Dy ndeshje të mëdha të një “kampionati të vogël”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2025 | 15:58

Dy ndeshje të mëdha të një “kampionati të vogël”

Nga BESNIK DIZDARI
Krejt papritmas, të premten dhe të shtunën që shkoi, Kampionati i Shqipërisë dhuroi dy ndeshje të mëdha, të denja për të hyrë në bukurinat më të pashlyeshme të futbollit të Shqipërisë. Ishin ato Partizani – SK Tirana 0-3 dhe Vllaznia – AF Elbasani 1-0. Çka do të thotë se Kampionati i Shqipërisë mund të jetë diçka tjetër.

tirana derbi

Ndërkaq, e vërteta është se loja e Partizanit ndaj SK Tiranës, nuk iu përgjigj siç duhet ritmit të bukurisë të kësaj të fundit. Dhe ja: 3 gola të shënuar në një ndeshje të vetme nga vetëm 3 gola që tiranasit kishin shënuar në 5 ndeshje të tana: Falaye, Patsatsia, Tabekou! Çka ma bën disi të njëanshëm përcaktimin “të mëdha” për ketë ndeshje. Kjo ngaqë për të qenë e tillë, duhet që të dy skuadrat të jenë thuajse në të njëjtin nivel. E deri diku edhe skuadra e Elbasanit ndaj Vllaznisë, e cila sidomos në pjesën e parë, ishte tejet larg nivelit të shkodranëve të golit eksploziv e të një teknike të përkryer të Kastratit. E megjithatë…

E megjithatë këto bukurina, qoftë edhe pse të shfaqura më fort te vetëm dy nga këto katër skuadra, që janë SK Tirana dhe Vllaznia, ndeshjet prapseprap po i përcaktoj si të mëdha.

Golat spektakolarë të SK Tiranës, nuk qenë raste të veçuara, por ata qenë fryt i një ritmike të lartë të futbollit. Çka do të thotë se erdhën prej një stili, harmonie, teknike dhe shpirti sportiv të rangut europian. Pasime gati të milimetruara, nga krahët në qendër, mbrojtje elastike, gjuajtje befasuese po “europiane”, futboll i vërtetë sulmues pa u ndalur në asgjë.

Po kështu edhe Vllaznia loja e së cilës, sidomos pjesa e parë, duhet të hyjë në analet e historisë saj të një stili sa të dikurshëm, po aq të tashëm të yjeve të saj. Për fat vetëm një gol, ndërsa nuk arrin të kuptosh pse nuk u realizuan edhe tre e katër të tjerë. Pasime të menjëhershme me një takim: para e mbrapa, anash e në qendër. Dhe mandej gjuajtje rrufe për të cilat shtyllat qenë vërtet pengesa të mëdha.

Natyrisht, pa harruar dy trajnerët Bordin dhe Martini, të cilët, me sa pamë, nuk u hodhën përpjetë, por e përjetuan nivelin e lartë të lojtarëve të tyre si profesionistë të vërtetë. Po a dalin probleme nga këto dy ndeshje të mëdha? Sigurisht.

Dhe kujtoni: të dyja këto ndeshje iu përkasin, njëra skuadrës që zinte vendin fundit (SK Tirana) dhe tjera skuadrës që thuajse kryesonte (Vllaznia”). E pra? Mos ishte rastësisht në fund të renditjes Sportklub Tirana me vetëm 2 pikë, pa asnjë fitore, me 3 humbje dhe me vetëm 3 gola të shënuar e 8 të pësuar? E mandej 3 gola të shënuar në një ndeshje të vetme!

Tjetër Vllaznia. Humbet 3-1 me Dinamon në Javën 2, e për një çast të duket një skuadër e mbaruar. Mandej Java 3 dhe 4-1 Partizanit, 1-1 në Durrës, 2-0 kundër Vorës dhe 1-0 ndaj AF Elbasanit kryesues!

Këto janë grafiqet e ecurisë së ndeshjeve të një kampionati të futbollit, mbase. Kthesat! E kthesa të tjera priten të ndodhin. Besoj në të gjitha kahet. Përderisa paskemi skuadra të cilat edhe pse ndodhen në vendin e fundit, shfaqen në “kryevepra” fitoresh kësisoji; përderisa paskemi skuadra që brenda dy javëve ndryshojnë kryekëput, atëherë diçka e re të duket se po shfaqet në këtë Kampionat të Shqipërisë. Krejt “të vogël” përderisa i mungojnë skuadrat e qyteteve themelues tradicionalë të tij: Korça, Kavaja, Gjirokastra, Berati…

Ndërkaq, autorin e këtyre radhëve gjithnjë e më fort e çudit strategjia komentuese e këtij Kampionati. I mbeten edhe bukur 30 javë, dhe dëgjon andej e këndej përcaktimet për “titullin kampion”. Ish futbollistë, studio televizive, trajnerë të djeshëm e të sotëm të cilët padashur “manipulojnë” disi me naivitet pretendentët e mundshëm për titullin kampion. Një titull që don edhe nja 10 muaj për të mbërritur.

Lind pyetja: a është kaq absolut qëllimi i një Kampionati Kombëtar titulli kampion?

