Egnatia përgatit “kartat” e finales, ka dhe duel pankinash
Akti i parë u mbyll me sukses. Bëhet fjalë për vendin e parë në kampionatin e rregullt, me Egnatian, që pasi e rimori këtë pozicion, e mbajti deri më fund, duke arkëtuar edhe 100 milionët si shpërblim që jepen nga federata. Në ndeshjen e fundit ndaj Teutës u luajt thjesht sa për statistikë dhe Edlir Tetova e pati më shumë mendjen te finalja që do të kenë në Kupën e Shqipërisë me Dinamon, në datën 1 maj në “Elbasan Arena”, sesa tek ajo se çfarë do të prodhonte dueli në “Niko Dovana”.

Në njëfarë mënyre, Kupa është edhe akti i dytë që fituesit në fuqi dy herët e fundit të këtij trofeu duan gjithashtu ta mbyllin me sukses. “Kartat” para duelit me blutë e kryeqytetit duket se janë në rregull për ekipin e drejtuar nga Edlir Tetova. Sakaq, akti i tretë më pas është mbrojtja e titullit kampion, por gjithsesi për momentin vëmendja maksimale është në finalen e Kupës ndaj dinamovitëve.
Ndaj Teutës, Tetova u mundua që të bënte disa lëvizje mes titullarëve, për të pasur një organikë sa më të freskët të enjten në “Elbasan Arena”. Shpresohet që, përveç Edison Ndrecës të dëmtuar, pjesa tjetër të jetë e gatshme, ku dihet që shqetësimin më të madh e ka Regi Lushkja, i cili u dëmtua ndaj Partizanit në gjysmëfinale të Kupës.
DUEL PANKINASH – Mes Egnatias dhe Dinamos mund të cilësohet ndryshe edhe si një duel pankinash. Profesori përballë nxënësit. Dikur Ilir Daja dhe Edlir Tetova fitonin titullin kampion bashkë, kur ishin në radhët e skuadrës së Elbasanit, njëri si trajner dhe tjetri futbollist në fushë. Si për ironi, sukseset i patën në këtë stadium, por të enjten vetëm njëri do t’i gëzohet triumfit.
Tani janë kundërshtarë si trajnerë, me dinamovitin me një eksperienca të madhe dhe fitues i disa trofeve, ndërsa durrsaku, edhe pse i ri në trajning, ka arritur të fitojë gjithçka me Egnatian përgjatë këtyre dy viteve. Për këtë arsye, mund të thuhet pa frikë se është edhe një duel pankinash kjo finale. Sakaq, sa u përket përballjeve mes tyre, Daja dhe Tetova janë ndeshur vetëm katër herë mes tyre dhe të gjitha këtë sezon.
Bilanci është në favor të teknikut të Egnatias, me dy fitore përkundrejt një atij të Dinamos dhe një ndeshje është mbyllur në barazim. Në vitin e tyre të parë, ku gjenden përballë, do të kenë mundësinë të duelojnë për trofeun e parë, pa llogaritur që mund të shihen edhe në “Final 4” sërish.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













