5 fragmente nga ecuria e Kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2026 | 23:17

5 fragmente nga ecuria e Kampionatit

Nga BESNIK DIZDARI 

Besnik-Dizdari

1. DESHTIMI I KATERSHES SE TITULLIT KAMPION.

Kjo thjesht ngaqë ajo nga katërshe u shndërrua në treshe. Dhe kështu, tri javë para mbarimit të katër periudhave (fazave) skuadra e katërt nëse është Partizani apo Dinamo, qysh tash pra, nuk mund të luftojë për titullin e Kampionit të Shqipërisë. Kuptohet, ngaqë ndodhen plot 9 pikë nga skuadra e tretë që është Egnatia (54). Dhe më e rëndësishmja: ngaqë ndodhen 17 pikë larg AF Elbasanit kryesues dhe 15 pikë larg Vllaznisë nënkryesuese. Edhe sikur njera prej “PartizanDinamos” t’i fitojë tri ndeshjet e fundit, e dy kryesuesit t’i humbasin të tri ndeshjete e tyre, ato do të mbesin e pakta nja 6 a 7 pikë larg tyre. Mû këtu lind lind pyetja; për çka do të mund të luajnë Dinamo ose Partizani në finalet e katërshes? Për ndeshje thjesht “stërvitore”? Për ndeshje “spektakolare”?

Apo për ndeshje “të ndershme”? Ndoshta njëra nga këto. Por për titullin kampion qysh sot as Dinamo e as Partizani nuk mund të synojnë. Kështu pra: vetëm AF Elbasani, Vllaznia e paksa edhe Egnatia, mund të synojnë titullin e Kampionit të Shqipërisë 2026. Dinamo ose Partizani as në ëndërr! Interesant vërtet! Me kësi lloj dështimesh është krejt e papranueshme se si ka mundësi që ngulmuan aq fort edhe në këte stinë 2025-26 që të organizojnë me këte katërshe plus, të titullit kampion, të ashtuquajtur anglisht “final four”. Në një kohë kur ajo u pa se nuk solli asnjë të mirë!…

Elbasani-Vllaznia

2. PESE SKUADRA SYNOJNE MOSRENIEN.

E ndoshta duhet thënë se 5 skuadra “synojnë” rënien në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është). Janë Flamurtari i Vlorës me 32 pikë, SK Tirana (35), Bylis i Ballshit (35), FK Vora (35), e tash së fundi ndoshta edhe Teuta e Durrësit (38). E gjitha kjo do të thotë se tri javë para mbarimit të Kampionatit, plot 5 skuadra, pra gjysma e skuadrave pjesëmarrëse, synojnë rënien në vërtetën Kategori të Dytë të Shqipërisë. Dhe që plot 50 përqind të skuadrave të një Kampionati Kombëtar të një shteti, kanë këte synim, kjo përbën një rast unikal (të vetëm) në gjithë Europën.

Për fat, ka që thonë se kjo është diçka e bukur. Mirëpo, në të vërtetë, ajo sjell edhe ankthe e frikëra të panevojëshme. Dridhërima, marramendje e nuk di se çka. Që po t’i hysh përimtimit të kësaj gjendjeje shpirtërore futbollistike e qytetare bashkë – nëse mund të përcaktojmë kështu – të këtyre tri javëve të fundit, aq sa mund të kënaqë skuadra, po aq mund të dëshpërojë skuadra e qytete të futbollit. Madje ndër më tradicionalët. E pra, si paska mundësi që 270 minuta para përfundimit të Kampionatit, gjysma e skuadrave “synojnë” rënien apo mosrënien? Nuk po e zgjas më. Vetëm po rikujtoj për të “njimijtën” herë se kjo ndodh thjesht prej numrit të paktë të skuadrave pjesëmarrëse: vetëm 10!

3. STILET E HUMBURA TRADICIONALE TE FUTBOLLIT SHQIPTAR.

E edhe kjo ma do mendja se ka të bëjë me shpirtin futbollistik shqiptar. Se e kemi pra edhe ne një shpirt assisoji, jo pak origjinal, madje. Çka për fat e kemi humbur. E kemi humbur sepse Vlora nuk është më vlonjate. Tirana nuk është më tiranase. Durrësi nuk është më durrsak. Elbasani nuk është më elbasanas. Madje, ndonëse diçka më pak, thuajse as Shkodra nuk është më shkodrane. E gjitha kjo thjesht sepse në çdo skuadër deri në 80 e 90 përqind janë lojtarë të huaj. Për fat, jo të një shteti të vetëm – e kësisoji mund të sillnin stilin “unikal” kombëtar të atij shteti – por të disa shteteve. Sa vështirë për t’i sinkronizuar në një stil të vetëm!

Një skuadër shqiptare sot mund të ketë në 11-shin e saj lojtarë të deri 7 shteteve të ndryshme. Po a vërtet skuadrat e qyteteve shqiptare kanë patur një stil të tyrin, më e pakta në temperament shqiptar, në shpirtin sulmues, në ndjenjën e sakrificës, në pasionin? Them se kanë patur. Natyrisht aq sa e kanë patur. Madje ka qenë sa një temperament lokal i qytetit, por aq dhe një temperament, pse jo, kombëtar shqiptar. I veçantë madje. E di ndërkaq.

Kundërshtarët janë aty, teksa thonë: “Kështu, shumështetshe janë edhe klubet e vendeve të tjera?”. E vërtetë, por ne nuk jemi si ato në njëqind aspekte apo dukuri. Sepse megjithë këte ndërkombëtarizim, te ata vazhdojnë të shkëlqejnë ato që quhet ‘“akademi” të të rinjve. Sigurisht këtu nuk është vendi që të përimtojmë se çka bëhet me këta lojtarë të akademive të tyre.

