E papritur! Dështon konferenca e Dinamos para Aluminijt, mediat sllovene braktisin Ilir Dajën
Në prag të sfidës ndaj Dinamos në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, në kampin e Aluminijt mbizotëron respekti për ekipin shqiptar.
Mesfushori Simon Rogina theksoi se skuadra sllovene ka lënë pas barazimin 0-0 ndaj Mariborit dhe tashmë i gjithë fokusi është te përballja europiane.
“Ndaj Mariborit ishte një ndeshje shumë e vështirë, sidomos në pjesën e parë. Tani duhet ta harrojmë atë takim dhe të përqendrohemi plotësisht te Dinamo. Duhet ta analizojmë me kujdes kundërshtarin, të rikuperojmë energjitë dhe të futemi në fushë me intensitet maksimal”, u shpreh Rogina për mediat e klubit.
Mesfushori u ndal edhe te mbështetja e tifozëve, duke vlerësuar atmosferën e krijuar në ndeshjet e fundit dhe duke i ftuar ata të jenë sërish pranë skuadrës në këtë duel të rëndësishëm europian. Deklaratat e Roginës konfirmojnë se Aluminij e konsideron Dinamon një kundërshtar serioz dhe se skuadra sllovene nuk ka ndërmend ta nënvlerësojë përballjen me ekipin shqiptar.
Sakaq, konferenca e Dinamos ka dështuar duke qenë se mediat sllovene nuk ishin të pranishme në sallë, për ta zhvilluar normalisht, gjë kjo e cila nuk është parë të ndodhë shpesh.
PANORAMASPORT.AL













