“E kujtoj shpesh atë ndeshje me Serbinë, kjo Kombëtare është më e fortë”, Alban Hoxha analizon kuqezinjtë dhe jo vetëm: Partizani do ketë shumë ndryshime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2025 | 18:37

“E kujtoj shpesh atë ndeshje me Serbinë, kjo Kombëtare është më e fortë”, Alban Hoxha analizon kuqezinjtë dhe jo vetëm: Partizani do ketë shumë ndryshime

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë po afron dhe për shumëkënd kthehet në mendje takimi i famshëm i 11 viteve më parë në Beograd. Një protagonist i asaj nate ka qenë dhe Alban Hoxha, pjesë e Kombëtares shqiptare që kaloi momentet e ankthit në Beograd.

alban hoxha

Para sfidës së radhës me Serbinë, portieri ka treguar kujtimet e tij nga ajo natë në një intervistë për “Sport News” në “News 24”. Hoxha shpreh besimin se kjo Kombëtare ka më shumë forcë dhe do të fitojë përsëri përballë serbëve, këtë herë edhe në fund të 90 minutave në fushën e lojës.

Alban e kujton shpesh atë sfidë ndaj Serbisë, e diskuton shpesh me miqtë, apo të afërmit?
E kujtoj shpesh dhe ma kujtojnë. Ka qenë ndeshje e vështirë, ishte momenti që unë sapo kisha arritur në Kombëtare. Nuk e mendoja që do ndodhnin ato gjëra në Kombëtare. Deri në ato momente po luanim mirë. Djemtë, me të vërtetë janë treguar heronj, me atë që dhanë në fushë.

11 vite më pas, çfarë do veçoje? Cili është ai moment, që nuk do e harroje kurrë?
Nga ndeshja do ta veçoj gjithë momentin që kemi shkuar në ndeshje, që nga mbërritja në aeroport. Çdo gjë ishte kaos, në momentin që dolëm në nxehmje, me ato thirrje raciste, ishte e vështirë për ne. Ne ia dolëm shumë mirë gjithsesi.

Çfarë mendove, kur na ra shorti sërish me Serbinë? Cila ishte gjëja e parë që të shkoj ndër mend?
Direkt më shkoi në mendje ndeshja që ka kaluar me Serbinë. Deri diku më erdhi mirë, kemi mundësinë që të tregojmë veten sërish. Pse jo të marrim 3 pikësh dhe të gëzojmë tifozët.

I druhesh ndonjë incidenti, ndonjë droni, edhe pse duhet thënë që edhe 11 vite më parë në “Elbasan Arena” nuk ndodhi asgjë…
Jo nuk mendoj pasi janë marrë masa drastike. Unë mendoj se do jetë tifozeria e karikuar në maksimum.

Çfarë sfidë pret më 7 qershor, si e sheh sot sfidën Shqipëri-Serbi?
Mendoj se me ekipin që është aktualisht, mund të përballemi me të gjithë. Pres që tifozeria jonë të kënaqet. Besoj se do ta fitojmë këtë ndeshje.

Si ndikon presioni i një sfidë të tillë? Sa e vështirë do të jetë për shqiptarët e Kosovës?
Besoj se ndikon, më shumë është emocion i bukur. Patjetër, përgatitja e lojtarëve do jetë shumë më përpara. Një lojtar profesionist, mezi i pret këto ndeshje. Pjesa e tifozërisë do i karikojë lojtarët më shumë.

E vendos kjo sfidë fatin e Shqipërisë, ndeshja që duhet fituar?
Nuk mendoj që është vetëm kjo ndeshje për fatin e Shqipërisë. Me këtë 3 pikësh shkojmë 6 pikë, Anglinë vështirë se do e kapim me pikë. Vendi i dytë do ishte gjë e bukur.

Si e sheh sot Shqipërinë Alban, si të duket sot ekipi përfaqësues në raport me atë ekip të De Biazit ku dhe ju bënit pjesë?
Edhe ai ekip ka qenë i mirë. Ky i Silvinjos është akoma më i mirë, pasi kemi lojtarë që luajnë në kampionate të forta. Kemi grup të kompletuar.

Çfarë do i jepje nga ai ekip?
Nuk ndaj lojtarët. Besoj se në këtë Kombëtare pjesa e sulmit është më efektive se në atë kohë që kemi qenë ne.

Ku mendon se do të vendoset kjo ndeshje, ku ke më shumë besim?
Kjo ndeshje do vendoset në të gjitha repartet. Duhet të jemi të gjithë bashkë. Pastaj kush e bën golin, është i fundit që merr meritat. Për mua meritat i kanë të gjithë, që nga porta e deri te sulmi.

Në fund, një koment për Partizanin, e nisni nga Europa për të vijuar me përgatitjen e ekipit për sezonin e ri. Çfarë duhet të presin tifozët?
Do ndryshojë goxha ekipi këtë vit. Shpresoj që të jenë lojtarë që japin maksimumin për Partizanin. Jemi para ndeshjeve të Europës, shpresoj që të kalojmë një ose dy ture, është si objektiv. Pastaj duhet menduar për kampionatin.

PANORAMASPORT.AL