E pazakontë, Butrinti del me njoftim zyrtar pas ndeshjes së Superiores: Moment historik për qytetin e Sarandës
Butrinti pretendon që në edicionin e ardhshëm do jetë pjesë e Kategorisë së Parë. Klubi i Sarandës ka publikuar njoftimin për tifozët ku tregon se është ai që përfiton nga rënia e Bylisit. Ekipet A dhe B të Bylisit nuk mund të luajnë bashkë në Kategorinë e Parë, kështu ekipi B duhet të rikthehet në Kategorinë e Dytë.

Butrinti ishte skuadra që u mposht nga Bylis B në finalen e “play off” të Kategorisë së Dytë. Më pas në finalen e “play out” të Kategorisë së Parë, Bylis B rrëzoi Kukësin nga kategoria.
NJOFTIMI I BUTRINTIT:
“Klubi dëshiron të përshëndesë dhe të falënderojë të gjithë sportdashësit, tifozët, qytetin dhe çdo person që ka qenë pranë ekipit gjatë këtij sezoni të jashtëzakonshëm.
Rezultati i fundit që solli humbjen e ekipit të Bylis dhe fitores së djeshme të Bylis B i hapi rrugë ngjitjes së K.F. Butrinti në Kategorinë e Parë! Një moment historik për klubin tonë, për qytetin e Sarandës dhe për gjithë komunitetin dashamirës sportiv që ka besuar tek kjo skuadër.
Kjo arritje është fryt i punës, sakrificës dhe përkushtimit të futbollistëve, stafit teknik, drejtuesve dhe çdo mbështetësi që nuk reshti së besuari në objektivin tonë. Sezoni ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por ekipi tregoi karakter, dinjitet dhe ambicie deri në fund.
Ne respektojmë çdo kundërshtar dhe vlerësojmë garën sportive të zhvilluar gjatë gjithë kampionatit. Futbolli duhet të mbetet gjithmonë një arenë meritokracie ne fushën e blertë, respekti dhe emocionesh sportive.
Sot është një ditë krenarie për Sarandën dhe për ngjyrat e K.F. Butrinti. Ky sukses nuk është fundi i rrugëtimit tonë, por fillimi i një kapitulli të ri me më shumë përgjegjësi dhe objektiva më të mëdha.
Faleminderit të gjithëve për mbështetjen.
Forca Butrinti!
Shihemi atje ku e meriton ky qytet!”

PANORAMASPORT.AL













