EKSKLUZIVE/ Ballgjini: Gjestin e Martinit nuk e bënë as serbët, Vllaznia s’duhet ta lejojë më në pankinë (E PLOTË)
Dinamo duket se është ndërtuar për të fituar titullin kampion këtë sezon dhe diçka të tillë, e thotë ish-sulmuesi legjendar Shyqyri Ballgjini.
I njohur si “makineria e golave”, Ballgjini shprehet në intervistën për “Panorama Sport” se Dinamo është skuadër me investim, ndërkohë që u ndal edhe te ndeshja me Vllazninë, që solli polemika të shumta si para ndeshjes, ashtu edhe pas saj për shkak të festimit të Martinit. Ndërkohë, Ballgjini shton se Dinamos i mungon njeriu gol.
Z.Ballgjini, si po të duket Dinamo?
Po, në ndeshjen me Vllazninë isha në stadium në Shkodër. Nëse duhet të flasim për ndeshjen, mund të them se ndeshja ishte një gjë tjetër. Unë në fund i thashë presidentit të Dinamos, Ardianit: “Ardian, ekipi e mposhti Vllazninë. Dinamoja fitoi kundër Vllaznisë, por Dinamo nuk fitoi dot kundër gjyqtarëve. Një gjykim jashtëzakonisht i ndyrë, i pështirë, i pashpjegueshëm.” E pamë, e ripamë aty te shkallët e stadiumit, përmes telefonave të stafit të Dinamos, qoftë goli i tyre që ishte shqeto “offside”, ose goli i Dinamos që ja anuluan, plus edhe dy penallti në favor të Dinamos. E keqja është se kjo nuk është ndeshja e parë që i ndodh Dinamos. Janë bërë disa ndeshje dhe po ta them se u bë e zakonshme, këta gjyqtarët janë kundër Dinamos. Nuk e di pse ky qëndrim ndaj Dinamos. Sepse unë i kam parë disa ndeshje, madje në stadium, dhe Dinamo pjesën e dytë e luajti jashtëzakonisht lart dhe shumë mirë. Pastaj e mposhti në çdo drejtim por fatkeqësi dhe gjynah për ekipin sepse mund të shënonin disa herë por nuk ia doli por vendosën gjyqtarët në këtë takim mund ta them.
Ndërkohë, ndeshja u shoqërua me polemika para ndeshjes dhe tension gjatë ndeshjes…
Meqë foli Edi Martini, më vjen keq, sepse e kemi pasur trajner edhe këtu në Durrës. Shiko, mua më vjen keq për atë gjest që bëri kundër Dinamos, me atë shenjë të ndyrë e të turpshme te stoli. Që aty, ai nuk duhet ulur më në atë pankinë, të themi atë që është. Ne rrafëm serbin brenda në Serbi dhe çohet trajneri serb, përqafon trajnerin shqiptar dhe llogarite si jemi ne me Serbinë. Dhe ne që jemi shqiptarë, çfarë bëjmë? Këto marrëdhënie duhen ruajtur. Janë punët e tyre se çfarë flasin për ekipet, por mua mos më ofendo. Doli pastaj në Konferencë shtypi dhe e pranoi vetë.
Ata luajtën futboll e ne fituam tha Martini. Me pak fjalë, në atë moment që nuk di ta shpjegoj sepse nuk di ishte eufori apo çfarë. Pikë mbaroi, e la intervistën. Ai ishte i ndërgjegjshëm për atë që tha Daja se i dhamë leksion si luhet futboll. Edhe po të mos i kishte dhënë leksion, ai do e mbrojë ekipin por realisht i ka dhënë leksion. Dinamo dhe Vllaznia janë mbajtur për futboll korrekt dhe futboll të bukur. Hajde luajmë të dy dhe kush të fitojë të ditojë.
Për mua si Shyq, federata duhet të ndalet te Martini për atë gjest publik. Nuk është diçka private, e bëri para të gjithëve, shqeto dhe e pashë unë. Stafi i Dinamos në tribunë shumica nuk e panë. E panë të gjithë tifozët, mediat, stafet apo edhe presidentët. Unë i thash Bardhit “shiko çfarë po bën ky”, por Bardhi nuk donte ta besonte që Martini kishte bërë me të vërtetë një gjest të tillë. As ai vetë nuk e kuptoi se çfarë po bënte.