Po të ishte kështu, nuk ia vlen të vonohemi. Dhe shpejt e shpejt, mblidhni nja 4 a 5 skuadra dhe i nxirrni në fushë për të rrëmbyer njëra prej tyre titullin kampion. Dhe vetëm kaq!

E pra, nuk besoj se mund të jetë kështu. Një Kampionat Kombëtar nuk ka si qëllim absolut titullin kampion. Ka si qëllim që të japë shfaqje të bukura futbolli çdo javë. Të gëzojë dashamirët e këtij spektakli magjik për çdo javë. Tjetër puna e fitoreve apo e humbjeve. Nëse nuk e kemi kuptuar këtë duke ngritur në qiell veç titullin kampion, madje deri aty saqë në fund të Kampionatit do të veçojmë 4 skuadrat e para, në një fund të tipit të ashtuquajtur jo shqip “final four” krejt të papranueshëm, atëherë ma do mendja se kemi kuptuar shumë pak…

E pra, kësisoji nuk ia vlen. Më saktë ta do mendja se kësisoji kemi të bëjmë me një moskuptim të synimeve dhe vlerave të vërteta të një kampionati të futbollit.

Nuk ka qenë kështu dikur në Shqipëri. Para Luftës më shumë se për titullin kampion të Sportklub Tiranës, shqiptarët shkonin në Fushën e Shallavares për të admiruar një Lushtë e një Kryezi. Më vonë për të shijuar elegancën e një Loro Boriçi e të një Refik Resmeje apo Skënder Jareci e më tej të një Lin Shllaku kollos e “të afërtit” të tij Teodor Vaso. Më mbas, në vazhdimësi për t’u mahnitur me futbollin ultramodern të një Panajot Pano apo stilin harmonioz të një Mehdi Bushati. Për të vazhduar më tej te një universal si Mexhid Haxhiu, e për të mbërritur te futbolli unik i treshes Zan Rragami – Din Zhega – Sabah Bizi. Duke kulmuar në ndërkohë, me atë që quhej 17 Nëntori i Tiranës. Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Gëzim Kasmi, Ben Bukoviku, Luigj Bytyçi, Osman e Ali Mema, Skënder Hyka, Perikli Dhales, Bahri Ishka e Niko Xhaçka. Për të mbërritur te Dinamo e Çeço – Demollari – Zëri – Sh.Ballgjini – Përnaska. Për ndalur me kaq nga frika se futbollistët mbasardhës të Kampionatit, njeri më i madh se tjetri të Vllaznisë e të Flamurtarit deri sfidues të një Austria të Vjenës e të një Barcelone, mund të gaboj në emra.

Kështu pra, le ta ndalim fjalorin e mërzitshëm për titullin kampion, dhe le ta zëvendësojmë me terminologjinë klasike të futbollit të përjavshëm të së shtunës e të së dielës si këto dy të mësipërmet, që po më pëlqen t’i përcaktoj të “shkollave shkodrane e tiranase” të futbollit shqiptar.

Dhe ja që po papritmas e pa mëshirë më shfaqet “kundërshtimi”, që vetvetiu më bën të mendoj se jemi në një “situatë revolucionare”, pa arritur të përcaktoj se e çfarë lloji mund të jetë kjo “situatë revolucionare”. Çka frikshëm më thotë se edhe dy protagonistët e kësaj jave të këtyre dy ndeshjeve të mëdha të këtij “Kampionati të vogël”, po devijonin nga shkollat e tyre të hershme tradicionale. Ndonëse stili mu duk se ishte po ai, tradicionali. Me një mungesë të madhe, megjithatë: pak spektatorë dhe më tepër tribuna të boshatisura se sa të mbushura. Kështu si në Shkodër si në Tiranë. Ky është problemi i problemeve. E tash për tash mos po duket si i pazgjidhshëm? Të presim megjithatë. Ndonëse dikush duhet “të revoltohet”.

Dhe?… Atanaskoski, Bintsouka, Garcia, Human, Victor, Falaye, Fernandez, Patsatsia, Soler, Tabekou, Valeriana, Vera, Abah, Freitas, Pohl, Dros, Yago, Janaçek, Falaye, Ze Gomes, Tsague, Dembele…

A kanë këta emra të huaj të vetëm dy ndeshjeve diçka që ka të bëjë me stilin shkodran dhe tiranas? Madje edhe këta të tjerët, të tillë si: Ismaili, Janjeva, Bytyçi, Ismajli, Bajrami, Kastrati, Murataj, Ibraimi të cilët janë shqiptarë të futbollit të shteteve të tjera?…

Ndoshta jam një kombëtaras konservator. Mundet. Ndonëse merret me mend se i çmoj fort të gjithë emrat e mësipërm. A nuk qenë edhe këta emra të shteteve e kombësive të tjera që interpretuan dy ndeshjet e mëdha të kësaj jave?

Sidoqoftë, futbolli i Kampionatit të Shqipërisë është në një udhëkryq. Asisoji edhe pse na dhuroi dy ndeshje të mëdha. Pa harruar se ato janë dy ndeshje të mëdha të një “Kampionati të vogël”.

PANORAMASPORT.AL