Egnatia në udhëkryq, Kupa si shpresa e fundit për 2025-2026
Egnatia zbret sot në një nga ndeshjet më vendimtare të sezonit, përballë Elbasanit në gjysmëfinalen e Kupës, një duel që praktikisht mund të përcaktojë nëse ky vit do të quhet i shpëtuar apo i humbur për rrogozhinasit.
Në një kampionat ku pritshmëritë kanë qenë më të larta se ajo që është prodhuar në fushë, Kupa e Shqipërisë mbetet rruga e fundit reale për të shpëtuar sezonin, edhe pse për hir të së vërtetës janë ende në garë për titullin në kampionat. Për Egnatian, kjo ndeshje nuk është thjesht një gjysmëfinale; është një provë karakteri, një test i madh për një skuadër që vjen pas një periudhe jo të lehtë dhe me shumë pikëpyetje rreth stabilitetit të saj.
SITUATA – Egnatia nuk po kalon momentin e saj më të mirë. Forma e fundit ka qenë e paqëndrueshme, ndërsa atmosfera në klub është zbehur edhe më shumë pas ndryshimeve në pankinë në fund të sezonit, largimin e trajnerit Edlir Tetova. Kjo situatë ka sjellë një lloj pasigurie në lojë, por edhe një ndjesi urgjence: ose reagim tani, ose sezon i dështuar. Përballë është Elbasani, një kundërshtar që këtë sezon ka qenë i vështirë për t’u mposhtur nga Egnatia. Fakti që rrogozhinasit nuk kanë arritur ta fitojnë asnjëherë këtë sezon përballjen direkte e bën ndeshjen edhe më delikate nga ana psikologjike. Megjithatë, Kupë ka logjikën e vet. Nuk vlen gjithmonë forma e kampionatit, por momenti, vendosmëria dhe aftësia për të menaxhuar presionin në 90 minuta.
HISTORIA – Një nga elementët më interesantë që e shoqëron këtë ekip është historia e tyre në Kupë. Ky është viti i katërt radhazi që Egnatia synon finalen, dhe në dy raste të mëparshme ka arritur jo vetëm finalen, por edhe trofeun. Më e rëndësishmja, ekziston një trend që i jep besim skuadrës: sa herë që Egnatia ka arritur në gjysmëfinale, ka arritur edhe në finale. Ky është një precedent që në kamp brenda klubit nuk shihet thjesht si statistikë, por si një lloj “karakteri i garës” që i shoqëron në momentet vendimtare. Natyrisht, historia nuk fiton ndeshje, por në ndeshje të tilla ajo ndikon në psikologji, sidomos kur diferencat në fushë nuk janë të mëdha.
PËRGATITJET – Në prag të ndeshjes, përgatitjet kanë hyrë në fazën e fundit. Stafi teknik ka punuar me idenë e qartë se objektivi është fitorja brenda 90 minutave, për të shmangur çdo rrezik të panevojshëm në shtesa apo penallti. Megjithatë, realiteti i sezonit dhe përballjet direkte e bëjnë të qartë se ndeshja mund të shkojë në çdo skenar të mundshëm. Edhe në stërvitje është punuar posaçërisht për situata të tilla: menaxhimi i nervave në fund të ndeshjes, organizimi në rast barazimi dhe përgatitja psikologjike për penalltitë, një detaj që shpesh vendos fatin e Kupës. Egnatia e di mirë që nuk ka luksin të gabojë. Nëse nuk e mbyll ndeshjen në kohën e rregullt, duhet të jetë gati për një betejë nervash deri në fund.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













