Egnatia, ekipi i momentit në Superiore, tetori vendimtar për rrogozhinasit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2025 | 22:13

Egnatia, ekipi i momentit në Superiore, tetori vendimtar për rrogozhinasit!

Egnatia po shfaqet si ekipi më i fortë i momentit në Superiore dhe kjo nuk është rastësi. Pas një nisjeje të dobët të sezonit, bardhëjeshilët kanë arritur të kapin vendin e parë në klasifikim, me pikë të barabarta me Vllazninë, duke treguar karakter dhe përkushtim.

EGNATIA

Katër fitoret radhazi kanë rritur besimin dhe motivimin e lojtarëve, të cilët nën drejtimin e trajnerit Edlir Tetova, kanë dëshmuar se janë të vendosur të vazhdojnë këtë ecuri pozitive sa më gjatë të jetë e mundur.

SYNIMI I TETORIT – Në tre ndeshjet që do të zhvillohen gjatë muajit tetor, kampionët kanë një qëllim të qartë, të grumbullojnë sa më shumë pikë. Këto tre sfida do të mbyllin fazën e parë të kampionatit dhe Egnatia dëshiron ta përfundojë këtë periudhë në krye të tabelës. Ndërkohë që kjo nuk do të jetë një detyrë e lehtë, kampionët kanë disa avantazhe.

Dy prej këtyre ndeshjeve zhvillohen në shtëpi, ku prania e tifozëve dhe terreni i njohur mund të bëjnë diferencën, ndërsa një ndeshje zhvillohet në transfertë, e cila gjithmonë përbën një sfidë më të madhe.

RIVALËT – Pas pushimit për ndeshjet e Kombëtares, Egnatia do të përballet me një rival direkt si Dinamo, skuadër që po përpiqet të rikuperojë pas një nisjeje jo të favorshme. Lojtarët e Tetovës do të duhet të tregojnë koncentrim maksimal, pasi blutë e kryeqytetit janë duke marrë ritmin dhe nuk do të jenë një kundërshtar i lehtë.

Menjëherë pas Dinamos, verdheblutë do të ndeshen me një tjetër ekip nga kryeqyteti, Partizanin, i cili këtë sezon ka pasur disa luhatje në formë, por gjithmonë mbetet një kundërshtar i vështirë për të besuarit e Tetovës.

Kjo sfidë do të jetë një test i mirë për kampionët, duke treguar nëse ata mund të mbajnë ritmin e lartë dhe të përballojnë presionin e ndeshjeve me rëndësi. Muajin tetor Egnatia do ta mbyllë me ndeshjen kundër Teutës, që konsiderohet si “macja e zezë” për verdheblutë në sezonet e kaluara. Historia e takimeve të vështira me këtë ekip i ka mësuar lojtarët dhe stafin teknik që çdo sfidë kërkon maksimumin e përqendrimit dhe strategjinë më të mirë. Ky përfundim i muajit është një mundësi për kampionët që të shfrytëzojnë momentin e mirë dhe të sigurojnë pikët e plota.

SFIDA – Megjithatë, gjithçka varet nga forma fizike dhe psikologjike e lojtarëve pas pushimit. Disa ditë pushim mund t’i ndihmojnë të rifreskohen, por gjithashtu rikthimi në fushë sjell gjithmonë “ethet” e kampionatit, ku çdo ndeshje ka peshën e vet.

Nëse Egnatia do të arrijë të ruajë fokusin, disiplinën taktike dhe ritmin e lartë që ka treguar gjatë fitoreve të fundit, ata mund të përfundojnë fazën e parë të sezonit në krye dhe të vazhdojnë luftën për titull deri në fund.

Djemtë e Tetovës kanë tani një moment të artë për të treguar forcën e tyre dhe për të konfirmuar se janë ekipi i momentit në Superiore. Për trajnerin Tetova dhe lojtarët, sfidat e muajit tetor nuk janë vetëm ndeshje për pikë, por edhe provë karakteri dhe aftësie për të ruajtur pozicionin e merituar në krye të tabelës.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL