Egnatia, tani problemi mbeten kartonët e shumtë
Pas një fillimi sezoni të vështirë dhe rezultateve të paqëndrueshme, Egnatia përgatitet për ndeshjen vendimtare ndaj Bylisit në Ballsh.

Për bardhëjeshilët, kjo nuk është thjesht një ndeshje tjetër kampionati, por një mundësi për të lënë pas krizën e fillimit të sezonit dhe për të rikthyer moralin tek lojtarët dhe tifozët. Presioni është i lartë, por stafi teknik dhe trajneri kërkojnë mbi të gjitha qetësi dhe përqendrim maksimal, duke ditur se çdo veprim i gabuar mund të kushtojë shtrenjtë. Kampionët nuk vijnë me moralin dhe gjendjen e tyre më të mirë, por gjithsesi objektivi mbetet i njëjtë: fitorja.
KARTONËT, PROBLEMI KRYESOR – Egnatia ka hasur vështirësi të dukshme në aspektin disiplinor. Në dy ndeshjet e fundit, skuadra ka marrë tre kartonë të kuq dhe shtatë të verdhë, një tregues shqetësues që mund të ndikojë seriozisht në performancën e ekipit. Dy mungesa të sigurta për sfidën me Bylisin janë Abdurraman Fangaj dhe Xheferson, të ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa situata komplikohet nga dëmtimet e lojtarëve të tjerë dhe ardhja e të rinjve që sapo janë bashkuar me ekipin. Vetëm ndaj Elbasanit u morën plot dy të kuq dhe gjashtë të verdhë. Kjo e bën menaxhimin e lojtarëve dhe ruajtjen e qetësisë kritike për suksesin. Trajneri ka kërkuar që çdo veprim të jetë i matur dhe lojtarët të mos bien pre e acarimeve që mund të çojnë në kartonë të tjerë dhe mungesa të mëtejshme. Për Egnatian, disiplina në fushë është pothuajse po aq e rëndësishme sa taktika dhe aftësia teknike.
QETËSIA PSIKOLOGJIKE – Stafi teknik ka punuar jo vetëm te aspektet taktike, por edhe mbi qetësinë psikologjike të lojtarëve. Trajneri ka insistuar që çdo lojtar të jetë i përqendruar dhe të kontrollojë nervozizmin, duke shmangur situata që mund të ndikojnë negativisht në ritmin e lojës. Në këtë kuadër, strategjia e bardhëjeshilëve synon të ruajë ekuilibrin në mbrojtje, të përfitojë nga hapësirat kundërshtare dhe të shfrytëzojë çdo mundësi për të shënuar, pa rrezikuar të humbasë ndeshjen për shkak të mungesave ose kartonëve. Pavarësisht sfidave, besimi tek fitorja mbetet i fortë. Lojtarët e dinë rëndësinë e tre pikëve dhe janë të motivuar të tregojnë se Egnatia mund të rikthehet nga kriza e fillimit të sezonit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













