Egnatia kërkon të vërë diktatin, Partizani e ka betejë “kritike”
Kujt ia kishte marrë mendja para disa vitesh që ndeshja mes Partizanit dhe Egnatias së Rrogozhinës do të ishte aq e rëndësishme, sa të zinte faqen e parë të gazetës dhe të pritej me shumë kërshëri.

Por ja që ndodh. Rrogozhinasit tashmë janë një klub i mirëorganizuar dhe i suksesshëm në harkun e pak viteve. Merita e drejtuesve është që kanë ecur me baza jo vetëm sa i përket lojtarëve e stafit, por edhe infrastrukturës, siç do të jetë stadiumi ku zhvillohet ndeshja, që së fundmi ka marrë një pamje shumë të kompletuar dhe simpatike. Në 13:30 dy skuadrat do të kenë shumë për të humbur dhe për të fituar.
RIVALITETI – Partizani dhe Egnatia në dy vitet e fundit mund të konsiderohen si rivalët më të mëdhenj të njëri-tjetrit. Gjithçka nisi parvjet në Superkupë, ku Partizani arriti të fitojë trofeun honorifik kundër rrogozhinasve në finale. Skuadra e Tetovës mori revanshin me një fitore vendimtare me gol të Ibrahimoglu, duke fituar titullin e parë kampion.
“ARRATI” – Egnatia ka shansin e madh që në këtë ndeshje të krijojë arratinë apo shkëputjen e nevojshme për të vijuar e qetë në krye pjesën e mbetur të sezonit të rregullt. Partizani është pesë pikë mbrapa, teksa po këtë javë Vllaznia dhe Dinamo ndeshen së bashku. Tetova dhe djemtë e tij e dinë shumë mirë se çfarë kanë në dorë dhe nuk duan kurrsesi që ky shans t’u ikë nga dora.
REVANSH – Egnatia në këtë sezon nuk e ka mposhtur dot Partizanin. Dy ndeshjet e fazave të shkuara janë mbyllur me fitoren e të kuqve dhe një barazim në “Arenën e Demave”. Rrogozhinasit do të kërkojnë që të fitojnë edhe për të përmirësuar bilancin e ndeshjeve direkte, pasi kujtojmë që vjet e siguruan vendin e parë vetëm prej këtij detaji.
“KRITIKE” – Partizani nuk fiton në kampionat prej tri javësh dhe skuadra është në një ngërç rezultatesh, por më së shumti loje. Cilësitë e çdo ekipi shfaqen më mirë kur përballë ke një rival të fortë dhe të kuqtë do të përpiqen ta bëjnë këtë kundër Egnatias. Situatë “kritike” mund të quhet për të kuqtë kjo aktualja, pasi përveç problemeve të lartpërmendura, të kuqve u mungojnë të paktën gjashtë lojtarë, çka e kushtëzon shumë trajnerin Veselinoviç.
PANORAMASPORT.AL