Duke lënë pas ndeshjen me Vllazninë, si e ke parë Dinamon në këto javët e tjera të kampionatit?
Unë do të thosha që disa ndeshje nuk kanë qenë në gjendjen që unë besoj se Dinamo mund të jetë. Ardiani ka bërë një investim të madh për Dinamon. Mos harroni se ka një grup lojtarësh shumë të mirë dhe normalisht trajner e një staf shumë të mirë. Opinioni i përgjithshëm është që Dinamo është ndër ekipet më të mira në tregun shqiptar dhe po flas me gjuhën e futbollistit e jo të tifozit. Ai ka krijuar një “ansambël”, një frymë shumë të mirë dhe është më i miri. Kam qenë aty kur u ka thënë lojtarëve, luani futboll, arbitri është një, dy, tre, katër herë kundër por edhe ata do të zbuten. Nuk kanë çfarë bëjnë, nuk do i bien murit me kokë.
Dinamo për mua është pretendentja kryesore për titullin kampion. Unë nuk e them sepse kam luajtur 9 vite te Dinamo, 9 te Durrësi, te Lokomotiva, por sepse e shoh realisht ekipin. Ai ka krijuar një ekip shumë të mirë. Loja e Dinamos do vijë në vijë, ndeshje pas ndeshjeje. Kam besim se do shprehen edhe më mirë. Edhe në stol ka lojtarë me disnivel shumë të vogël mes atyre që hyn dhe atyre që dalin, siç i thonë janë “plus minus pesë”. Kam besim se do të shprehen më mirë në vazhdim.
Ju kanë njohur si “makineria e golave”. Ndërkohë, Dinamos po i mungon një golashënues….
Kjo është e vërtetë. Unë po flas tani sepse koha jonë ka ikur, Shyqi ka 30 vite që ka ikur por po them dhe po marr shembull. Ka pasur vite që në kampionat dolën 3 golashënues dhe të tre ishin lojtarë të Dinamos si golashënuesit më të mirë. I pari ishte Ilir Përnaska me 19 gola, i dyti Vasillaq Zëri me 16, unë isha i treti me 13 gola, me 48 gola në total, ndërsa kampionati kishte në total 50-60 gola në sezon. Tani Dinamos i mungon ai finalizuesi para portës. Ka raste, ka aksione, por s’shënon. Dhe po s’bëre gol, si fiton ndeshjen? Është e vërtetë që nuk po e gjen rrugën e rrjetës.
A mendon se mund të ndikojë kjo mungesë e golashënuesit në vazhdimësi?
Patjetër që ndikon sepse si do të fitosh pa gola? Një tifoz i vjetër më thoshte kur nisa të luaja futboll, “Goli të bën zotni.” Dhe kishte plotësisht të drejtë edhe pse ishte popullorshe. Ishte thënie e goditur. Patjetër që trajneri Daja do sulmues sepse nuk ka finalizim. Mund të luash bukur, por pa gol s’fiton. Dinamos i mungon finalizimi. Ka mungesë përpara portës. Me gjithë rastet, po s’shënon, vështirë. I kam thënë edhe presidentit që kanë raste për të shënuar po nuk po realizojnë. Ta lëmë një herë gjyqtarin, e marrim sikur e ka mbajtur mirë dhe nuk ka bërë gabime.
Por problemi është goli dhe shumë i saktë qëndrimi juaj që mungon goli. Keni të drejtë kur thoni nuk shënon. Kanë ikur disa lojtarë shumë të mirë si Zabërgja, që ishte golashënues i madh. Ai dhe Mandela ishin shumë të fortë. Tani kanë ndërruar shumë në sulm, por i mungon ai “killer-i” i zonës. Megjithatë, Dinamo ka krijuar masë, lojë, organizim, por duhet ai njeriu i golit. Ai dhe Zabërgja ishin lojtarë që realizonin dhe nuk është e lehtë që ta ndërrosh komplet repartin e sulmit por jam i bindur se do të ndryshojë.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