Po për një gjë të jeni të sigurtë: ata nuk shkojnë dëm si të rinjtë tonë. Të cilëve nuk po iu jipet vend më as në skuadrat e qytetit të tyre, as në skuadrat e qyteteve të tjerë e gjithnjë e më pak edhe deri te skuadrat kombëtare të të gjitha rangjeve të Shqipërisë. Tek është një shembull i freskët nga Italia fqinje, e madhja e futbollit. Shkruhej në numrin e fundit të “Guerin Sportivo”, në formë kujtese një thënie e Gianpiero Bonipertit, futbollisti i madh dhe presidenti mitik i Juventusit. Paska thënë: “Ju lutem hiqni dorë prej lojtarëve që vijnë prej federatave të tjera”.

Ndonëse dihet, bota profesioniste e futbollit perëndimor as që do t’ia dijë për këte. Ndonëse papritmas, këto dit, mbas eliminimit të Italisë nga Botërori, po shkruhet e po flitet shumë për ndalimin e sundimit të lojtarëve të huaj në klubet italiane. Kisha me thënë se edhe Shqipëria e vogël, “lindorja” jonë e famshme, ia vlen t’ia dijë fort për këte…

4. “KRYENGRITJA” E VONUAR E “RREZIK TE RENEVE”.

Kështu po më pëlqen të përcaktoj. Dhe po mendoja: po sikur, bie fjala, “kryengritja” të dështojë dhe të bijen SK Tirana e Flamurtari? Sepse këto dy skuadra historike 270 minuta pra mbarimit ndodhen në vendet 9 e 10, renditje këto që të përjashtojnë pa mëshirë nga Kampionati Kombëtar i Republikës së Shqipërisë. Interesant vërtet: papritmas, këte javë me një pasion të çuditshm ata fituan bujshëm ndaj dy skuadrave fort të mirënjohura të historisë tonë, Partizan e Dinamo, të cilat së bashku kanë fituar plot 35 Kampionate të Shqipërisë.

E megjithate, prap se prap, SK Tirana e Flamurtari mbetën në fund, në vendet 9 e 10. Kjo edhe ngaqë të gjitha skuadrat e vendeve të fundit, po fitojnë pa ia nda. FK Vora ka 4 javë që nuk humbet: 1-0 Teutës, 1-1 në Vlorë me Flamurtarin, 0-0 me Vllazninë dhe bujshëm 2-0 në Rrogozhinë me kampionen Egnatia. Po ashtu si dhe Bylis i Ballshit: 1-1 me Dinamon e po aq edhe me Partizanin; e së fundi 2-0 Teutës! Dhe prap kundërshtarët tonë që thonë: “këto rezultate tregojnë forcën e Kampionatit të Shqipërisë”. Vërtet?… Mirëpo ja që është një forcë që vjen nga fundi.

5. DHE PAPRITMAS “NDESHJE LUFTARAKE”?

Në Shqipëri për vite të tana ka qenë përdorur ky përcaktim: “ndeshje luftarake”. Nuk i ndahej Shqipërisë “lufta”. Mbeti menjëherë mbas Luftës Nacional Çlirimtare ky përcaktim. Dhe erdhi duke sunduar gazetarinë tonë për gati gjashtë dekada. Tash thuajse nuk përdoret më. Eshtë zevendësuar me përcaktimin më antigjuhsor e më antisintaksor të gjuhës shqipe, këte që thotë: “ndeshje e luftuar” Ndonëse për fat të mirë po duket sikur edhe ky përcaktim, hap mbas hapi po bije. Sikur po përpiqen të përcaktojnë kësisoji: “ndeshje sulmuese e kundërsulmuese”, “ndeshje energjike e plot pasion”. Ndoshta kështu mund t’i përcaktosh edhe dy ndeshjet e fundit të skuadrave të Elbasanit dhe të Tiranës. Nuk qenë as “ndeshje të luftuara” e madje nuk qenë as “ndeshje luftarake”.

Ndoshta qenë “ndeshje sulmuese e kundërsulmuese”, edhe ky një përcaktim ndoshta i konsumuar. Çka më moderne për gazetarinë, ato mund të përcaktohen si “ndeshje energjike të një pasioni”. Si të thuash, ndeshje të hapura, dyanshmërisht sulmuese, me gola kthesash emocionuese e të një teknike, që te pala tjetër shkaktonin gabime, deri të pafalshme madje. Çka në fund të fundit gjithçka shkoi në të mirë të skuadrës së Elbasanit dhe asaj të Tiranës.

Një futboll deri diku edhe modern. Sulme të organizuara bukur, gjuajtje befasuese, teknikë e mirë, pasime të zgjuara dhe triumf i SK Tiranës 2-1 ndaj Partizanit dhe 3-1 të AF Elbasanit ndaj Vllaznisë. E zbukuruan disi Kampionatin edhe pse tronditen dy humbësit “e mëdhej”. E tash, mû këtu po më duket e drejtë të rreshtoj një statistikë lakonike e tronditëse që ka të bëjë me Egnatian – kampione në fuqi, Ndodhi: SK Tirana – Egnatia 3-1! Egnatia – Flamurtari 0-2! Egnatia – FK Vora 0-2!

Tri humbje rradhazi të kampiones në fuqi me tri skuadra të vendeve të fundit. Kjo po, është “kryengritje”. Çfarë po ngjet kështu, në Kampionatin e Shqipërisë? Ec e gjeje. Nuk e di a do të mund t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje në editorialet e ardhëshme…

PANORAMASPORT.AL