asgjë nuk mund të fshihet. Të gjithë e dinë se ana psikologjike te tani nuk është më e mira te Tirana apo skuadrat që janë në fund të tabelës.
Si e ke parë Superioren dhe bazuar në organikën që kanë, cilat janë skuadrat që ju kanë befasuar?
Nga organika, Dinamo është aty ku duhet. Po kështu edhe Egnatia. Vllaznia po edhe po. Partizani është për t’u parë, sepse mendoj që është dobësuar shumë sidomos me ikjen e Carës, Mbasë, Rrapajt. Gjithsesi, do të shohim afrimet. Pjesën tjetër, veç Tiranës, edhe Skënderbeun e prisja me pikë më shumë.
Duke u kthyer në kohë, cilat janë pengjet e Shkëmbit në këtë aventurë me bardheblutë?
Për peng nuk mund të them se është vetëm një sfidë. Unë nuk justifikohem më, sepse s’ka përse. Jam i kënaqur me pjesën që me një skuadër shumë të re, bënim një futboll goxha të mirë. Dhe kjo duke e krahasuar me skuadra që kanë shumë vite të ndërtuara. Peng kam që nga ndeshja e parë me Laçin, ndeshja me Vllazninë, me Bylisin, me Elbasanin në “Arena Kombëtare”. Të gjithë këto ishin pikë të humbura dhe sfida që ne meritonim t’i fitonim. Për fat dhe eksperiencë të munguar të sulmuesve që nuk mbyllnin dot ndeshjen nuk arrinim t’i fitonim. Patjetër që ka edhe gjëra negative siç ishte pjesa e dytë e ndeshjes me Egnatian. Loja ime më e dobët apo Bylisi në pjesën e parë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













